Lajme nga vendi
Bunçeski: Spitalin e Strugës udhëheqësia e re e ka trashëguar me borxh prej dy milionë euro
Borxh prej 2 milionë eurosh dhe xhirollogari të bllokuar ka trashëguar udhëheqja e re e Spitalit të Përgjithshëm të Strugës. Drejtori Vlladimir Bunçeski thotë se kanë gjetur situatë të rëndë. Po ndërmerren masa për zhbllokimin e llogarisë, përmes marrëveshjeve me kreditorët për riprogramimin e borxheve, por duhet kohë për t’i zgjidhur. Ajo që është më shqetësuese është fakti se borxhet nuk janë shlyer prej vitesh.
“Fillimisht faturat më të vjetra për pagesë duhet të paguhen ekskluzivisht me faturë dhe jo paushall. Ka fatura të papaguara që nga viti 2019, 2020. Si ka funksionuar? Ka fonde të caktuara që vijnë nga Fondi i Shëndetësisë dhe që nuk janë objekt bllokimi për të paguar rroga dhe kontribute. Dhe ajo që do të mbetet nga ato fonde përdoret për të paguar principalet dhe fonde të tjera nga pjesëmarrjet dhe nga kontributet nga aktivitetet tona”, deklaroi Vlladimir Bunçeski – Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Strugës.
I pyetur nëse do të kërkojë përgjegjësi, Bunçeski thotë se për këtë ka organe kompetente.
“Nuk jam unë ai që duhet të vlerësoj nëse kanë punuar si duhet dhe në mënyrë korrekte. Mua më intereson që nga dita që e mora spitalin e andej të mos ketë lëshime, gjë që duket se ka ndodhur më parë. Në ato dy milionë euro, një pjesë e madhe bie mbi kamatat e llogarive të vjetërsuara dhe pagesa e avokatëve dhe përmbaruesve”, tha Vlladimir Bunçeski – Drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Strugës.
Nga spitali morën premtim nga Ministria e Shëndetësisë se do të marrin ndihmë financiare, për rimëkëmbje më të shpejtë. Në spitalin e Strugës, pacientët nga i gjithë rajoni jugperëndimor trajtohen kryesisht në repartin e pediatrisë, si dhe në atë kirurgjik. Kuadrot e BDI-së për vite me radhë kanë qenë në krye të spitalit të Strugës. Bunçeski thotë se personat janë punësuar edhe aty ku kanë pasur nevojë, edhe aty ku nuk kanë pasur nevojë, numri i tyre për momentin është 48.
Lajme nga vendi
Në UT u mbajt ligjëratë për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Fakulteti Juridik i Universitetit të Tetovës në bashkëpunim me Këndin Amerikan në Tetovë si dhe Ambasadën Amerikane në vendin tonë, sot organizuan një ligjëratë profesionale për zgjedhjet presidenciale në Amerikë me Kelly R. McCaleb, nënpunëse politike në Ambasadën Amerikane në Maqedoninë e Veriut.
Fillimisht në emër të dekanatit, të pranishmëve iu drejtua Prof. Dr. Ali Musliu i cili e vlerësoi këtë aktivitet si të rëndësishëm për studentët sepse nëpërmjet kësaj ligjërate kanë mundësinë të njihen për së afërmi me procesin zgjedhor në SHBA.
Ndërsa Kelly R. McCaleb gjatë ligjëratës së saj foli për atë se si po zhvillohet fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale në SHBA duke komentuar edhe statistikat për sa i përket përqindjes së daljes në votime në bazë të moshës, gjinisë, racës e kështu me radhë. Ajo tha po ashtu se duhet parë mënyra se si t’i inkurajojnë të rinjtë të dalin në numër më të madh në votime, sepse duke parë nga statistikat e zgjedhjeve paraprake ky numër nuk është i lartë.
Kjo ligjëratë u ndoq me shumë kuriozitet nga studentët të cilët parashtruan pyetje të shumta lidhur me temën e cila u ligjërua.
Lajme nga vendi
Pisonero: Forcat politike në Maqedoninë e Veriut duhet të bëjnë një hap përpara me ndryshimet kushtetuese
Vazhdimi i procesit të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut varet nga ndryshimet kushtetuese që vendi është zotuar t’i zbatojë, tha sot zëdhënësja e Komisionit Evropian për Politikë të Fqinjësisë, Zgjerim dhe Partneritet Ndërkombëtar, Ana Pisonero.
“U bëjë thirrje të gjitha forcave politike që së bashku të bëjnë këtë hap të rëndësishëm përpara”, tha Pisonero.
Ajo kujtoi se kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, javën e kaluar vizitoi vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shkupin, ku theksoi qartë qëllimin që vendi të fillojë negociatat për grupin “Vlerat Themelore” sa më shpejt që të jetë e mundur.
Lidhur me “ribashkimin” e mundshëm të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rrugën evropiane, Pisonero thekson se zgjerimi është një proces individual i bazuar në merita dhe varet nga progresi objektiv i secilit prej vendeve partnere të BE-së.
Lajme nga vendi
Konfirmohet rasti i dytë i gripit të shpezëve në Maqedoni
Me rezultate laboratorike nga Instituti kombëtar për ushqim dhe veterinari pranë Fakultetit për mjekësi veterinere – Shkup (FMV) nga data 28:10.2024, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV), ka konfirmuar rats të ri të sëmundjes influenca aviare, ndryshe e njohur si H5N1 (gripi i shpendëve) tek një zog i egër i ngordhur – patë, në kompleksin rezidencial Shën Jovani në fshatin Zllokuqan të Shkupit.
Siç njoftuan sot nga AUV, është kryer testim laboratorik i dy shpendëve të gjallë (mjellma), tek të cilat nuk është vërtetuar prani e virusit. Sot ndërmerren masa për kapjen e shendëve tjera në kompleks, tek të cilat do të kryhen testime laboratorike për vërtetimin e pranisë së sëmundjes.
“AUV ka marrë vendim për shpalljen e sëmundjes dhe urdhëroi zbatimin e masave mbrojtëse dhe kontrolluese, me qëllim parandalimin e përhapjes dhe shtypjes së kësaj zoonoze – vrasjen dhe asgjësimin e padëmshëm të shpendëve të egër të gjetur në vend, me përjashtim të shpendëve që mbahen në një hapësirë të mbyllur dhe nga të cilat janë marrë mostrat për testim laboratorik për të përcaktuar praninë e gripit të shpendëve, urdhërohet dezinfektimi i fermës, ndalohet lëvizja e shpendëve të tjerë brenda dhe jashtë fermës pa miratimin e një veterineri zyrtar”, thuhet në njoftim.
Krahas këtyre masave, urdhërohet edhe mbyllja e shpendëve/zogjve në mjediset e tyre të shumimit, marrja e mostrave nga shpendët e ngordhur për të përcaktuar praninë e virusit, ndalimi i mbajtjes së panaireve, ekspozitave, tregjeve dhe tubimeve të tjera të shpendëve apo shpendëve nga zona epizootologjike të specifikuar.
Është i detyrueshëm raportimi i ndryshimeve në gjendjen shëndetësore dhe rritja e vdekshmërisë së shpendëve të egër tek veterineri zyrtar kompetent, si dhe aplikimi i masave të biosigurisë gjatë zbatimit të të gjitha aktiviteteve në fermë.
Sqarohet se sëmundja përhapet më së shumti përmes shpendëve shtegtarë të cilët konsiderohen si rezervuari i saj. Bëhet fjalë për një zoonozë që prek kryesisht shpendët, por edhe njerëzit, prandaj AUV apelon për vigjilencë dhe marrjen e masave mbrojtëse për kategoritë e personave në rrezik (kontakti i ngushtë me shpendët e infektuar ose në mjedise shumë të kontaminuara).
-
Lajme nga vendi2 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi2 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve