Lajme nga vendi
RMV, sot filloi pagesa e të drejtave nga mbrojtja sociale dhe e fëmijëve
Ministria e Politikës Sociale Demografisë dhe Rinisë informon se prej sot ka filluar pagesa e të drejtave sociale, të fëmijëve dhe mbrojtjes civile për muajin janar 2025.
Përfituesit e të drejtave në të holla që posedojnë kartelë debitore do të mund të tërheqin paratë në bankomatet e bankave, t’i shfrytëzojnë fondet për pagesa në rrjetin e shitjeve ose përmes bankingut elektronik dhe celular që nga dita e sotme 05 shkurt 2025.
Për të shmangur turmat para bankave dhe brenda ambienteve të bankave gjatë pagesës së të drejtave, për përfituesit që nuk shfrytëzojnë kartela pagesa do të kryhet në 2 grupe në të gjitha filialet dhe ekspoziturat e bankave, në përputhje me orarin e përcaktuar sipas renditjes alfabetike, sipas shkronjë së parë të mbiemrit, edhe atë:
05.02.2025– А, B, V, G, D, GJ, Е, ZH, Z, X; I, Ј, К, L, LL
06.02.2025– М, N, NJ, О, P, R, S, Т, Q, U, F, H, C, Ç, XH, SH
Lajme nga vendi
Rreth €50 mln do t’u kthehen kompanive në Maqedoni! Gjykata Kushtetuese: Bie Ligji për Tatimin e Solidaritetit
Gjykata Kushtetuese solli vendim për anulimin e Ligjit për tatimin e solidaritetit. Kjo do të thotë se shteti duhet të kthejë rreth 49,2 milionë euro për gjithsej 156 kompani.
Procedurën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit të kontestuar Gjykata Kushtetuese e ka ngritur më 20 nëntor të vitit të kaluar me bashkimin e disa lëndëve, ndërsa në seancën e sotme u miratua vendimi përfundimtar.
Tatimi i solidaritetit ishte vendosur si i njëfishtë, dhënie publike e jashtëzakonshme për vitin 2023. Këtë tatim e kanë paguar kompanitë të cilat në vitin 2022 kanë realizuar të ardhura të përgjithshme më të mëdha se 615 milionë denarë (rreth 10 milionë euro). Qëllimi ishte të mblidhen mjete për zbutjen e pasojave nga kriza dhe të kontribuohet për shpenzimet publike në mënyrë solidare.
Gjykata në nëntor të vitit të kaluar, shprehu dyshim se Ligji i kontestuar shkel vlerën themelore të sundimit të ligjit të rregulluar me nenin 8 paragrafi 1 alinea 3 e Kushtetutës dhe parimet themelore mbi të cilat bazohet, siç është siguria juridike e subjekteve në pozitën e tyre juridike, parashikueshmëria juridike dhe siguria juridike në pritjet legjitime të subjekteve në drejtësi.
Në debat gjyqtarët kushtetues shprehën dyshim se bëhet fjalë për një Ligj i cili është me fuqi prapaveprues, që është në kundërshtim me nenin 52 të Kushtetutës.
Gjykata ka marrë parasysh faktin se retroaktiviteti dhe përjashtimi i tij lejohet vetëm kur bëhet fjalë për procedura rrjedhëse, por në këtë rast subjektet në fjalë i kanë përfunduar marrëdhëniet me pagesën e tatimit në vitin 2022. Gjykata në këtë fazë vlerëson se me miratimin e llojit të tillë të tatimit, kompanitë janë vënë në një pozitë të pabarabartë dhe se Ligjvënësi ka cenuar të drejtën e garantuar të pronësisë, si dhe ka cenuar lirinë e tregut dhe sipërmarrës.
Lajme nga vendi
VLEN: Fillon procedura për financimin e projekteve kapitale në komuna, janë ndarë 15 miliardë denarë
Koalicioni VLEN në një kumtesë për media thotë se ka filluar procedura për shpalljen e thirrjes së dytë publike për financimin e projekteve kapitale në komunat në vend, me një fond prej 15 miliardë denarësh.
Nga VLEN thonë se ky investim synon të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve përmes ndërtimit të shkollave, kopshteve, parqeve, si dhe përmirësimit të infrastrukturës së ujësjellësit dhe kanalizimeve.
“Ky hap është dëshmi e përkushtimit të Qeverisë VLEN për zhvillimin e barabartë dhe për adresimin e nevojave jetike të komunave, duke zgjidhur sfida që qytetarët i kanë përballuar për dekada. Kjo është mbështetja më e madhe ndonjëherë e pushtetit qendror për vetëqeverisjen lokale dhe për një qeverisje më të drejtë dhe efikase në nivel vendor”.
“Në thirrjen e parë publike, 78 komuna përfituan 288 projekte me një vlerë mbi 73 milionë euro, ndërsa tani, me këtë thirrje të dytë, komunat do të kenë mundësi të përfitojnë edhe më shumë investime për zhvillimin e tyre”.
“Koalicioni VLEN do të vazhdojë të mbështesë iniciativa të tilla që sjellin përmirësime konkrete në jetën e qytetarëve dhe fton të gjitha komunat që të aplikojnë për të përfituar nga ky fond historik”, thonë nga VLEN.
Lajme nga vendi
Bie në pranga Pece Mirçevski, akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës
Të paktën për katër vepra penale dyshohet ish drejtori i Shërbimit për punë të përgjithshme në Qeveri, Pece Mirçevski. Policia Financiare dyshon se Mirçevski ka marr ryshfet, ka falsifikuar dokumente zyrtare, ka bërë mashtrim dhe punë të pandërgjegjshme. Dyshimet i referohen 5 kontratave me një kompani për të cilën ka rezultuar se ka konflikt interesi dhe nuk është dashur t’i nënshkruan dhe zbaton. Marrëveshjet i janë referuar shërbiemeve hotelierike, makinave me qera, biletave për fluturime private dhe mëditjeve ditore të pabazuara në angazhime konkrete. Buxheti është dëmtuar për gati 1.8 milion denarë. Pas largimit nga funksioni, shuma e parave nga marrëveshja i janë dhënë në dorë Mirçevskit.
“Nga janari i vitit 2022 deri në qershor të vitit 2023 duke deklaruar rrejshëm se bëhet fjalë për udhëtime zyrtare ka bërë kërkesa për rezervime hotelierike, rezervimin e biletave, urdhëresa fiktive për udhëtime zyrtare jashtë vendit dhe me këtë ka ndikuar që ai vetë dhe persona të tjerë të përfitojnë para. Këtu është përfshirë edhe marrja e makinave me qira për nevoja private”, njoftojnë nga Policia Financiare.
Për të mos mjaftuar me kaq, ambiciet e Mirçevskit kanë shkuar aq larg sa ka avancuar një pilot në kapiten të fluturimeve edhe pse nuk i ka plotësuar kushtet bazë.
“Nga tetori i vitit 2023 deri më 14 qershor 2024, i vetëdijshme se nuk mund ta bën një veprim të tillë për personin të cilin e ka caktuar si udhëheqës kapiten të fluturimeve edhe pse nuk i ka plotësuar kushtet ligjore i ka dhënë rrogë mujore në cilësinë e kapitenit dhe ka dëmtuar buxhetin për 3.4 milion denarë”, thonë nga Policia Financiare.
Policia ka bastisur në shtëpinë e tij, por financiarja nuk jep detaje se çfarë është konfiskuar në cilësinë e provave. Në akuzë me të është edhe një person tjetër si udhëheqës i kompanisë me të cilën Mirçeski ka bërë ujdi. Gjatë mandatit të tij, Mirçeski ishte akuzuar për disa shpërdorime nga opozita, e disa herë edhe për shfrytëzimin a avionit qeveritarë për udhëtime private të eksponentëve të Qeverisë. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve