Lajme nga rajoni
Studentët nga Afrika dhe Azia në Gjirokastër mbushin auditorët e mbetura bosh, pritet vendim nga Ministria

Universiteti “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, është përballur këtë vit të ri akademik me një rritje masive aplikimesh, nga studentë nga Afrika Veriore dhe Azia.
Gazetari Rigels Malile, bëri të ditur se shumica e tyre janë nga Egjipti, Bangladeshi, India, Algjeria e vende të tjera.
Sipas tij, qëllimi i tyre mbetet pajisja me lejeqëndrimi për të kaluar më pas në Europë.
“Fenomeni që vihet re, sipas rektorit Jaho Canaj është aplikimi në mënyrë masive i të rinjve nga vendet e treta Egjipti, Bangladeshi, India, Algjeria e vende të tjera. Kjo nuk është thjesht një dëshirë për të studiuar, por mbetet në kuadër të përfitimit të dokumentacionit për të ardhur në Shqipëri dhe për të kaluar më pas në Europë”.
Bazuar në deklaratat e rektorit të këtij Universiteti, gazetari raportoi se ende nuk ka një kuadër ligjor për pranimin e tyre dhe një pjesë janë në listë pritje, deri sa të merret një vendim nga Ministria e Arsimit.
“Shqipëria nuk ka një kuadër ligjor për të pranuar studentë nga vende të huaja, përpos bashkëpunimeve me universitete dhe në këtë prizëm universiteti “Eqerem Çabej” nuk ka pranuar studentë që aplikojnë në faqen zyrtare, por po bashkëpunon me Ministrinë e Arsimit për të vendosur një kuadër ligjor dhe të vendosen disa kritere se cilët studentë mund të pranohen dhe cilët jo, sepse kërkesat masive mbeten për t’ u pajisur me lejeqëndrimi këtu. Deri tani nuk ka studentë të pranuar, ka studentë që janë lënë në pritje, por është në varësi të vendimit që do të merret nga ministria e Arsimit”, raportoi gazetari.
Studentët e huaj në Gjirokastër, janë të pranishëm prej disa vitesh falë bashkëpunimeve Erasmus mes universitetit “Eqerem Çabej dhe Universiteteve të tjera, kryesisht spanjolle dhe italiane.
Në Gjirokastër, ka edhe studentë nga Lugina e Preshevës.
Gjithashtu, gazetari thekson se studentët nga vendet e huaja, kërkojnë më shumë turizmin dhe degë që kanë të bëjnë me historinë.
Aktualisht, nuk ka asnjë degë të mbyllur në Gjirokastër, regjistrimet vazhdojnë. Por problematika mbetet e njëjtë se degët e mësuesisë janë të gjitha të rrezikuara.
Ka degë me një ose dy studentë dhe presin plotësimin në faza të tjera.
Ndërkohë, ka 800 studentë të huaj që studiojnë në një universitet në Tiranë, 50% e të cilëve janë për mjekësi. Pedagogu Klodian Muço, flet për rritje të kërkesave të të huajve për të studiuar në Shqipëri.
“Numër shumë i lartë kërkesash të studentëve të huaj. Këtë vit ka qenë një konkurrencë e ashpër për të zgjedhur ata 150 vetë që marrim çdo vit nga Italia në vit të parë. Janë mbi 800 italianë. Ka edhe studentë të tjerë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Mal i zi e të tjerë. Te Mjekësia zënë 50% në rang universitar zënë mbi 1/3”./ A2 TV
Lajme nga rajoni
BE: Është thelbësore për Kosovën ta formojë shpejt Qeverinë e re

Bashkimi Evropian ka thënë se është thelbësore për Kosovën ta formojë sa më shpejt Qeverinë e re, pasi vendi ka ngecur në përpjekje për formimin e institucioneve të reja më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare.
Ajo tha se BE-ja është e gatshme për të punuar ngushtë me qeverinë e ardhshme, sapo të formohet ajo, dhe për të vazhduar mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit evropian.
Kosova dështoi ta konstituojë Kuvendin e ri dy herë brenda kësaj jave, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive politike që siguruan ulëse në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) këmbëngulin që anëtarët e Qeverisë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje, përndryshe nuk do ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve, hap që duhet të kalohet për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Por, kreu i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thekson se një akt i tillë formal është i panevojshëm, për shkak se ekzekutivi është në detyrë, apo dorëheqje që nga 23 marsi.
Të enjten, ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në Prishtinë u bënë thirrje partive politike të bashkëpunojnë për tejkalimin e pengesave për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Nuk është e qartë nëse mosmarrëveshjet mes partive parlamentare do të zgjidhet para mbajtjes së vazhdimit të seancës së ndërprerë të enjten, e caktuar për të shtunën e 19 prillit.
PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton “të blejë kohë për pazare politike”, pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Por, asaj i nevojiten të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.
Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.
AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.
Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka qenë i vetmi që e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me Kurtin nga partitë tjera shqiptare.
Kurti i kishte takuar javën e kaluar edhe liderët e 10 partive të pakicave joserbe në përpjekje për t’i siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re, por nuk është e qartë ende nëse e ka mbështetjen e të gjitha atyre.
Lajme nga rajoni
Në Lundër të Tiranës, donin të vrisnin gruan e Roan Brahimit/ Policia: Makina me targa të ngjashme, autorët ngatërruan objektivin

TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur për atentatin e mbrëmjes së të enjtes në Lundër të Tiranës, ku katër persona mbetën të plagosur.
Paraprakisht, ka dyshime të forta se ky rast ka fije lidhëse me atentatin e Lezhës ku u vra me breshëri plumbash Gjovalin Prendi, babi i Roan Brahimit, edhe ky i vrarë në Greqi dhe i njohur si rival i Ervis Martinajt.
Burime sqarojnë se gruaja e Roan Brahimit, babai i të cilit u vra pasditen e djeshme në Pllanë të Lezhës përdor makinë të ngjashme me atë të 4 personave të plagosur në Lundër mbrëmjen e djeshme, vetëm pak orë pas ngjarjes në Lezhë.
Mësohet se gruaja e Brahimit ka edhe shtëpinë afër me familjen Demiraj.
Burime thonë se ka dyshime të forta që shënjestër e sulmit të ketë qenë gruaja e Roanit dhe 4 të plagosurit të jenë qëlluar gabimisht.
Të plagosur në atentatin në Lundër mbetën Arenc Sefa 34 vjeç, Klan Mullahi 19 vjeç, dhe dy të miturit B.D., 11 vjeç dhe M.D., 17 vjeç.
Lajme nga rajoni
Avokatja ndan detaje tronditëse nga rasti i “foshnjës në lavatriçe”

Gjinekologu dhe mamia të akuzuar për rastin e “Foshnjës në lavatriçe” janë deklaruar të pafajshëm.
Avokatja Saranda Keqekolli-Sadiku, ka folur në Edicionin Special të Klan Kosovës rreth këtij rasti.
“Sot është mbajtur shqyrtimi fillestar pas ngritjes së akuzës dhe të pandehurit sot janë deklaruar për fajësinë e tyre ku që të dy nuk e kanë pranuar fajësinë. Tash, sipas procedurave të ligjit, të njëjtit do ta ushtrojnë sipas udhëzimeve të gjykatës, kundërshtimin e akuzës dhe provave”, ka treguar Keqekolli-Sadiku.
“Mamia ka qenë e obliguar që frytin e sapolindur ta vendosë në frigoriferët ku vendosen placentat mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur, do të thotë, nuk është mbështjellë, nuk është sanu fryti në vendin siç është e paraparë me etikë dhe rregulloren, me protokollet e të ministrisë së Shëndetësisë për shkak të kësaj neglizhence kemi ardhë deri te ky rast”.
“Foshnja është marrë dhe bashkë me qarqaf është futur në lavatriçe dhe vetëm kur kanë ardhë me e marrë kufomën prindërit, familjarët, atëherë kur s’është gjetur askund fryti, kanë arritë me e gjetë në lavatriçe me qarqaf”.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve