Lajme nga bota
Zelensky: Evropa nuk mund të garantojë sigurinë e Ukrainës pa Amerikën

Evropa nuk mund ta garantojë e vetme sigurinë e Ukrainës nëse SHBA tërheq mbështetjen ushtarake, ka paralajmëruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Ka zëra që thonë se Evropa mund të ofrojë garanci sigurie pa amerikanët, dhe unë them gjithmonë jo,” tha presidenti ukrainas gjatë një interviste për The Guardian në administratën presidenciale në Kiev. “Garancitë e sigurisë pa Amerikën nuk janë garanci reale të sigurisë”, shtoi ai.
Trump ka thënë se dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë, por skeptikët kanë frikë se një marrëveshje e ndërmjetësuar nga SHBA mund të detyrojë Ukrainën që të përmbushë kërkesat e Vladimir Putin.
Zelensky tha se është gati për të negociuar por dëshiron që Ukraina ta bëjë këtë gjë nga një “pozitë e forcës” dhe t’u ofronte kompanive amerikane kontrata fitimprurëse rindërtimi dhe koncesione investimesh në përpjekje për të tërhequr Trumpin.
“Ata që po na ndihmojnë për të shpëtuar Ukrainën do të [kanë mundësinë ta] rinovojnë atë, me bizneset e tyre së bashku me bizneset ukrainase. Për të gjitha këto ne jemi të gatshëm t’i flasim në detaje”, tha ai.
Zelenskyy do të udhëtojë në Konferencën e Sigurisë në Mynih më vonë këtë javë, ku ai pret të takojë zëvendëspresidentin e SHBA, JD Vance.
Lajme nga bota
Franca njeh zyrtarisht rolin e imamit si profesion

Qeveria franceze njohu zyrtarisht sot rolin e imamit si profesion, duke e shtuar atë në listën e profesioneve nga Agjencia Franceze e Punësimit, raporton Anadolu.
Ministri i Brendshëm Bruno Retailleau e bëri njoftimin gjatë seancës përmbyllëse të takimit të dytë të Forumit Francez të Islamit (FORIF), duke theksuar rëndësinë e njohjes.
Retailleau tha se dialogu midis shtetit dhe përfaqësuesve fetarë muslimanë duhet të bazohet në besim dhe përgjegjësi.
Ai theksoi se muslimanët refuzojnë shtrembërimin e besimit të tyre nga ideologjitë ekstremiste.
Ndërsa pohoi se shteti nuk duhet të ndërhyjë në institucionet fetare, Retailleau vuri në dukje se mund të ofrojë mbështetje.
Në kuadër të nismës, roli i imamit është përfshirë zyrtarisht në listën zyrtare të profesioneve të njohura në Francë.
Ai e përshkroi masën si një hap historik, duke shënuar njohjen e parë të tillë në vend.
Gjithashtu, ai njoftoi krijimin e një përshkrimi zyrtar të punës dhe kontratave të punës për imamët, duke ofruar një kuadër të strukturuar për punën e tyre.
Retailleau trajtoi gjithashtu shqetësimet për islamofobinë në Francë, duke zbuluar se vitin e kaluar u regjistruan 173 sulme antimuslimane.
Ai pranoi, megjithatë, se numri aktual ka të ngjarë të jetë më i lartë për shkak të mosraportimit nga viktimat.
Për të luftuar krimet, qeveria do të prezantojë një platformë të re ankesash kushtuar raportimit të incidenteve islamofobike.
Klerikët muslimanë që punojnë në spitale dhe ushtri do të njihen tashmë zyrtarisht si pjesë e shërbimit publik, duke siguruar që rolet e tyre të njihen zyrtarisht brenda institucioneve shtetërore.
Lajme nga bota
Egjipti angazhohet për rindërtim të Gazës pa zhvendosur popullsinë

Egjipti është duke zhvilluar një plan për të rindërtuar Rripin e Gazës, që nuk parasheh largimin e palestinezëve nga territori i tyre, teksa shtetet arabe po tentojnë të minimizojnë propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump për t’i larguar banorët nga zona, dhe që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e territorit.
Plani, sipas një raportimi të medias shtetërore të Egjiptit, Al-Ahram, bën thirrje për krijimin e “zonave të sigurta” brenda Gazës, ku palestinezët do të mund të qëndronin derisa kompanitë ndërtuese prej Egjiptit dhe vendeve tjera të rindërtonin infrastrukturën.
Tri zonat e sigurta do të funksionin për një periudhë fillestare gjashtëmujore, sipas planit.
Shtëpitë mobile do të mund të krijoheshin dhe do të mundësohej dërgimi i ndihmave humanitare, parasheh mes tjerash plani.
Ky projekt rindërtimi – që mund të zgjasë pesë vjet – do të ofronte mijëra vende pune për banorët e Gazës, ka thënë një zyrtar i Egjiptit për agjencinë e lajmeve Associated Press (AP).
Dy zyrtarë të Egjiptit dhe diplomatë perëndimorë i kanë thënë AP-së se Kairoja është duke diskutuar planin me zyrtarë në Evropë, Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Në këto negociata është thënë se po diskutohen edhe ndarjet buxhetore.
Më 4 shkurt, Trump i ka thënë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë, se “SHBA-ja do të marrë kontrollin e Rripit të Gazës dhe do të punojë në të”.
“Ne do ta zotërojmë atë”, pati thënë Trump.
Sipas presidentit amerikan, palestinezët që aktualisht jetojnë aty, do të duhet të zhvendosen përjetësisht në vendet arabe të rajonit dhe që Shtetet e Bashkuara do të jenë në krye të përpjekjeve për të shndërruar Gazën në “rivierë të Lindjes së Mesme”.
Më shumë se 2.3 milionë njerëz jetojnë në Gazë, dhe shumica e tyre veçse janë zhvendosur si pasojë e luftës 16-mujore mes ushtrisë izraelite dhe Hamasit – grup palestinez i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Palestinezët kanë thënë zëshëm se nuk do të largohen prej tokës së tyre.
Sipas raportimeve në media, edhe Arabia Saudite është duke çuar përpara një plan për të përmbysur planin e Trumpit.
Egjipti, Jordania dhe Emiratet besohet se janë të përfshira në këto përpjekje, pasi ato kanë thënë se nuk janë të gatshme të strehojnë popullsinë e Gazës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili ka arritur në Izrael më 15 shkurt, në kuadër të një vizite në Lindje të Mesme, ka shprehur mbështetje të plotë për synimet e Izraelit në Rripin e Gazës dhe ka thënë se Hamasi “duhet të shfaroset”.
Izraeli dhe Hamasi kanë arritur marrëveshje armëpushimi për t’iu dhënë fund luftimeve të nxitura nga grupi ekstremist, i cili ka sulmuar jugun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 njerëz.
Megjithatë, armëpushimi mbetet i brishtë, ndonëse Hamasi është duke liruar pengje izraelite, në këmim të të burgosurve palestinezë që janë mbajtur në Tel Aviv. /REL
Lajme nga bota
Stuhi vdekjeprurëse përfshin pjesën lindore të SHBA-së duke shkaktuar 10 viktima

Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe qindra mijëra kanë mbetur pa energji elektrike, pasi stuhitë e forta dhe përmbytjet kanë shkaktuar dëme të theksuara në të gjithë pjesën lindore të SHBA-së, transmeton Anadolu.
Gjatë stuhive, Kentucky pësoi disa nga dëmet më të rënda në vitet e fundit, transmetuan mediat.
“Kjo është një nga ngjarjet më serioze të motit me të cilat jemi përballur në të paktën një dekadë”, tha guvernatori i Kentucky-t, Andy Beshear, pasi konfirmoi se nëntë nga viktimat, duke përfshirë një fëmijë, ishin në këtë shtet amerikan, si dhe person tjetër në Georgia.
Stuhia shkaktoi reshje të dendura shiu, duke rezultuar në përmbytje të shpejta, rrëshqitje dheu dhe mbyllje të rrugëve.
Ekuipazhet e urgjencës kryen më shumë se 1.000 shpëtime vetëm në Kentucky.
Duke vënë në dukje se nga stuhia janë prekur të gjitha qarqet në këtë shtet, gjithsej 120, Beshear tha se u intervenua për të evakuuar dy shtëpi pleqsh.
Midis viktimave ishte një nënë dhe fëmija i saj 7-vjeçar, të cilët u përfshinë nga përmbytjet, teksa përpiqeshin të kalonin një rrugë të përmbytur.
Vërshimet kanë lënë rreth 40 mijë banorë në Kentucky pa energji elektrike, si dhe 9.800 pa ujë.
Përveç përmbytjeve, disa pjesë të shtetit janë përballur me reshje bore dhe kushte akulli, duke e bërë udhëtimin edhe më të rrezikshëm.
Si reagim ndaj kësaj, Beshear shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe kërkoi ndihmë federale.
– Trump me deklaratë për fatkeqësi emergjente
Presidenti amerikan Donald Trump miratoi deklaratën e fatkeqësisë emergjente të shtunën vonë, duke zhbllokuar fondet federale për përpjekjet e shpëtimit dhe rimëkëmbjes.
Shtete të tjera në juglindje dhe verilindje, duke përfshirë shtetet Tennessee, Mississippi dhe Alabama pësuan gjithashtu dëme të konsiderueshme.
Sinoptikanët paralajmëruan për rreziqe të vazhdueshme nga përmbytjet, me lumenj që mund të mbeten mbi nivelet kritike në ditët në vijim.
Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) alarmoi për përmbytjeje të shpejtë për disa qarqe në Virginia, duke e quajtur situatën “jashtëzakonisht të rrezikshme dhe kërcënuese për jetën”.
Teksa përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhduan, zyrtarët u bënë thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve