Lajme nga vendi
Miliarda dollarë nga USAID-i për projekte në Ballkan, sa përfitoi Kosova dhe vendet tjera të rajonit

Administrata e Donald Trump planifikon të shpërbëjë Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose ta bashkojë atë me Departamentin e Shtetit.
Është një lëvizje që shumë thonë se do të zvogëlojë ndikimin amerikan në botë, ndërsa vlerësohet nga Rusia dhe Kina.
Qindra punonjës me kontratë që punojnë për agjencinë janë vendosur në pushim pa pagesë dhe disa janë pushuar nga puna, pasi Presidenti Donald Trump vendosi një ngrirje të plotë të ndihmës së huaj amerikane në mbarë botën.
Në vitin 2023, agjencia shpërndau 44 miliardë dollarë për programet e ndihmës amerikane në 160 vende të botës.
Në atë vit, Ukraina mori shumë para – më shumë se 16 miliardë dollarë, shumica e të cilave ishin për mbështetje makroekonomike (14.4 miliardë dollarë).
Kjo pasohet nga Etiopia (1.6 miliardë), Jordania (1.2 miliardë) dhe Afganistani (1 miliardë).
Të dhënat më të fundit të plota janë të disponueshme për vitin 2023, ndërsa janë të paplota për vitin 2024.
Paratë e USAID-it në Ballkan
Sa i përket vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, gjatë 24 viteve të fundit, USAID ka disbursuar pothuajse 3.7 miliardë dollarë amerikanë për projektet e asistencës së SHBA-së.
Shumica e parave të USAID-it shkuan në Serbi – pak më shumë se një miliard dollarë amerikanë, siç raporton Al Jazeera Balkans.
Një total prej 938 milionë dollarësh janë ndarë për projektet e USAID-it në Bosnje dhe Hercegovinë gjatë 24 viteve të fundit.
613 milionë dollarë shkuan për Maqedoninë e Veriut dhe 583 milionë dollarë për Kosovën.
Agjencia amerikane ka investuar 225 milionë dollarë amerikanë në Kroaci, dhe 527 mijë dollarë në Slloveni – gjatë 24 viteve të fundit.
Vlen të përmendet se në fillim të viteve 2000, alokimet e USAID-it për programet e ndihmës amerikane në vendet e rajonit ishin dukshëm më të larta. Në Bosnje dhe Hercegovinë, më së shumti fonde të USAID-it u disbursuan në vitin 2002 (më shumë se 74 milionë dollarë), në Serbi në 2004 – më shumë se 91 milionë dollarë dhe në Maqedoninë e Veriut në 2003 – 62.6 milionë dollarë.
Sa i përket Kosovës, në bazën e të dhënave të ndihmës së huaj amerikane thuhet se në vitin 2001, USAID financoi projekte me vlerë 47.7 milionë dollarë amerikanë. Më pas pasuan disa në të cilat nuk kishte asnjë investim të USAID-it dhe në vitin 2012 u ndanë 75.4 milionë dollarë – një shumë rekord në 24 vitet e fundit.
Paratë e USAID-it kanë ardhur në Mal të Zi në vëllime dukshëm më të vogla gjatë 20 viteve të fundit dhe e njëjta gjë vlen edhe për Kroacinë, e cila nuk ka pasur asnjë projekt të financuar nga kjo agjenci që nga viti 2018.
Vetëm gjysmë milioni dollarë kanë mbërritur në Slloveni për projektet e USAID-it në 24 vjet – më së shumti në vitin 2019 – 300,000 dollarë.
Lajme nga vendi
Taravari konfirmon bisedën telefonike me Ahmetin

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili është larguar nga koalicioni VLEN pasi vendosi të shkojë në zgjedhje lokale ndaras, ka pranuar se ka realizuar bisedë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në një intervistë për Lajm ai thotë se takim nuk ka pasur, por është dëgjuar me të në telefon.
Takim me Ali Ahmetin a keni pasur apo prisni të keni?
“Jo, jo, jo. Ka pasur një bisedë telefonike dhe ajo është…”, deklaroi Arven Taravari, kryetar i ASH.
Televizioni Alsat që në fillim të muajit prill raportoi për një bisedë telefonike 40 minutëshe mes Taravarit dhe Ahmetit, e cila sipas burimeve tona ka bërë që Taravari të lëkundet në bindjet, që deri dje i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Disa herë, Taravari përmendi që partia e tij ka kanale komunikimi me BDI-në, por edhe sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Madje, duke relativizuar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte. Ndaj kësaj, mori përgjigje të ashpër nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë asnjë arsye për të komunikuar me një parti të korruptuar, funksionarët e të cilës janë në lista të zeza.
Biseda telefonike është realizuar pikërisht në kohën kur Aleanca për Shqiptarët do të duhej të vendoste për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale, për çka Taravari disa herë përsëriti se ekzistojnë dy opsione për të garuar në zgjedhje. I pari, të garojnë së bashku me VLEN-in dhe i dyti të garojë vetëm si ASH, që në këtë rast nuk do të përjashtohej mundësia për të bashkëpunuar në komuna të caktuara me BDI-në.
Lajme nga vendi
MPB: Gjatë festave të Pashkëve fotografimi për dokumentet personale do të bëhet pa termin

Ministria e Punëve të Brendshme, në pritje të festave të Pashkëve, njofton se sot të gjitha Seksionet për Çështje Administrative pranë Departamentit për Çështje Administrative të MPB-së, përveç Sektorit për Çështje Administrative Shkup, do të punojnë nga ora 08:00 deri në ora 16:00.
Departamenti për Çështje Administrative Shkup, ose më saktë njësitë e tij organizative, sot do të punojnë me këtë orar:
Pika e kontrollit pranveror dy ndërrime nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 19:30;
Postblloku i “RTMV” dy ndërrime nga ora 7:30 deri në 19:30, dhe me të njëjtin orar do të funksionojnë edhe pikat e kontrollit në “Beko” dhe Gjorçe Petrov.
Pikat e kontrollit në Draçevë dhe Butel do të funksionojnë me një turn nga ora 10:00 deri në ora 18:00.
Ministria e Brendshme njofton qytetarët se fotografimi për dokumente personale do të bëhet pa caktuar termin dhe dhënia e dokumenteve do të bëhet në vazhdimësi.
Lajme nga vendi
Më shumë se 1000 propozime për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë

Përskaj nismës së ndryshimit të emrave të rrugëve, në Tetovë janë shtuar kërkesat edhe për ndryshimin e emrit të disa shkollave. Individë të sektorit të arsimit thonë se disa emra të shkollave, madje nuk kanë asnjë domethënie as simbolike dhe as historike për qytetarët. Nga gjithësej pesë shkolla të mesme katër prej tyre kanë emra që nuk përkojnë me siç është rasti i shkollës së mjekësisë Nikolla Shtejn.
“Ato pak të dhëna që ne i kemi nuk themi dot se janë të sakta thjeshtë ka qenë një infermier partizan që as nuk është nga shteti ynë e as nuk lidhet diçka me vendin tonë. Meqë edhe jemi shkolla më e madhe në vend shpesh kemi kërkesa nga prindër e nxënës se përse shkolla nuk merr një emër që do lidhej qoftë me Tetovën qoftë me ndonjë personalitet të mjekësisë”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.
Kërkesa të këtilla ka pasur edhe në shkollat tjera.
“Në kuadër të Komunës së Tetovës funksionojnë pesë shkolla të mesme nga të cilat vetëm njëra nga to ka emrin “7Marsi” ndërsa katër të tjerat kanë emra të periudhës së komunizmit dhe realisht sipas kërkimeve që kemi bë për një shkollë që quhet Nikolla Shtejn, nuk ka të dhëna as në google apo mjete tjera kërkimore”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Tetovë.
Nisma të ngjashme për ndërrim të emrave të shkollave fillore dhe të mesme ka pasur disa herë, por shkaku i mungesës së kohezionit politik në pushtetin lokal, ndryshimi i tyre, gjithnjë ka dështuar.
Problemi me emrat e shkollave po hapet në të njëjtën kohë kur procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është në fazën e debatit publik. Numri i propozimeve të dorëzuara në dy debatet e fundit publike ka arritur në 1050. Edhe pse sot duhej që të mbahet debati i tretë publik, debati është anuluar për javën e ardhshme, shkaku i festës së Pashkëve. Zëdhënësi i komunës Albion Alili për Alsat thotë se procedura zhvillohet pa përplasje.
“Pas debateve komisioni do të vlerësojë propozimet dhe biografitë e emrave të propozuar dhe do veprojë për emërtim të tyre. Realisht komisioni po punon në formën e paraparë dhe do veprohet. Nuk ka ndonjë përplasje siç plasohet në opinion, gjithëçka shkon si duhet”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Për momentin nuk ka ndonjë afat konkret se sa procedura do të zgjasë. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve