Lajme nga rajoni
Shefi i BE në Kosovë: Qeveria e re duhet të përmbushë pritshmëritë e popullit për BE-në
![](https://tetovaexpres.com/wp-content/uploads/2025/02/Aivo-Orav-600x360-1.jpeg)
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se qeveria re duhet të përmbushë pritshmëritë e popullit, i cili aspiron të bashkohet me BE-në.
“Për ta arritur këtë, qeveria e re duhet të punojë shumë, shumë aktivisht. Detyrat e vështira duhet të bëhen. Reformat duhet të realizohen”, citohet Orav në X nga Zyra e Bashkimit Evropian për Kosovë të ketë thënë për Associated Press.
Mbrëmjen e 9 shkurtit pas mbylljes së qendrave të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve filloi me publikimin e të dhënave mbi rezultatet preliminare.
KQZ ka numëruar 99.17 qind për qind të votave nga 2,512 qendra votimi nga gjithsej 2.533, deri në orën 19:10, sipas të cilave vazhdon të prijë Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me partitë Guxo dhe Alternativa me 40.83 për qind ose 339 mijë 350 vota.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 22.16 për qind ose 184 mijë e 040, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e treta me 17.60 për qind ose 146 mijë e 147 vota.
AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët-Ideal renditet subjekti i katërt me 7.46 për qind ose 61 mijë e 968 vota.Më 9 shkurt qytetarët e Kosovës votuan për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për katër vitet e ardhshme. Ky proces zgjedhor është konsideruar demokratik dhe i qetë.
Lajme nga rajoni
Seanca përfundimtare në gjyqin ndaj Dodikut
![](https://tetovaexpres.com/wp-content/uploads/2025/02/3RXFGFRVQBL7ZCUUBVQYMUQU7U-scaled.jpg)
Në Gjykatën e Bosnjë dhe Hercegovinës të mërkurën, më 19 shkurt, mbahet seanca përfundimtare në gjyqin ndaj Millorad Dodikut, presidentit të entitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Republika Sërpska (RS).
Së bashku me Dodikun, në të njëjtën çështje po gjykohet edhe Millosh Llukiq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të atij entiteti. Ata akuzohen për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, dhe rrezikojnë të dënohen me burgim deri në pesë vjet dhe ndalim të veprimtarisë politike.
Dodik akuzohet për nënshkrimin e dekreteve presidenciale, me të cilat shpalli të vlefshëm dy ligje jokushtetuese të Republikës Sërpska, që më parë ishin anuluar nga përfaqësuesi i Lartë. Llukiq akuzohet për publikimin e këtyre ligjeve dhe dekreteve, të cilat parashikojnë se vendimet e përfaqësuesit të Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës nuk do të zbatohen në atë entitet.
Përpara ndërtesës së Gjykatës së Bosnjë dhe Hercegovinës vërehet një prani e shtuar e forcave policore të Ministrisë së Brendshme të Kantonit të Sarajevës. Aty janë mbledhur edhe përkrahësit e Dodikut.
Derisa po pritet përfundimi i një gjyqi njëvjeçar, presionet ndaj Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës po rriten.
Nga njëra anë, udhëheqësia e RS-së kërcënon me “vendime radikale” dhe braktisjen e të gjitha institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës nëse Dodiku dënohet.
Presion ushtrojnë edhe përfaqësuesit e autoriteteve të Serbisë fqinje, si dhe të Hungarisë.
Kështu, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në Budapest më 17 shkurt se shpreson që “në Bosnje e Hercegovinë të mos merren vendime gjyqësore që mund të rrezikojnë stabilitetin”.
Dy ditë para seancës së fundit, edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, bëri thirrje për “ndalimin e ndëshkimit të Dodikut”, i cili, bashkë me të gjithë udhëheqësinë e RS-së, është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për korrupsion dhe minimin e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Çfarë çoi në këtë gjyq?
Në seancat e Asamblesë së RS-së në qershor të vitit 2023 u miratuan ligje jokushtetuese që parashikonin se aktet ligjore të përfaqësuesit të Lartë nuk do të publikoheshin në Gazetën Zyrtare të RS-së dhe se vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë dhe Hercegovinës, të cilat sipas Kushtetutës së këtij shteti janë përfundimtare dhe detyruese, nuk do të zbatoheshin në territorin e këtij entiteti.
Përfaqësuesi i Lartë, Christian Schmidt, i anuloi këto dy ligje entiteti më 1 korrik 2023 përmes kompetencave të tij të Bonit dhe ndryshoi Kodin Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës, duke e bërë vepër penale moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë.
Më 7 korrik 2023, Dodik nënshkroi dekretet, me të cilat i shpalli këto ligje të vlefshme, dhe ato u botuan në Gazetën Zyrtare të RS-së. Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës ngriti aktakuzë ndaj Dodikut dhe Llukiqit më 11 gusht, dhe gjykata e konfirmoi atë më 11 shtator./REL/
Lajme nga rajoni
Hashim Thaçi me probleme shëndetësore, ndërpritet seanca gjyqësore në Hagë
![](https://tetovaexpres.com/wp-content/uploads/2025/02/Hashim-Thaci-Gjykata-Speciale-ne-Hage-1-780x439-1-696x392-1.png)
Hashim Thaçi ka munguar në gjykimin e sotëm në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ai ka pasur probleme shëndetësore, dhe për këtë e ka pasur të pamundur pjesëmarrjen.
Lajmin e tha në seancë avokati i tij, Luka Misetiq.
“As unë nuk kam informacion, sekretarja më njoftoi se klienti nuk ndihej mirë, dhe nuk mund të merrte pjesë në seancën e sotme. Nuk jam konsultuar fare me klientin lidhur me këtë. Mendova se ishte zgjidhur prej jush”, tha Misetiq, raporton Nacionale.
Detaje për këtë dha edhe gjyqtari i rastit. Ai tregoi se Thaçi ka pasur nevojë të konsultohet me një mjek.
“I vetmi komunikim ishte se nuk ka qenë mirë nga shëndeti, dhe duhet të fliste me një mjek. Komunikoni me të nëse jep leje që të vazhdojmë pa praninë e tij” tha gjyqtari Smith,.
Seanca tashmë po vazhdon. Avokati tregoi se Thaçi ka dhënë leje për ta vazhduar seancën.
“Më thanë se Thaçi dhe mjeku kanë nënshkruar dokumentin për ta vazhduar gjykimin”, tha Misetiq.
Pas kësaj, gjyqtari ka urdhëruar që seanca të shkojë në seancë private, dhe nuk dihet çfarë është diskutuar.
Lajme nga rajoni
Rubio: ShBA mbështetën me krenari rrugëtimin e Kosovës për t`u bërë shtet
![](https://tetovaexpres.com/wp-content/uploads/2025/02/rubiop.jpg)
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar Kosovën me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një shtet sovran, demokratik, shumëetnik dhe të begatshëm.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju shpreh urimet e mia për rastin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës – një ngjarje për të reflektuar mbi qëndrueshmërinë, vendosmërinë dhe aspiratat e popullit të Kosovës. Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një shtet sovran, demokratik, shumëetnik dhe të begatshëm. Paqja, siguria dhe zhvillimi ekonomik rajonal mbeten thelbësorë për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës. Ndërsa festoni pavarësinë tuaj, nderojmë miqësinë dhe vlerat e përbashkëta ndërmjet popujve tanë”, thuhet në urim.
Edhe Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka përgëzuar popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces.
“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi”, thuhet në mesazhin e tij.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve