Lajme nga bota
Trump pezullon për 90 ditë ndihmat ndërkombëtare: Çfarë dihet deri më tani?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv të hënën, i cili pezullon përkohësisht të gjitha programet e ndihmës ndërkombëtare të SHBA-së për 90 ditë, derisa të shqyrtohen nëse ato janë në përputhje me objektivat e tij politike.
Ende nuk është e qartë se si do të ndikojë ky vendim te programet aktuale të SHBA-së për ndihma, pasi financimi për shumë programe tashmë është miratuar nga Kongresi amerikan dhe duhet të shpenzohet, nëse nuk është shpenzuar ende.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ambasadën e SHBA-së dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), nëse ky vendim do të ndikojë në ndonjë mënyrë në ndihmat e parapara për Kosovën, por deri më tani, nuk ka marrë përgjigje.
Në uebfaqen e USAID-it thuhet se, që nga viti 1999, mbi një miliard dollarë janë shpenzuar për zhvillimin e Kosovës.
Në tetor të vitit të kaluar, USAID-i shënoi 25-vjetorin e themelimit në Kosovë, ku ka zhvilluar programe për luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën kundër dezinformimit dhe avokimin e mediave të pavarura, forcimin e shoqërisë civile dhe demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja.
Në gusht të vitit 2024, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e nënshkroi një grant me USAID-in, i cili ofronte ndihmë shtesë për institucionet e Kosovës në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.
Granti ishte pjesë e marrëveshjes së arritur më parë në vlerë prej rreth 146 milionë dollarësh, që synonte ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët, rritjen e përgjegjësisë së institucioneve dhe menaxhimin më efikas.
Aktualisht, USAID-i në Kosovë është duke financuar një mori aktivitetesh. Ndër to janë:
ndihma mbi 12 milionë dollarëshe për mbështetjen e reformave legjislative dhe ngritjen e Gjykatës Komerciale;
ndihma 15 milionë dollarëshe për të përmirësuar gjithëpërfshirjen dhe llogaridhënien në qeverisje;
ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për të adresuar sfidat e korrupsionit dhe qeverisjes së mirë në komuna;
ndihma gati 12 milionë dollarëshe për përmirësimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe prioritizmit të nevojave të qytetarëve gjatë proceseve gjyqësore;
ndihma mbi 16 milionë dollarëshe për të promovuar konkurrencën e mirë në tregjet vendore dhe ndërkombëtare;
ndihma mbi 13 milionë dollarëshe për pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisjen lokale;
ndihma gati 12 milionë dollarëshe për të rritur kapacitetet institucionale për zhvillimin e tregut të energjisë.
Ndihmat e tilla kanë vazhduar edhe gjatë periudhës kur SHBA-ja dhe BE-ja kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për vendime që kryesisht kanë të bëjnë me jetesën e serbëve në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës, si heqja nga përdorimi e dinarit serb, shpronësimi në veri të Kosovës për ndërtimin e bazave policore, mbyllja e institucioneve paralele që funksionojnë sipas sistemit serb, etj.
Ndihmësadministratorja në Byronë për Evropë dhe Euroazi në USAID, Erin Elizabeth McKee – pjesë e administratës së ish-presidentit amerikan, Joe Bien – kishte thënë gjatë vizitës së saj në Kosovë vitin e kaluar se fokusi i USAID-it në të ardhmen do të jetë mbështetja e realizimit të reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“Kjo është një mundësi reale për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që të ecin përpara në anëtarësimin në BE dhe të jenë në gjendje jo vetëm t’i kalojnë reformat, por t’i zbatojnë ato në një mënyrë kuptimplote”, kishte thënë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Por, urdhri, ndër shumë të tjerë që Trumpi nënshkroi në ditën e tij të parë pas kthimit në detyrë, tha se “industria dhe burokracia e ndihmës ndërkombëtare nuk janë në përputhje me interesat amerikane dhe në shumë raste janë të kundërta me vlerat amerikane”.
Tutje, aty thuhet se këto ndihma “shërbejnë për të destabilizuar paqen botërore duke promovuar ide në shtetet e huaja që janë drejtpërdrejt të kundërta me marrëdhëniet harmonike dhe stabile brenda dhe midis shteteve”.
Si pasojë, Trump shpalli se “nuk do të shpërndahen më ndihma ndërkombëtare nga Shtetet e Bashkuara në një mënyrë që nuk është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara”.
Javën e kaluar, sekretari i ri amerikan i Shtetit, Marco Rubio, iu tha anëtarëve të Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit se “çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë dhe çdo politikë që ndjekim, duhet të justifikohet me përgjigjen ndaj tri pyetjeve të thjeshta”.
“A e bën Amerikën më të sigurt? A e bën Amerikën më të fuqishme? A e bën Amerikën më të pasur?”, tha ai.
Urdhri i nënshkruar nga Trumpi e lë në dorë të Rubios ose përfaqësuesit të tij për të përcaktuar se nëse një ndihmë është në përputhje me politikat apo jo, në konsultim me Zyrën e Menaxhimit dhe Buxhetit.
Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Ndihmën Ndërkombëtare janë agjencitë kryesore që mbikëqyrin ndihmën ndërkombëtare.
Trump ka kritikuar prej kohësh ndihmën ndërkombëtare, pavarësisht faktit se ndihma e tillë zakonisht përbën rreth 1 për qind të buxhetit federal, përveç rrethanave të jashtëzakonshme siç janë miliardat e armatimeve të dhëna Ukrainës.
Trump ka qenë kritik ndaj shumës së dërguar në Ukrainë për të ndihmuar në forcimin e mbrojtjes së saj kundër pushtimit të Rusisë.
Llogaritja e fundit zyrtare e ndihmës ndërkombëtare në administratën e Bidenit tregon se 68 miliardë dollarë janë angazhuar për programe jashtë shtetit që shtrihen nga ndihmat për katastrofa deri te shëndeti dhe iniciativa pro demokracisë në 204 shtete dhe rajone.
Disa nga marrësit më të mëdhenj të ndihmës amerikane, Izraeli me 3.3 miliardë dollarë në vit, Egjipti me 1.5 miliard dollarë në vit dhe Jordania me 1.7 miliard në vit besohet se do të shohin ulje dramatike në financim, pasi këto shuma janë të përfshira në pako afatgjata që datojnë nga dekada më parë dhe në disa raste janë të rregulluara nga obligime traktatesh.
Financimi për agjencitë e OKB-së, përfshirë agjencitë për ruajtjen e paqes, të drejtat e njeriut dhe refugjatët, kanë qenë tradicionalisht shënjestra për administratat republikane. Administrata e parë e Trumpit e nisi reduktimin e shpenzimeve për ndihmën ndërkombëtare, duke pezulluar pagesat për disa agjenci të OKB-së, përfshirë Fondin e Popullsisë të OKB-së dhe financimin për Autoritetin Palestinez./REL
Lajme nga bota
Tarifat e Trump “godasin” futbollin/ FIFA kërkon përjashtime fiskale për “Botërorin e Klubeve”

Politikat e reja fiskale të Donald Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rrezikojnë të prishin planet e FIFA për “Botërorin e Klubeve”.
Sipas “The Guardian”, qeveria botërore e futbollit po zhvillon tratativa komplekse me autoritetet amerikane, ndërsa deri tani nuk ka arritur të marrë përjashtime fiskale për 32 klubet pjesmarrës.
Në muajin mars, FIFA zyrtarizoi shpërblimet për finalistët që do të kapin shifrën 1 miliard dollarë. Skuadra fituese do të marrë 125-8 milion dollarë, duke e bërë “Botërorin për Klube” turneun më të pasur në historinë e futbollit.
Por pa një marrëveshje, klubet duhet të paguajë 10 milion dollarë taksa tek autoritetet fiskale amerikane, pa llogaritur këtu tarifat e vendosura për secilin vend nga ata vijnë.
Një situatë e vështirë, por gjithsesi FIFA beson se do të gjejë gjuhën e përbashkët me presidentin Donald Trump, ashtu si për “Botërorin 2026”, ku ka arritur të marrë disa lehtësira fiskale për ndeshjet që do të luhen në SHBA në lidhje me disa taksa vendore dhe shtetyërore mbi shitjen e biletave dhe të drejtën televizive.
Por koha nuk punon në favor të qeverisë botërore të futbollit. Jo më kot, vetë presidenti I FIFA, Giani Infantino ka vizituar dy herë brenda pak muajsh Shtetet e Bashkuara,m ku është takuar edhe me presidentin Donald Trump./abcnews.al
Lajme nga bota
GODASIN LEPURIN GJATË NGRITJES NË AJËR, MOTORI I AEROPLANIT ME 153 PASAGJERË PËRFSHIHET NGA ZJARRI – PILOTËT DETYROHEN TË ATERROJNË NË DENVER

Lajme nga bota
Kthehet tarifa prej 5 euro për turistët në Venecia

Tarifa e hyrjes në Venecia do të rifillojë nga e premtja, me risinë kryesore këtë vit që ata që planifikojnë vizita për një ditë do të paguajnë dyfishin, raporton The Guardian, transmeton KosovaPress.
Vitin e kaluar, si pjesë e një eksperimenti për të demoralizuar vizitorët e ditës gjatë periudhave të ngarkuara, Venecia u bë qyteti i parë turistik i madh në botë që ngarkon njerëzit për të hyrë.
Megjithëse iniciativa pati një ndikim të vogël në numrin e vizitorëve, ajo arriti të mbledhë 2.4 milionë euro për thesarin e qytetit të lagunës, shumë më tepër se sa pritej, dhe autoritetet e Venecias besojnë se do të kontribuojë në ndihmën për të luftuar turizmin masiv në qytetin që është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Tarifa e këtij viti, e cila mund të rezervohet online, mbetet 5 euro, por do të dyfishohet nëse blihen brenda tre ditëve para mbërritjes në qytet. Për më tepër, ajo është zgjeruar për t’u aplikuar në 54 data, kryesisht fundjavave, nga 18 prilli deri më 27 korrik, pothuajse dyfish i numrit të ditëve krahasuar me vitin e kaluar. Masa do të aplikohet nga ora 8:30 deri në orën 16:00, sipas orarit lokal.
Vizitorëve u jepet një kod QR, i cili duhet të prezantohet përpara stafit të angazhuar për të patrulluar pikat kryesore të hyrjes në qytet, siç është stacioni hekurudhor Venezia Santa Lucia.
Kushdo që ka rezervuar një qëndrim për natën në Venecia është i përjashtuar nga pagesa e tarifës, ashtu si turistët nga rajoni më i gjerë i Veneto-s, nga i cili vijnë shumica e vizitorëve të ditës, si dhe fëmijët nën moshën 14 vjeçare. Por, edhe nëse një vizitor ka rezervuar një dhomë hoteli, ata janë ende të detyruar të regjistrojnë praninë e tyre në faqe.
Viti i kaluar vendosi një rekord të ri për vizitorët në Venecia dhe rajonin e saj më të gjerë, me më shumë se 3.9 milionë njerëz që qëndruan për natë në qendrën historike të qytetit. Megjithatë, rreth 30 milionë njerëz vizitojnë çdo vit, shumica e të cilëve vijnë vetëm për një ditë.
Më shumë se 35,000 vizitorë të ditës kanë rezervuar tashmë një biletë, sipas faqes lokale të lajmeve, Venezia Today.
Simone Venturini, këshilltar i turizmit në Venecia, tha se, megjithëse nuk ka një “shkop magjik” për të zgjidhur një problem që ndikon shumë qytete turistike evropiane, plani i tarifës së hyrjes “përfaqëson një mjet të prekshëm dhe inovativ” për analizën e të dhënave dhe menaxhimin e flukseve të vizitorëve.
“Do të jetë një udhëtim i gjatë, por nga tani qyteti do të mund të mbështetet në të dhëna objektive, jo thjesht në vlerësime, për të kuptuar fenomenin e turizmit masiv”, tha ai. “Qëllimi ynë është të inkurajojmë turizmin cilësor – qëndrimet për natë – që respekton qytetin dhe kërkon të angazhohet me të në një nivel më të thellë, duke përqafuar karakterin dhe ritmin e tij unik”.
Një tjetër qëllim ishte “të arrihet një balancë më e mirë midis të drejtave të atyre që jetojnë në Venecia dhe atyre që dëshirojnë ta vizitojnë”, shtoi ai.
Ndërkohë, tarifa u pranua kryesisht nga turistët vitin e kaluar, por u kundërshtua ashpër nga banorët e Venecias. Shumë prej tyre besojnë se mënyra e vetme për të arritur një turizëm më të qëndrueshëm do të ishte të synohen ata që qëndrojnë për natë duke u ndaluar qiratë e pushimeve afatshkurtra dhe duke përmirësuar shërbimet për popullatën e gjithë vitit, e cila në vitin 2022 ra nën 50,000 për herë të parë. Giovanni Andrea Martini, këshilltar në Venecia nga opozita, është ndër kritikët më të dukshëm të tarifës.
“Nuk ka bërë absolutisht asnjë ndryshim”. tha ai. “Numrat në fakt janë rritur. Disa ditë të fundit, jemi mbingarkuar”.
Megjithëse nuk ka pasur protesta të reja kundër tarifës, banorët kanë kundërshtuar përpjekjet për të inkurajuar turistët të vizitojnë zona më pak të njohura të ishullit kryesor të Venecias.
“Është një masë e synuar për të reduktuar presionin turistik, por natyrisht ka provokuar zemërim te ata që jetojnë në këto zona, pasi do të prishë paqen e tyre”, tha Martini. “Po bëhet akoma më tragjike për ata që jetojnë këtu”.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve