Lajme nga vendi
Grupet parlamentare të partive në pushtet kanë dorëzuar interpelancë për punën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi

Grupet parlamentare të partive në pushtet nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM sot kanë dorëzuar në dhomën ligjdhënëse interpelancë për punën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të cilët i zgjedh Kuvendi.
“Përveç kësaj, ju kujtoj se grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit votuan kundër Raportit vjetor për punën e Këshillit Gjyqësor për vitin 2023 dhe ai nuk u miratua nga Kuvendi. Kjo flet shumë dhe është vetëm një nga arsyet e shumta pse ne po paraqesim sot këtë interpelancë. Bashkimi Evropian dhe opinioni në Republikën e Maqedonisë vazhdimisht kanë theksuar mangësi serioze në punën e Këshillit Gjyqësor, veçanërisht në aspektin e pavarësisë, transparencës dhe llogaridhënies. Këto vërejtje janë të një rëndësie thelbësore për procesin e reformave në sektorin gjyqësor dhe përparimin e vendit drejt anëtarësimit në BE, tha në konferencën e sotme për shtypa, Nikolla Micevski, koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.
Ai thekson se deri më tani kanë pritur që Këshilli Gjyqësor vetë të inicojë iniciativa për shqyrtimin Raportit.
“Konkretisht, neni 100, paragrafi 8 i Ligjit për Këshillin Gjyqësor parasheh që nëse Kuvendi i Republikës së Maqedonisë nuk e miraton Raportin për punën e Këshillit Gjyqësor dhe ai i njëjti nuk është miratuar, kjo do të jetë bazë për inicimin e debatit para organeve që i kanë zgjedhur anëtarët e Këshillit Gjyqësor për punën e tyre në Këshill. Domethënë, sipas atij neni, ata vetë duhej të fillonin punën për shqyrtimin e raportit negativ që erdhi nga Kuvendi, i cili zgjedh pesë nga 13 anëtarët e vetë Këshillit. Duhet të gjejmë një shkas që të fillojmë me një iniciativë të caktuar, neve na e jep ligji për disa nga anëtarët që kemi zgjedhur në Kuvend, sepse ashtu si janë zgjedhur, të njëjtët përfaqësues që i zgjedhin kanë të drejtë të diskutojnë dhe të flasin për punën e tyre, pas votimit të interpelancave do të shohim hapat e radhës nga Këshilli Gjyqësor”, tha ai.
Sipas Micevskit, zgjidhja e këtyre sfidave është e nevojshme për të rikthyer besimin në sistemin gjyqësor dhe për të forcuar sundimin e ligjit.
“Këshilli Gjyqësor është institucion kyç për funksionimin e shtetin e së drejtës dhe ruajtjen e sundimit të ligjit në Maqedoni. Prandaj, çdo hije dyshimi në punën e anëtarëve të tij duhet të analizohet thellësisht dhe publiku duhet të sigurohet se Këshilli punon me ndershmëri, profesionalizëm dhe në interes të qytetarëve. Qëllimi ynë është që të kontribuojmë dhe të bëjmë gjithçka në kuadër të kompetencave dhe mundësive tona kushtetuese dhe procedurale për të mundësuar një sistem gjyqësor më të mirë, më efikas dhe të pavarur që do të thotë dhe do të sjellë drejtësi të madhe për çdo qytetar të Maqedonisë njësoj”, tha Micevski.
Ai dërgoi mesazh se është koha për të vënë rregull në sistemin e rrënuar të drejtësisë së Maqedonisë përmes reformave serioze dhe ndryshimeve rrënjësore që, siç tha ai, “do të nënkuptojnë fillimin e fundit të keqpërdorimeve, padrejtësive, zhgënjimeve dhe praktikave negative të deritanishme në gjyqësorin në Maqedoni”.
Ai kërkoi mbështetjen e të gjitha partive parlamentare opozitare dhe të gjithë deputetëve të tjerë për këto ndryshime.
Lajme nga vendi
Taravari konfirmon bisedën telefonike me Ahmetin

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili është larguar nga koalicioni VLEN pasi vendosi të shkojë në zgjedhje lokale ndaras, ka pranuar se ka realizuar bisedë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në një intervistë për Lajm ai thotë se takim nuk ka pasur, por është dëgjuar me të në telefon.
Takim me Ali Ahmetin a keni pasur apo prisni të keni?
“Jo, jo, jo. Ka pasur një bisedë telefonike dhe ajo është…”, deklaroi Arven Taravari, kryetar i ASH.
Televizioni Alsat që në fillim të muajit prill raportoi për një bisedë telefonike 40 minutëshe mes Taravarit dhe Ahmetit, e cila sipas burimeve tona ka bërë që Taravari të lëkundet në bindjet, që deri dje i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Disa herë, Taravari përmendi që partia e tij ka kanale komunikimi me BDI-në, por edhe sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Madje, duke relativizuar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte. Ndaj kësaj, mori përgjigje të ashpër nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë asnjë arsye për të komunikuar me një parti të korruptuar, funksionarët e të cilës janë në lista të zeza.
Biseda telefonike është realizuar pikërisht në kohën kur Aleanca për Shqiptarët do të duhej të vendoste për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale, për çka Taravari disa herë përsëriti se ekzistojnë dy opsione për të garuar në zgjedhje. I pari, të garojnë së bashku me VLEN-in dhe i dyti të garojë vetëm si ASH, që në këtë rast nuk do të përjashtohej mundësia për të bashkëpunuar në komuna të caktuara me BDI-në.
Lajme nga vendi
MPB: Gjatë festave të Pashkëve fotografimi për dokumentet personale do të bëhet pa termin

Ministria e Punëve të Brendshme, në pritje të festave të Pashkëve, njofton se sot të gjitha Seksionet për Çështje Administrative pranë Departamentit për Çështje Administrative të MPB-së, përveç Sektorit për Çështje Administrative Shkup, do të punojnë nga ora 08:00 deri në ora 16:00.
Departamenti për Çështje Administrative Shkup, ose më saktë njësitë e tij organizative, sot do të punojnë me këtë orar:
Pika e kontrollit pranveror dy ndërrime nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 19:30;
Postblloku i “RTMV” dy ndërrime nga ora 7:30 deri në 19:30, dhe me të njëjtin orar do të funksionojnë edhe pikat e kontrollit në “Beko” dhe Gjorçe Petrov.
Pikat e kontrollit në Draçevë dhe Butel do të funksionojnë me një turn nga ora 10:00 deri në ora 18:00.
Ministria e Brendshme njofton qytetarët se fotografimi për dokumente personale do të bëhet pa caktuar termin dhe dhënia e dokumenteve do të bëhet në vazhdimësi.
Lajme nga vendi
Më shumë se 1000 propozime për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë

Përskaj nismës së ndryshimit të emrave të rrugëve, në Tetovë janë shtuar kërkesat edhe për ndryshimin e emrit të disa shkollave. Individë të sektorit të arsimit thonë se disa emra të shkollave, madje nuk kanë asnjë domethënie as simbolike dhe as historike për qytetarët. Nga gjithësej pesë shkolla të mesme katër prej tyre kanë emra që nuk përkojnë me siç është rasti i shkollës së mjekësisë Nikolla Shtejn.
“Ato pak të dhëna që ne i kemi nuk themi dot se janë të sakta thjeshtë ka qenë një infermier partizan që as nuk është nga shteti ynë e as nuk lidhet diçka me vendin tonë. Meqë edhe jemi shkolla më e madhe në vend shpesh kemi kërkesa nga prindër e nxënës se përse shkolla nuk merr një emër që do lidhej qoftë me Tetovën qoftë me ndonjë personalitet të mjekësisë”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.
Kërkesa të këtilla ka pasur edhe në shkollat tjera.
“Në kuadër të Komunës së Tetovës funksionojnë pesë shkolla të mesme nga të cilat vetëm njëra nga to ka emrin “7Marsi” ndërsa katër të tjerat kanë emra të periudhës së komunizmit dhe realisht sipas kërkimeve që kemi bë për një shkollë që quhet Nikolla Shtejn, nuk ka të dhëna as në google apo mjete tjera kërkimore”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Tetovë.
Nisma të ngjashme për ndërrim të emrave të shkollave fillore dhe të mesme ka pasur disa herë, por shkaku i mungesës së kohezionit politik në pushtetin lokal, ndryshimi i tyre, gjithnjë ka dështuar.
Problemi me emrat e shkollave po hapet në të njëjtën kohë kur procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është në fazën e debatit publik. Numri i propozimeve të dorëzuara në dy debatet e fundit publike ka arritur në 1050. Edhe pse sot duhej që të mbahet debati i tretë publik, debati është anuluar për javën e ardhshme, shkaku i festës së Pashkëve. Zëdhënësi i komunës Albion Alili për Alsat thotë se procedura zhvillohet pa përplasje.
“Pas debateve komisioni do të vlerësojë propozimet dhe biografitë e emrave të propozuar dhe do veprojë për emërtim të tyre. Realisht komisioni po punon në formën e paraparë dhe do veprohet. Nuk ka ndonjë përplasje siç plasohet në opinion, gjithëçka shkon si duhet”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Për momentin nuk ka ndonjë afat konkret se sa procedura do të zgjasë. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve