Lajme nga vendi
4.800 fëmijë në listën e pritjes: Çerdhet në RMV të stërmbushura me fëmijë janë një ngarkesë e rëndë për familjet

Në çerdhet e fëmijëve në Maqedoninë e Veriut nuk ka vend për rreth 4.800 fëmijë, ata janë në lista pritjeje, ndërsa prindërit e gjinden si të munden. Ata i angazhojnë gjyshërit, lënë punën ose bëjnë shpenzime serioze shtesë për çerdhet private të fëmijëve ose për personat e tjerë që i angazhojnë për tu kujdesur për fëmijët e tyre, shkruan Prizma.
Autoritetet janë të vetëdijshme për problemin që po zgjat tashmë prej vitesh dhe për këtë flasin hapur, madje janë ata që kanë dalë me këto numra, por masat që po i planifikojnë janë të pakompletuara.
Nëse do të realizohen planet e tyre, çerdhet e reja dhe të zgjeruara do të pranonin vetëm rreth gjysmën e fëmijëve në listën e gjatë të pritjes, ndërsa nuk ka kurrfarë masash urgjente që do tua lehtësonin këtyre mijëra prindërve që ta zgjidhin problemin për përkujdesjen e fëmijëve të tyre brenda një afati më të shkurtër kohor.
Lënie të vendeve të punës dhe shuma astronomike për çerdhe private
Pyetësori i BIRN lidhur me këtë problem, në të cilin qytetarët në mënyrë anonime mundën të ndajnë përvojat e tyre, nxori në pah se disa familje po vuajnë pasoja të rënda sepse nuk ka se kush të kujdeset për fëmijët e tyre.
“Kam mbetur pa punë me dy fëmijë të vegjël. Pushimi i lindjes më mbaroi në muajin tetor dhe më duhej ta lija punën dhe të qëndroj në shtëpi”, tha për BIRN një nënë nga Manastiri, e cila ende pret përgjigje nga çerdhja e fëmijëve.
“Një person më shpejt mund ta mbarojë fakultetin sesa ta regjistrojë një fëmijë në çerdhe”, tha ajo me cinizëm.
Të njëjtin fat e ka pasur edhe një çift nga Shkupi.
“Deri në moshën dy vjeçare për fëmijën kujdesej gjyshja, por pas kësaj nëna e fëmijës e la punën”, ka shkruar një prind nga Komuna e Aerodromit.
Ndërsa disa prindër të tjerë bëjnë shpenzime serioze shtesë për të gjetur një mënyrë për tu përkujdesur për fëmijët.
Sfida shtesë për prindërit me fëmijë me nevoja të veçanta
“Në Manastir nuk ka asnjë çerdhe të fëmijëve në të cilin ka të punësuar një defektolog . Kemi pritur me vite, por asnjëherë nuk ia dola mbanë ta regjistroj fëmijën tim në çerdhe”, thotë një nënë nga Manastiri, të cilës iu desh ta lërë punën e saj që të mund të kujdesej për djalin e saj me paralizë cerebrale.
Një nënë tjetër, edhe ajo nga Komuna e Aerodromit, e cila iu përgjigj këtij pyetësori, më pas në një bisedë me BIRN tha se ajo dhe bashkëshorti i saj u përpoqën ta regjistronin djalin e tyre në një çerdhe shtetërore që kushton 1.490 denarë në muaj, por nga atje u patën thënë se do i kontaktonin sapo të kishin një vend vakant.
Në ndërkohë djalin e kishin regjistruar në një çerdhe private ku paguanin 18.000 denarë në muaj.
“Nuk është normale që çerdhet private të kushtojnë 12 herë më shumë se ato publike”.
“Po të kishte qenë më e ulët pagesa, atëherë çerdhetshtetërore nuk do të ishin aq të stërngarkuara”, tha ajo.
Por çerdhet private nuk janë një opsion që mund ta përballojnë një numër i madh i familjeve, sidomos në këtë kohë kur shpenzimet për jetesë janë shumë të larta. Prandaj nuk është për t’u habitur fakti që rreth një e treta e prindërve që iu përgjigjën pyetësorit tonë problemin e “zgjidhën” me ndihmën e gjyshërve dhe të afërmve të tjerë.
Zgjidhje jo të plota
Informacionin për 4.800 fëmijët në listën e pritjes për BIRN e ndau Gjoko Vellkovski, zëvendësministër i politikës sociale, demografisë dhe rinisë.
Vellkovski thotë se deri në shtator të këtij viti do të ndërtohen çerdhe të reja për fëmijë, do të zgjerohen objektet ekzistuese dhe do të rregullohen objektet e vjetra. Ai si shembull e theksoi konviktin në Jegunoc, i cili nuk ishte më në përdorim, por që tani është shndërruar në një çerdhe fëmijësh me dy dhoma për aktivitete.
Por me këtë problemi i mungesës së vendeve nëpër çerdhe do të zgjidhet vetëm pjesërisht.
“Nëse e gjithë kjo përfundohet atëherë do të ketë vende për 2.800 fëmijë, pra deri në shtator të këtij viti lista e pritjes do të zvogëlohet për 55-58 përqind”, tha zëvendësministri.
Megjithatë, rreth 2.000 fëmijë do të mbeten pa vendin e tyre në çerdhe, ndërsa zgjidhjet që po i shqyrton Ministria do të jenë në dispozicion vetëm për familjet në gjendje më të mirë financiare.
Kështu, po shqyrtohet opsioni i subvencioneve që do ta lehtësonte procesin e hapjes së çerdheve private, por jo edhe për një kompensim për familjet që do t’ua lehtësonte përballimin me ato shpenzime.
Nga ana tjetër, për përkujdesëset ose për dadot, të cilat në të shumtën e rasteve punojnë në mënyrë informale dhe nuk i raportojnë të ardhurat, po shqyrtohen mundësitë që ata ta zyrtarizojnë punën dhe të paguajnë kontribute, kjo me licencë nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
Në këtë mundësi do të ofrohej një mundësi ligjore dhe e sigurt për kujdesin e fëmijëve, por opsioni i punësimit të dadove me orar të plotë nuk është aspak i lirë për prindërit – çmimet për këto shërbime variojnë nga 20.000 denarë e më shumë.
Sipas Entit Shtetëror të Statistikave në vitin 2023 numri i fëmijëve të regjistruar në çerdhe/qendra për zhvillimit e hershëm të fëmijëve ka qenë 37.804. sipas kësaj, mungesë të vendeve ka për rreth 11 përqind të fëmijëve, prindërit e të cilëve duan t’i regjistrojnë në çerdhe.
Zëvendësministri thotë se mungesa më e madhe e vendeve është e koncentruar në komunat Aerodrom, Gjorçe Petrov, Gazi Baba dhe Kisella Voda. Dhe sipas më shumë se njëqind përgjigjeve në pyetësorin e BIRN është e qartë se problemi është më serioz në Shkup. Rreth një e katërta e përgjigjeve që i kemi marrë në këtë pyetësor kanë qenë konkretisht për Komunën e Aerodromit.
Vellkovski është i vetëdijshëm se ky problem është edhe si pasojë e planifikimit joadekuat.
“Kur rritet një komunë duhet të mendohet për të gjithë infrastrukturën. Por, kjo gjë nuk është bërë. Ministria ka biseduar, para së gjithash, me komunat e Shkupit për ta ulur presionin ndaj tyre, investimet këtu janë më të mëdha”, tha Vellkovski për BIRN.
Por, numri i fëmijëve që presin me siguri është edhe më i madh
Në një intervistë për 360 Gradë, Vllatko Gjorçev, koordinatori kombëtar për demografi, rini dhe kapital njerëzor, ngriti alarmin për uljen e ndjeshme të natalitetit.
Ndër zgjidhjet e mundshme Gjorçev e përmend ndërtimin e më shumë çerdheve, por ai ndau shumë më tepër kohë për bisedën për promovimin e disa vlerave te popullata.
“Duhet ta përcjellim mesazhin tek të rinjtë se martesa dhe familja janë një vendim i mirë”, tha Gjorçev në fund të janarit të këtij viti.
Por, në praktikë, ata që vendosin të krijojnë një familje përballen me probleme të shumta kur bëhet fjalë për sigurimin e kujdesit adekuat për fëmijët e tyre.
Përveç mungesës së vendeve, disa prindër na u ankuan se grupet e çerdheve kishin numër tepër të madh të fëmijëve.
“Mungesa e punonjësve dhe e hapësirës është e tmerrshme. Në një klasë të paraparë për 15 fëmijë, janë regjistruar më shumë se 45, me vetëm dy përkëdhelëse dhe pa asnjë edukatore. Tek grupet për fëmijët nga 0 deri në 2 vjet ka 50 foshnja”, u ankua një prind nga Komuna e Aerodromit.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë parashikon grupe deri në 30 fëmijë vetëm për fëmijët parashkollorë. Për shembull, për fëmijët nga 18 muaj deri në dy vjet grupet duhet të kenë nga 10 deri në 12 fëmijë.
Në nivel operativ komunat janë përgjegjëse për çerdhet dhe për këtë arsye shpesh në mbledhjet komunale merren vendime për rritjen e numrit të fëmijëve në grupe.
“Na thanë se para nesh ka pasur 800 aplikime për pranim në çerdhe dhe se e kanë të pamundur ta pranojnë fëmijën tonë”, kanë shkruar disa prindër nga Shkupi.
Kështu që edhe pse në letër në listën e pritjes mund të ketë rreth 4.800 fëmijë, në realitet numri i fëmijëve në listat e pritjes do të ishte shumë më i madh nëse çerdhet do t’i respektonin standardet e përcaktuara nga Ministria.
“Me lidhje” është më e lehtë
Pothuajse gjysma e të anketuarve thanë se ishin të detyruar të gjenin lidhje për t’i regjistruar fëmijët e tyre në çerdhe.
“Edhe pse vetë akti i kërkimit të lidhjeve është i neveritshëm dhe imoral për ne, ne shkelëm vlerat tona morale dhe e gjetëm një lidhje. Nuk jemi aspak krenarë për këtë”, tha për BIRN një nënë nga Komuna Qendër.
Edhe një nënë tjetër nga Aerodromi e mësuar nga përvoja e keqe me fëmijën e saj të parë të cilin arriti ta regjistrojë në çerdhe vetëm pas një viti, e regjistroi fëmijën e saj të dytë në listën e pritjes menjëherë pas lindjes.
“Para nesh në listën e pritjes kishte rreth 900 fëmijë dhe ne pritëm me durim, derisa e kuptuam që me lidhje fëmijët i regjistronin brenda natës”, shkroi ajo.
Prindërit gjithashtu ankohen se ndonjëherë regjistrohen edhe fëmijë nga komunat e tjera, edhe pse ligji parashikon që në çerdhe të mund të regjistrohen vetëm fëmijët që jetojnë në atë komunë.
Kështu që, kur prindërit kërkojnë lidhje, ata shpeshherë u drejtohen të njohurve të tyre që punojnë në komunën ku jetojnë.
Më pak çerdhe, më pak gra të punësuara
Sipas hulumtimit të Reaktor, “Disponueshmëria e çerdheve dhe barazia gjinore në tregun e punës”, mungesa e çerdheve ka një efekt të rëndësishëm tek gratë.
Hulumtimi konstaton se “në komunat në të cilat ka të paktën një çerdhe të fëmijëve, përqindja e grave të punësuara është mesatarisht 34,6 përqind, ndërsa në komunat pa çerdhe të fëmijëve përqindja e grave të punësuara është 21,3 përqind”.
Madje, një prindi nga një komunë e Shkupit, i cili iu përgjigj anketës së BIRN, i është thënë se fëmija i tij do të mund të regjistrohej në çerdhe vetëm nëse lidhja e tij ishte kryetari i komunës.
Ndërsa për njërin nga prindërit e anketuar lidhja që e ka ndihmuar atë për ta regjistruar fëmijën e tij në çerdhe ka qenë pikërisht kryetari i komunës.
“Të gjithë janë jashtëzakonisht të sjellshëm dhe ekspeditiv kur thoni se vini me rekomandim nga kryetari i komunës. Funksionon për mrekulli, ua rekomandoj të gjithëve këtë përvojë”, thotë me sarkazëm një prind që në këtë mënyrë për tre ditë arriti ta regjistrojë fëmijën e tij në çerdhe.
Është e vështirë të çrrënjoset kjo praktikë tek qytetarët kur bëhet fjalë për sigurimin e kujdesit të nevojshëm për fëmijët e tyre kur ka një mungesë të theksuar të çerdheve.
Sipas hulumtimit të Reaktor, përqindja më e lartë e fëmijëve të fëmijëve të regjistruar në çerdhe në vitin 2021 është evidentuar në Komunën Qendër – 64,3 përqind.
Asnjë komunë tjetër nuk ka arritur të regjistrojë në çerdhe as edhe gjysmën e fëmijëve që jetojnë në to. Ndërsa në Shuto Orizare dhe Likovë përqindja e fëmijëve të vendosur në çerdhe ishte nën 3 përqind.
Sa për krahasim, përderisa mesatarja e fëmijëve të regjistruar në çerdhen e fëmijëve nga mosha trevjeçare deri në moshën kur fillon arsimi i detyrueshëm në BE është 92,2 përqind, në Maqedoni kjo përqindje është vetëm 39,8.
Lajme nga vendi
Taravari konfirmon bisedën telefonike me Ahmetin

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili është larguar nga koalicioni VLEN pasi vendosi të shkojë në zgjedhje lokale ndaras, ka pranuar se ka realizuar bisedë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në një intervistë për Lajm ai thotë se takim nuk ka pasur, por është dëgjuar me të në telefon.
Takim me Ali Ahmetin a keni pasur apo prisni të keni?
“Jo, jo, jo. Ka pasur një bisedë telefonike dhe ajo është…”, deklaroi Arven Taravari, kryetar i ASH.
