Lajme nga vendi
Hapet thirrja publike për dhënien e mbështetjes financiare për destinacione të reja
Ministri i Transportit njoftoi se është hapur thirrja publike për paraqitjen e kërkesës për dhënien e mbështetjes financiare për futjen e një destinacioni të ri nga aeroportet në vend. Mbështetja financiare ndahet për periudhën nga 1 janari i vitit 2025 deri më 31 dhjetor të vitit 2027.
Dhuruesi i ndihmës financiare është Qeveria, e cila miratoi Programin për përcaktimin e fondeve të nevojshme për ndarjen e ndihmave financiare për nxitjen dhe zhvillimin e trafikut ajror në vend të transportuesve vendas dhe të huaj për periudhën 2025-2027.
Ndihma financiare për cdo destinacion të ri përcaktohet në shumën nga: 9 euro për udhëtarë në kthim në kundërvlerë të denarit me kursin e mesëm të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në ditën e përpilimit të kërkesës për pagesë, për udhëtarë të tranportuar deri te Aeroportet Ndërkombëtare Shkup dhe 12 euro për udhëtarë në kthim në kundërvlerë të denarit me kursin e mesëm për udhëtarët e transportuar në aeroportin “Shën Apostull Pali” në Ohër.
Fondet e mbetura pas thirrjes së parë për mbështetje financiare, të cilat përcaktohen me vite dhe nuk transferohen janë në shifrën prej: 81.613.245,00 denarë (1,327,045 euro) për vitin 2025, 62,144.371,00 denarë (1,010,478 euro) për vitin 2026 dhe 63.255.968,00 denarë (1,028,552 euro) për vitin 2027.
“Transportuesi ajror, të cilës i miratohet kërkesa për mbështetje financiare ka nevojë për çdo destinacion të ri të futur nga/deri në “Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit” dhe aeroportin “Shën Apostul Pali” – Ohër, ta shërbejë të paktën dy herë në javë, sipas një plani fluturimi të paracaktuar për periudhën për të cilën është dhënë mbështetja financiare, të specifikuara në kërkesën e paraqitur, me përjashtim të javës në të cilën bie Viti i Ri dhe festat fetare të Krishtlindjeve Katolike dhe Ortodokse”, thuhet në thirrjen publike.
Lajme nga vendi
Bexheti: Ligji për shkollim të mesëm u tërhoq falë reagimit të popullit
Deputeti i Frontit Evropian, Blerim Bexheti, ka deklaruar se propozim ligji për shkollim të mesëm është tërhequr falë reagimit të popullit dhe jo nga dëshira e qeveritarëve.
“Propozimi për ligjin për shkollim të mesëm nuk u tërhoq nga dëshira e qeveritarëve pa legjitimitet etnik por u tërhoq falë reagimit të fuqishëm të popullit!
Ky është një shembull i qartë i asaj se çfarë mund të arrihet kur zëri i qytetarëve dëgjohet në Kuvend dhe kur ne qëndrojmë të bashkuar për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona.
Maqedonia e Veriut është shtet multietnik, respekti i ndërsjellë dhe barazia midis shqiptarëve dhe maqedonasve janë gurëthemeli për stabilitet, siguri dhe një të ardhme të qëndrueshme.
Cënimi i Marrëveshjes së Ohrit nga Qeveria është i papranueshëm!”, ka shkruar Bexheti.
Lajme nga vendi
VLEN: Stopuam ligjin për arsim të mesëm
Pas parashtrimit te amandamenteve nga ana e koalicionit VLEN, qeveria e tërhoqi ligjin për arsim të mesëm.
“U dëshmua edhe njëherë se faktori kyç që është garantuese e interesave shqiptare është vetëm VLEN.
Ne vepruam ashtu si na ka hije. Pa zë dhe pa zhurmë. Në lexim të parë dhamë porosinë duke mos e votuar aspak, ndërsa kur duhej parashtruam amandamente. Si rezultat kemi tërheqjen e ligjit nga ana e qeverisë.
Intonimi shtetëror nuk do të bëhet në shkollat e vendit, por në Veles po, sepse BDI ka votuar pro intonimit të himnit maqedonas në atë komunë.
VLEN është garanca se nuk do të kalojnë ligje të njëanshme sikur që ka ndodhur me BDI-në në të kaluarën”, thuhet ne reagimin e koalicionit VLEN.
Lajme nga vendi
Kryetari i Kuvendit të Turqisë të hënën vizitë në Tetovë, do të ketë regjim të veçantë në komunikacion
Me datë 23 dhjetor (e hënë) në Tetovë, me rastin e qëndrimit të delegacionit zyrtar të kryesuar nga Kryetari i Kuvendit të Madh të Republikës së Turqisë, Sektori i Punëve të Brendshme Tetovës do të vendosë regjim të veçantë të qarkullimit në zonën qendrore të qytetit në periudhën prej orës 05:00 të mëngjesit deri në përfundim të vizitës zyrtare.
Gjatë kësaj periudhe do të ndalohet parkimi i automjeteve nga kryqëzimi i Bërvenicës deri te Universiteti i Tetovës, pastaj në bulevardin e “Ilindenit” nga kryqëzimi me rrugën “Kthesa e Bërvenicës” deri tek Xhamija e Larme, përgjatë rrugës “Kiro Ristoski – Drnc”, rrugën e “Lubotenit” deri tek Arabati Baba Teqe, pastaj rruga “Gjorçe Petrov” dhe “Vëllezërit Miladinovi”.
“SPB Tetovë apelon që qytetarët të hënën (23 dhjetor) të mos drejtojnë automjete në zonën qendrore pa nevojë më të madhe dhe imediate dhe të respektojnë dhe veprojnë sipas urdhrave dhe udhëzimeve të zyrtarëve policorë”, thonë nga SPB Tetovë.
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve