Lajme nga vendi
10 anëtar të një grupi të organizuar kriminal akuzohen për ndërmjetësim në prostitucion dhe tregti të paligjshme të drogës
Pas përfundimit të procedurës hetimore të udhëhequr nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë policorë nga Qendra Hetimore e PNKOK-së dhe Departamenti për Krime të Organizuara dhe të Rënda të MPB-së, prokurori publik nga kjo prokurori, në Gjykatën penale Shkup ka ngritur kallëzim kundër 10 personave dhe një personi juridik, transmeton Portalb.mk.
Shtatë të pandehur si anëtarë të shoqatës kriminale kanë kryer veprën e Ndërmjetësimit në ushtrimin e prostitucionit, nga të cilët katër akuzohen edhe për veprën e pastrimit të parave dhe produkteve të tjera nga vepër penale, për të cilën akuzohet edhe personi juridik. Dy anëtarët e tjerë të grupit akuzohen për prodhim dhe vendosje të paautorizuar në treg të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve, ndërsa punonjësi i policisë, përveç bashkimit kriminal, akuzohet edhe për veprën e zbulimit të sekretit zyrtar.
Grupi i organizuar është krijuar nga i dyshuari i parë, i cili ka organizuar dhe koordinuar aktivitetet kriminale të anëtarëve të tjerë të grupit, i cili në periudhën kohore nga viti 2020 deri në tetor 2024 është angazhuar në ndërmjetësim në kryerjen e prostitucionit dhe tregtisë së paligjshme të drogës, ndërsa disa të akuzuar i kanë fshehur të ardhurat e fituara në mënyrë të paligjshme nga këto krime. Anëtarë të grupit kriminal ishin edhe dy zyrtarë – një polic i burgjeve dhe një zyrtar policor.
Gjatë procedurës hetimore, tre nga të dyshuarit kanë pranuar se kanë kryer krime dhe janë pajtuar me prokurorinë. Në bazë të marrëveshjes së pranimit të fajësisë së dy personave për veprat penale të bashkimit kriminal dhe prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve, atyre u janë shqiptuar burgim përkatësisht 2 vjet e 3 muaj dhe 1 vit e 8 muaj, ndërsa zyrtari u dënua me 1 vit e 8 muaj burg për veprat e bashkimit kriminal dhe Zbulimi i një sekreti zyrtar. Për të dyshuarin që është i pakapshëm për organet e rendit, procedura pezullohet deri në gjetjen e tij.
Në procedurë janë përcaktuar masa ndaj paluajtshmërive të vlefshme në Tetovë dhe Gostivar, pasuri e luajtshme me vlerë – automjete, bizhuteri dhe ora me vlerë të konsiderueshme, si dhe para të gatshme dhe sende të tjera që vijnë nga dhe janë produkte të krimit.
Duke marrë parasysh rrethanat, lidhjen e të akuzuarve dhe krimet me të cilat ngarkohen, prokurori publik vlerëson se për momentin masa e paraburgimit është e vetmja që mund të sigurojë praninë e të akuzuarve dhe mbarëvajtjen e procedurës, ndaj i propozoi gjykatës zgjatjen e saj për secilin prej tyre.
Lajme nga vendi
Gjykata i kthen për rishqyrtim 12 nisma të Inspektoratit për zbatimin e gjuhëve
Gjykatës të Gjykatës Penale të Shkupit nga Njësiti për Kundërvajtje i kanë kthyer në rishqyrtim 12 iniciativat e para të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhës, i cili kërkon gjobitjen e institucioneve dhe zyrtarëve shtetërorë që nuk e respektojnë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Inspektorati, iniciativat i ka dorëzuar në janar të vitit 2024, pasi ka konstatuar mosrespektim të dispozitave ligjore, ndërkaq pas një viti subjektet janë përballur me përfaqësuesit e Inspektoratit para gjykatës. Sipas burimeve të Alsat, gjykatësit kanë rikthyer në shqyrtim lëndët e Inspektoratit nën arsyetimin se ka parregullsive teknike, të cilat duhet të korrigjohen.
Sipas procedurës, gjykatësit e lëndëve, duhet që të dorëzojnë sërish kërkesë zyrtare tek Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve të cilët me iniciativat e korrigjuara duhet sërish të shkojnë në gjykatë për t’i mbrojtur lëndët, në të cilat kërkohet gjobitja e shkelësve të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Pas ballafaqimit të serishëm, palët sërish kanë të drejtë ankese.
Inspektorati, siç mësohet se në mungesë të mjeteve financiare, në gjykatë madje nuk ka as përfaqësues ligjor, gjegjësisht avokat. Edhe pse nuk janë kompetentë, inspektorët “veshin petkun” e avokatit dhe detyrohen që vetë t’i mbrojnë lëndët kundër shkelësve, të cilët për ironi shpesh përfaqësohen nga avokatët.
Për çudi, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve është i vetmi inspektorat në shtet që nuk mund t’i gjobisë subjektet që nuk e respektojnë ligjin. Inspektorët, kanë të drejtë vetëm të japin vërejtje nëse një institucion apo zyrtar nuk e respekton Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Nëse të njëjtit nuk i përmirësojnë lëshimet e konstatuara, atëherë Inspektorati ngre iniciativë para Gjykatës Penale në Njësitin për Kundërvajtje. Me një fjalë, në mungesë të fuqisë ligjore për të gjobitur, Inspektorati detyrohet që ta bind gjykatësin me prova që t’i gjobisë shkelësit. Nga Inspektorati paraprakisht ka pasur iniciativë për ta ndryshuar Ligjin për Inspektoratin, megjithatë i njëjti është bllokuar në Kuvend prej vitit 2022.
Megjithatë, që nga miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në vitin 2019, nuk është gjobitur asnjë institucion dhe funksionar për mosrespektim të gjuhës shqipe, pavarësisht se ky ligj ka niveli të lartë të moszbatimit, gjegjësisht shkeljes nga ana e zyrtarëve dhe institucioneve shtetërore. Kjo, dëshmohet pikërisht me raportet e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve. Prej qershorit të vitit 2021 deri në qershorin e vitit 2024, inspektorët e këtij inspektorati kanë kryer gjithsej rreth 360 inspektime. Prej tyre, madje në 246 inspektime apo në 70% të rasteve është konstatuar parregullsi, respektivisht mosrespektim të gjuhës shqipe nga ana e institucioneve.(Alsat.M)
Lajme nga vendi
ASh e Selës i bën thirrje Antikorrupsionit që të hetojë: Kush i mbulon shpenzimet e funksionarëve që marrin pjesë në inaugurimin e Trumpit?
Aleanca për Shqiptarët me kryetar Ziadin Selën, pjesës e koalicionit opozitar Fronti Europian ka dalë me një thirrje publike deri te Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni) që të hetojë procesin e marrjes pjesë të funksionarëve të Maqedonisë së Veriut në inaugurimin e presidentit të ShBA-ve, Donald Trump, transmeton TV21.
Nga ASh e Selës kërkojnë që Antikorrupsioni të hetojë se kush i mbulon shpenzimet e blerjes së biletave, transportit dhe qëndrimit të funksionarëve në ShBA.
Komunikata e plotë e ASh-së:
Thirrje për Antikorrupsionin: Hetim për transparencën e udhëtimeve në inaugurimin e Trump
I bëjmë thirrje Komisionit Antikorrupsion që të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të hetuar dhe zbardhur transparencën e plotë të udhëtimeve të liderëve të qeverisë dhe shtetit në inaugurimin e presidentit amerikan Donald Trump. Në veçanti, kërkojmë përgjigje për këto çështje:
- Kush ka paguar biletat për të marrë pjesë në këtë ngjarje?
- Kush i mbulon shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit në SHBA?
- A janë përdorur fonde publike për këto shpenzime dhe në çfarë baze janë justifikuar ato?
Kjo garë mes përfaqësuesve të qeverisë dhe institucioneve për të udhëtuar në SHBA dhe për të dëshmuar një “imazh perëndimor”, ndërkohë që Maqedonia mbetet e bllokuar në proceset integruese, është një hipokrizi e papranueshme. Në këtë situatë të brishtë, një agjendë e dyshimtë e cila promovon interesa personale dhe politike, dëmton seriozisht imazhin e shtetit dhe besimin e qytetarëve.
I bëjmë thirrje Komisionit Antikorrupsion të zbatojë mandatin e tij për të siguruar që këto shpenzime të jenë në përputhje me ligjin dhe të jenë në interes të qytetarëve dhe jo të grupeve të caktuara politike. Transparenca dhe llogaridhënia janë kyçe për të ruajtur integritetin e institucioneve tona.
Nevojiten veprime, jo fjalë!
Lajme nga vendi
Arrestohet Rade Trajkovski Shteklli
Është arrestuar Rade Trajkovski Shteklli, i cili dyshohet për tregti me drogë – mëson TV21 nga burime brenda policisë së Maqedonisë.
Ai ka udhëhequr grupin e mbi dhjetëra anëtarëve të cilët merreshin me mjete narkotike.
MPB dhe Biroja për siguri publike janë në kërkim të arrestimit të gjithë grupit të tij.
Shteklli, siç bëjnë të ditura burimet e njëjta është arrestuar teksa përpiqej të arratiset, në afërsi të një hoteli në rrethinë të Gjevgjelisë.
Në lidhje me këtë aksion të policisë, një polici i është konfiskuar celulari pasi dyshohet se ka dhënë informacione që lidhet me grupet “Baron”, “Bellanoca”, “Gërçec” dhe Shtekllin.
Ai ka qenë i përfshirë edhe në disa përleshje mes narko-grupeve në Shkup dhe ndaj tij disa herë u bë atentat.
Ky aksion i MPB vjen pas shkatërrimit të grupit të Haraçinës – Bellanoca./TV21
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve