Connect with us

Lajme nga vendi

Liria e medias: Gazetarët në mbarë botën në rrezik

Published

on

Liria e shtypit është vënë sërish në qendër të vëmendjes pasi administrata Trump përjashtoi agjencinë e lajmeve Associated Press (AP) nga konferencat e shtypit presidenciale të SHBA. Pavarësisht nga fakti se marrëdhëniet midis Shtëpisë së Bardhë dhe medias janë përkeqësuar dhe se liria e shtypit në Shtetet e Bashkuara është gjithnjë e më shumë nën presion, është po ashtu e vërtetë se vetëm disa vende arrijnë të garantojnë një mjedis të sigurt dhe të pavarur për punën e gazetarëve.

Çfarë do të thotë liria e medias?
“Nuk ka ndonjë përkufizim të thjeshtë të konceptit të lirisë së shtypit. Në fakt, ideja është mjaft e diskutueshme,” shpjegon John Steel nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Derby, MB. Historikisht, ka qenë për t’i dhënë publikut një zë, akses në sistemet e pushtetit dhe për të siguruar që qytetarët në shoqëritë demokratike të kenë njohuri në proceset vendimmarrëse.”

Në shekullin e 19-të, filozofi anglez Jeremy Bentham përcaktoi detyrën e një media të lirë që të mbajë njerëzit e fuqishëm – zakonisht qeveritë, por edhe kompanitë dhe organizatat private – përgjegjës para syve të publikut, duke e quajtur atë një “roje kundër abuzimit të pushtetit”.

Organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufi e përshkruan lirinë e mediassi aftësinë e gazetarëve, individualisht ose kolektivisht, për të zgjedhur, prodhuar dhe shpërndarë informacion me interes publik pa ndikim politik, ekonomik, ligjor dhe social dhe pa kërcënime për sigurinë e tyre fizike dhe psikologjike.

Jodie Ginsberg, presidente e Komitetit Amerikan për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), tha për DW: “Liria e shtypit duhet të nënkuptojë akses në media të pavarura, pluraliste, ku gazetarët mund të raportojnë lirisht për ngjarje të rëndësishme dhe të japin informacion që ka të bëjë me komunitetet dhe vendet e tyre”.

Advertisement

Mediat e pavarura duhet të jenë të lira nga ndikimi i jashtëm, siç është presioni i qeverisë për të publikuar një version të veçantë të lajmit. Media “pluraliste” do të thotë që publiku duhet të ketë akses në një shumëllojshmëri burimesh të pavarura dhe të besueshme informacioni.

Në renditjen vjetore të lirisë së shtypit, organizata Reporterët pa Kufij regjistron jo vetëm sulmet ndaj gazetarëve, por edhe kornizat politike, ligjore, ekonomike dhe sociale që ndikojnë në punën e tyre, si dhe rreziqet me të cilat përballen.

Për vitin 2024, organizata regjistroi një përkeqësim global të lirisë së medias krahasuar me një vit më parë. Vetëm në tetë vende, kryesisht në Evropën Veriore, situata u vlerësua si “e mirë”.

Megjithatë, edhe vendet kryesore të Evropës Veriore nuk janë perfekte. “Asnjë vend nuk është imun ndaj presioneve të ushtruarandaj gazetarëve – dhe ne duhet të jemi vigjilentë dhe të fokusuar”, tha për DW Ena Bavçiq nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF).

Çfarë e cënon lirinë e medias?
Gazetarët nuk përballen vetëm me kërcënime për dhunë fizike. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, 12 për qind e sulmeve ndaj gazetarëve në vendet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate ishin të natyrës fizike. Një e katërta e sulmeve lidheshin me censurën, ndërsa një e treta lidheshin me kërcënimet verbale, duke përfshirë frikësimin, sipas një raporti të projektit të BE-së Liria e Medias dhe Reagimi i Shpejtë.

Advertisement

Edhe sulmet ndaj gazetarëve në internet janë bërë të shpeshta. “Ne po vërejmë një numër në rritje të sulmeve në internet dhe përpjekjeve për të ushtruar presion. Po shohim shumë profile të rreme dhe fushata shpifjesh,” tha Bavçiq. “Varësisht se cili grup gazetarësh është në shënjestër – nëse janë femra, për shembull, ne vërejmë se sulmet shpesh përfshijnë kërcënime në të cilat gjuha e urrejtjes kombinohet me presionin ndaj anëtarëve të familjes”. Të dhënat e organizatës jofitimprurëse Freedom of the Press Foundation tregojnë se në SHBA ka pasur më shumë sulme ndaj mediave.

2024 – vit vdekjeprurës për gazetarët
Për gazetarët që raportojnë nga zonat e luftës, rreziku është veçanërisht i lartë. Sipas të dhënave të CPJ-së, viti 2024 ishte viti më vdekjeprurës për gazetarët. Që nga viti 2021, numri i gazetarëve të vrarë është rritur vazhdimisht.

“Vitin e kaluar, numri i gazetarëve të vrarë u rrit me 22 për qind, kryesisht për shkak të luftës në Gaza. Në vitin 2024, 85 gazetarë dhe punonjës të medias u vranë atje,” shpjegon Ginsberg. “Ata u vranë të gjithë në sulmet e ushtrisë izraelite dhe shumica ishin palestinezë.”

Gazetarët në zonat e luftës janë civilë dhe nuk janë objektiva legjitime të sulmeve, thekson Ginsberg. “Është thelbësore që palët në konflikt ta njohin këtë, ndërsa shtetet duhet të mbrojnë lirinë e medias dhe të nxjerrin para përgjegjësisë ata që sulmojnë gazetarët.”

Edhe numri i gazetarëve që kanë përfunduar në burg por rritet që nga viti 2000. Në fillim të dhjetorit 2024, sipas CPJ, ishin 361 gazetarë në burg. Gjysma e tyre janë të ndaluar në Kinë, Izrael dhe territoret e pushtuara palestineze, të ndjekur nga Myanmari, Bjellorusia dhe Rusia. Ata akuzohen më shpesh për “veprimtari antishtetërore”.

Advertisement

Në nivel global, mbrojtja politike e gazetarëve po dobësohet, ndërsa kërcënimet po shtohen. Kjo çon në autocensurë dhe në shmangie të raportimit për tema të ndjeshme. Në këtë kontekst, edhe përmirësimet e dukshme në lirinë e medias mund të jenë mashtruese. Nëse numri i vrasjeve dhe burgosjeve të gazetarëve ulet, kjo mund të nënkuptojë se gazetarët thjesht nuk lejohen të raportojnë për tema të rrezikshme, sepse kanë frikë.

Si të mbrohet liria e medias?
Qeveritë autokratike po shkelin me këmbë lirinë e medias dhe po kufizojnë aksesin në informacion, paralajmëron Ginsberg dhe shton: “Liria e informacionit, e cila përfshin lirinë e medias, është thelbësore për lirinë tonë – për lirinë e të gjithë neve.”

Masat ligjore dhe rregullat janë të domosdoshme për të mbrojtur lirinë e medias. Bashkimi Evropian, për shembull, miratoi Ligjin për Lirinë e Medias, me qëllim të mbrojtjes më të mirë të gazetarëve. Bavçiq thotë se ky legjislacion është një “bazë e mirë” për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve. Por shtetet anëtare duhet t’i zbatojnë këto ligje, përfshirë edhe ato që kanë pasur marrëdhënie problematike me median në të kaluarën.

“Megjithatë ligji nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet me të cilat përballen gazetarët. Zbatimi i tij në terren duhet të jetë efektiv.Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për institucione të forta,” përfundon Ena Bavçiq nga Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF).

Advertisement
Advertisement

Lajme nga vendi

Taravari konfirmon bisedën telefonike me Ahmetin

Published

on

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili është larguar nga koalicioni VLEN pasi vendosi të shkojë në zgjedhje lokale ndaras, ka pranuar se ka realizuar bisedë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në një intervistë për Lajm ai thotë se takim nuk ka pasur, por është dëgjuar me të në telefon.

Takim me Ali Ahmetin a keni pasur apo prisni të keni?

“Jo, jo, jo. Ka pasur një bisedë telefonike dhe ajo është…”, deklaroi Arven Taravari, kryetar i ASH.

Televizioni Alsat që në fillim të muajit prill raportoi për një bisedë telefonike 40 minutëshe mes Taravarit dhe Ahmetit, e cila sipas burimeve tona ka bërë që Taravari të lëkundet në bindjet, që deri dje i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Disa herë, Taravari përmendi që partia e tij ka kanale komunikimi me BDI-në, por edhe sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Madje, duke relativizuar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte. Ndaj kësaj, mori përgjigje të ashpër nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë asnjë arsye për të komunikuar me një parti të korruptuar, funksionarët e të cilës janë në lista të zeza.

Biseda telefonike është realizuar pikërisht në kohën kur Aleanca për Shqiptarët do të duhej të vendoste për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale, për çka Taravari disa herë përsëriti se ekzistojnë dy opsione për të garuar në zgjedhje. I pari, të garojnë së bashku me VLEN-in dhe i dyti të garojë vetëm si ASH, që në këtë rast nuk do të përjashtohej mundësia për të bashkëpunuar në komuna të caktuara me BDI-në.

Advertisement
Continue Reading

Lajme nga vendi

MPB: Gjatë festave të Pashkëve fotografimi për dokumentet personale do të bëhet pa termin

Published

on

Ministria e Punëve të Brendshme, në pritje të festave të Pashkëve, njofton se sot të gjitha Seksionet për Çështje Administrative pranë Departamentit për Çështje Administrative të MPB-së, përveç Sektorit për Çështje Administrative Shkup, do të punojnë nga ora 08:00 deri në ora 16:00.

Departamenti për Çështje Administrative Shkup, ose më saktë njësitë e tij organizative, sot do të punojnë me këtë orar:

Pika e kontrollit pranveror  dy ndërrime nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 19:30;

Postblloku i “RTMV” dy ndërrime nga ora 7:30 deri në 19:30, dhe me të njëjtin orar do të funksionojnë edhe pikat e kontrollit në “Beko” dhe Gjorçe Petrov.

Pikat e kontrollit në Draçevë dhe Butel do të funksionojnë me një turn nga ora 10:00 deri në ora 18:00.

Advertisement

Ministria e Brendshme njofton qytetarët se fotografimi për dokumente personale do të bëhet pa caktuar termin dhe dhënia e dokumenteve do të bëhet në vazhdimësi.

Continue Reading

Lajme nga vendi

Më shumë se 1000 propozime për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë

Published

on

Përskaj nismës së ndryshimit të emrave të rrugëve, në Tetovë janë shtuar kërkesat edhe për ndryshimin e emrit të disa shkollave. Individë të sektorit të arsimit thonë se disa emra të shkollave, madje nuk kanë asnjë domethënie as simbolike dhe as historike për qytetarët. Nga gjithësej pesë shkolla të mesme katër prej tyre kanë emra që nuk përkojnë me siç është rasti i shkollës së mjekësisë Nikolla Shtejn.

“Ato pak të dhëna që ne i kemi nuk themi dot se janë të sakta thjeshtë ka qenë një infermier partizan që as nuk është nga shteti ynë e as nuk lidhet diçka me vendin tonë. Meqë edhe jemi shkolla më e madhe në vend shpesh kemi kërkesa nga prindër e nxënës se përse shkolla nuk merr një emër që do lidhej qoftë me Tetovën qoftë me ndonjë personalitet të mjekësisë”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.

Kërkesa të këtilla ka pasur edhe në shkollat tjera.

“Në kuadër të Komunës së Tetovës funksionojnë pesë shkolla të mesme nga të cilat vetëm njëra nga to ka emrin “7Marsi” ndërsa katër të tjerat kanë emra të periudhës së komunizmit dhe realisht sipas kërkimeve që kemi bë për një shkollë që quhet Nikolla Shtejn, nuk ka të dhëna as në google apo mjete tjera kërkimore”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Tetovë.

Nisma të ngjashme për ndërrim të emrave të shkollave fillore dhe të mesme ka pasur disa herë, por shkaku i mungesës së kohezionit politik në pushtetin lokal, ndryshimi i tyre, gjithnjë ka dështuar.
Problemi me emrat e shkollave po hapet në të njëjtën kohë kur procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është në fazën e debatit publik. Numri i propozimeve të dorëzuara në dy debatet e fundit publike ka arritur në 1050. Edhe pse sot duhej që të mbahet debati i tretë publik, debati është anuluar për javën e ardhshme, shkaku i festës së Pashkëve. Zëdhënësi i komunës Albion Alili për Alsat thotë se procedura zhvillohet pa përplasje.

Advertisement

“Pas debateve komisioni do të vlerësojë propozimet dhe biografitë e emrave të propozuar dhe do veprojë për emërtim të tyre. Realisht komisioni po punon në formën e paraparë dhe do veprohet. Nuk ka ndonjë përplasje siç plasohet në opinion, gjithëçka shkon si duhet”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Për momentin nuk ka ndonjë afat konkret se sa procedura do të zgjasë. /Alsat.mk

Continue Reading

Më të lexuarat