Televizioni Alsat që në fillim të muajit prill raportoi për një bisedë telefonike 40 minutëshe mes Taravarit dhe Ahmetit, e cila sipas burimeve tona ka bërë që Taravari të lëkundet në bindjet, që deri dje i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Disa herë, Taravari përmendi që partia e tij ka kanale komunikimi me BDI-në, por edhe sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Madje, duke relativizuar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte. Ndaj kësaj, mori përgjigje të ashpër nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë asnjë arsye për të komunikuar me një parti të korruptuar, funksionarët e të cilës janë në lista të zeza.
Biseda telefonike është realizuar pikërisht në kohën kur Aleanca për Shqiptarët do të duhej të vendoste për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale, për çka Taravari disa herë përsëriti se ekzistojnë dy opsione për të garuar në zgjedhje. I pari, të garojnë së bashku me VLEN-in dhe i dyti të garojë vetëm si ASH, që në këtë rast nuk do të përjashtohej mundësia për të bashkëpunuar në komuna të caktuara me BDI-në.
Lajme nga vendi
MPB: Gjatë festave të Pashkëve fotografimi për dokumentet personale do të bëhet pa termin

Ministria e Punëve të Brendshme, në pritje të festave të Pashkëve, njofton se sot të gjitha Seksionet për Çështje Administrative pranë Departamentit për Çështje Administrative të MPB-së, përveç Sektorit për Çështje Administrative Shkup, do të punojnë nga ora 08:00 deri në ora 16:00.
Departamenti për Çështje Administrative Shkup, ose më saktë njësitë e tij organizative, sot do të punojnë me këtë orar:
Pika e kontrollit pranveror dy ndërrime nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 19:30;
Postblloku i “RTMV” dy ndërrime nga ora 7:30 deri në 19:30, dhe me të njëjtin orar do të funksionojnë edhe pikat e kontrollit në “Beko” dhe Gjorçe Petrov.
Pikat e kontrollit në Draçevë dhe Butel do të funksionojnë me një turn nga ora 10:00 deri në ora 18:00.
Ministria e Brendshme njofton qytetarët se fotografimi për dokumente personale do të bëhet pa caktuar termin dhe dhënia e dokumenteve do të bëhet në vazhdimësi.
Lajme nga vendi
Më shumë se 1000 propozime për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë

Përskaj nismës së ndryshimit të emrave të rrugëve, në Tetovë janë shtuar kërkesat edhe për ndryshimin e emrit të disa shkollave. Individë të sektorit të arsimit thonë se disa emra të shkollave, madje nuk kanë asnjë domethënie as simbolike dhe as historike për qytetarët. Nga gjithësej pesë shkolla të mesme katër prej tyre kanë emra që nuk përkojnë me siç është rasti i shkollës së mjekësisë Nikolla Shtejn.
“Ato pak të dhëna që ne i kemi nuk themi dot se janë të sakta thjeshtë ka qenë një infermier partizan që as nuk është nga shteti ynë e as nuk lidhet diçka me vendin tonë. Meqë edhe jemi shkolla më e madhe në vend shpesh kemi kërkesa nga prindër e nxënës se përse shkolla nuk merr një emër që do lidhej qoftë me Tetovën qoftë me ndonjë personalitet të mjekësisë”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.
Kërkesa të këtilla ka pasur edhe në shkollat tjera.
“Në kuadër të Komunës së Tetovës funksionojnë pesë shkolla të mesme nga të cilat vetëm njëra nga to ka emrin “7Marsi” ndërsa katër të tjerat kanë emra të periudhës së komunizmit dhe realisht sipas kërkimeve që kemi bë për një shkollë që quhet Nikolla Shtejn, nuk ka të dhëna as në google apo mjete tjera kërkimore”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Tetovë.
Nisma të ngjashme për ndërrim të emrave të shkollave fillore dhe të mesme ka pasur disa herë, por shkaku i mungesës së kohezionit politik në pushtetin lokal, ndryshimi i tyre, gjithnjë ka dështuar.
Problemi me emrat e shkollave po hapet në të njëjtën kohë kur procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është në fazën e debatit publik. Numri i propozimeve të dorëzuara në dy debatet e fundit publike ka arritur në 1050. Edhe pse sot duhej që të mbahet debati i tretë publik, debati është anuluar për javën e ardhshme, shkaku i festës së Pashkëve. Zëdhënësi i komunës Albion Alili për Alsat thotë se procedura zhvillohet pa përplasje.
“Pas debateve komisioni do të vlerësojë propozimet dhe biografitë e emrave të propozuar dhe do veprojë për emërtim të tyre. Realisht komisioni po punon në formën e paraparë dhe do veprohet. Nuk ka ndonjë përplasje siç plasohet në opinion, gjithëçka shkon si duhet”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Për momentin nuk ka ndonjë afat konkret se sa procedura do të zgjasë. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve