Lajme nga vendi
Borxhi publik rreth 9 miliardë euro!

Borxhi publik i Maqedonisë do të rritet edhe më tej. Javën e kaluar, Ministria e Financave njoftoi se është përgatitur një Strategji e re Fiskale e Shtetit për periudhën 2025-2029. Nga informacionet e disponueshme thuhet se pritshmëritë e autoriteteve janë që borxhi publik me nivelin prej 66.4 për qind deri në vitin e ri do të ulet në periudhën në vijim. Duke marrë parasysh se Prodhimi i Brendshëm në vitin 2023 ishte 13 miliardë euro, kjo i bie që borxhi do të jetë 8 miliardë e 632 milionë euro, apo afër 9 miliardë euro. Lufta kundër ekonomisë gri dhe rritja e arkëtimit të fondeve buxhetore, pra mbushja e arkës së shtetit, renditen si prioritete të shtetit. “Në vitin 2024 do të arrijë përfundimisht një nivel prej 66.4% dhe në vitet në vijim do të ulet gradualisht si rezultat i konsolidimit gradual fiskal dhe në vitin 2029 do të jetë nën kufirin e përcaktuar prej 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”, theksohet në strategjinë fiskale.
“Gjithashtu, për të ulur rrezikun e shumës së garancive të lëshuara, përcaktohet një kufi i garancive të lëshuara dhe theksi vihet në projektet që janë të vetëqëndrueshme dhe gjenerojnë të ardhura, mbështesin rritjen ekonomike dhe mundësojnë konkurrencë më të madhe të ekonomisë vendase në suaza afatmesme”, thonë nga Ministria e Financave.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Koçovska pohon se qeveria ka plan për konsolidimin financiar të financave publike dhe zvogëlimin e deficitit buxhetor.
“Qëllimi i politikës fiskale është përmirësimi i stabilitetit makroekonomik dhe mbështetja e aktivitetit ekonomik. Kjo do të arrihet përmes konsolidimit gradual fiskal, përmirësimit të menaxhimit të financave publike dhe mbajtjes së një niveli të lartë të shpenzimeve kapitale. Në të njëjtën kohë, do të vazhdojmë mbështetjen e ekonomisë me investime në projekte infrastrukturore, duke ridizenjuar strukturën e financave publike, e cila do të dominohet nga një nivel i lartë i shpenzimeve kapitale, si dhe forcimin e transparencës dhe llogaridhënies”, shton ajo.
Nga ana tjetër, shteti duhet të kthejë gati tre miliardë euro apo 2.87 miliardë euro në tre vitet e ardhshme, për të shlyer borxhin e marrë në emër të katër eurobondeve. “Politika fiskale nëpërmjet financimit të deficitit buxhetor ka një ndikim të rëndësishëm në nivelin dhe qëndrueshmërinë e borxhit publik. Gjendja e borxhit publik më 31.12.2023 e shprehur në përqindje është 58,26 për qind e PBB-së, e llogaritur sipas parashikimeve të PBB-së të Ministrisë së Financave, ndërsa sipas të dhënave të publikuara për PBB-në e Entit Shtetëror të Statistikave në mars 2024 për tremujorin e katërt të vitit 2023, llogaritja e borxhit publik të shprehur në përqindje është 62.01 për qind e PBB-së. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në ueb faqen e Ministrisë së Finançave për tremujorin e parë të vitit 2024, gjendja e borxhit publik me datën 31.12.2023 e shprehur në përqindje është 62.1 për qind e PBB-së”, theksojnë nga Revizori i Shtetit.
Në periudhën 2025-2028 do të maturohen eurobonot e emetuara, gjë që mund të krijojë pasiguri në efiçencën e shërbimit të borxhit për shkak të rritjes së nevojave financuese të shtetit, thuhet në analizën e Entit të Revizionit apo Auditimit.
Në vitin 2025 duhet të kthehet borxhi prej 500 milion euro me afër 97 milion euro kamata, në vitin 2026 do të kthehen 700 milion euro nga viti 2020 me 154 milion euro kamata, në vitin 2028 do të kthehen 700 milion euro të tjera nga viti 2021 me afër 80 milion euro kamata, dhe në vitin 2027 do të kthehen 500 milion euro me 140 milion euro kamatë nga viti 2023. Revizioni më tej thekson se Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk tregon nevojat reale bruto për financimin e shtetit, gjë që çon në zvogëlimin e transparencës dhe paraqitjen jo të plotë të të hyrave dhe shpenzimeve në buxhet.
Auditimi thekson se megjithëse nuk janë tejkaluar ende rregullat fiskale të përcaktuara me Ligjin e Buxhetit, niveli aktual i borxhit publik që i referohet borxhit prej afër 59 për qind si pjesë e PBB-së kërkon menaxhim të kujdesshëm të financave publike në të ardhmen përmes një niveli të qëndrueshëm të borxhit publik dhe një politike fiskale me një nivel të duhur të deficitit buxhetor.
Për të përmirësuar dhe avancuar procesin e shërbimit të borxhit publik, auditimi rekomandoi disa masa që përfshijnë analizën e kuadrit institucional për menaxhimin e borxhit publik për uljen e rrezikut operacional, paraqitjen e saktë të nevojave financiare në Buxhet, aplikimin e analizës së qëndrueshmërisë së borxhit gjatë krijimit të politikës fiskale, duke përcaktuar një metodologji të qartë për llogaritjen dhe analizën e borxhit për paraqitjen e detyrimeve afatgjata dhe afatshkurtra të interesit.
Në planin afatmesëm, politika fiskale parashikon një konsolidim fiskal me faza, ndërkohë që deficiti buxhetor reduktohet në përqindje të PBB-së. Pra, do të merren masa konsoliduese fiskale për të arritur një nivel të moderuar të borxhit.
Ndryshe, borxhi publik sipas definicionit paraqet deficitin e akumuluar buxhetor, ose gjendjen kur harxhimet publike të shtetit në nivel lokal dhe qendror , janë më të larta se të ardhurat shtetërore. Gjithashtu sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, shtetet me borxh publik deri në 40 për qind vlerësohen me borxh të ulët, ato me 40 deri 60 për qind të borxhit publik si pjesë e PBB-së si shtete me borxhe të matura, ndërsa shtetet me borxh më të lartë se 60 për qind e PBB-së si shtete me borxhe të larta. (koha.mk)
Lajme nga vendi
Taravari konfirmon bisedën telefonike me Ahmetin

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili është larguar nga koalicioni VLEN pasi vendosi të shkojë në zgjedhje lokale ndaras, ka pranuar se ka realizuar bisedë me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Në një intervistë për Lajm ai thotë se takim nuk ka pasur, por është dëgjuar me të në telefon.
Takim me Ali Ahmetin a keni pasur apo prisni të keni?
“Jo, jo, jo. Ka pasur një bisedë telefonike dhe ajo është…”, deklaroi Arven Taravari, kryetar i ASH.
Televizioni Alsat që në fillim të muajit prill raportoi për një bisedë telefonike 40 minutëshe mes Taravarit dhe Ahmetit, e cila sipas burimeve tona ka bërë që Taravari të lëkundet në bindjet, që deri dje i mbronte me aq fanatizëm ndaj BDI-së. Disa herë, Taravari përmendi që partia e tij ka kanale komunikimi me BDI-në, por edhe sinjale për bashkëpunim në zgjedhjet lokale. Madje, duke relativizuar se edhe partitë tjera të VLEN-it kanë kontakte. Ndaj kësaj, mori përgjigje të ashpër nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje se nuk kanë asnjë arsye për të komunikuar me një parti të korruptuar, funksionarët e të cilës janë në lista të zeza.
Biseda telefonike është realizuar pikërisht në kohën kur Aleanca për Shqiptarët do të duhej të vendoste për mënyrën e garimit në zgjedhjet lokale, për çka Taravari disa herë përsëriti se ekzistojnë dy opsione për të garuar në zgjedhje. I pari, të garojnë së bashku me VLEN-in dhe i dyti të garojë vetëm si ASH, që në këtë rast nuk do të përjashtohej mundësia për të bashkëpunuar në komuna të caktuara me BDI-në.
Lajme nga vendi
MPB: Gjatë festave të Pashkëve fotografimi për dokumentet personale do të bëhet pa termin

Ministria e Punëve të Brendshme, në pritje të festave të Pashkëve, njofton se sot të gjitha Seksionet për Çështje Administrative pranë Departamentit për Çështje Administrative të MPB-së, përveç Sektorit për Çështje Administrative Shkup, do të punojnë nga ora 08:00 deri në ora 16:00.
Departamenti për Çështje Administrative Shkup, ose më saktë njësitë e tij organizative, sot do të punojnë me këtë orar:
Pika e kontrollit pranveror dy ndërrime nga ora 7:30 e mëngjesit deri në 19:30;
Postblloku i “RTMV” dy ndërrime nga ora 7:30 deri në 19:30, dhe me të njëjtin orar do të funksionojnë edhe pikat e kontrollit në “Beko” dhe Gjorçe Petrov.
Pikat e kontrollit në Draçevë dhe Butel do të funksionojnë me një turn nga ora 10:00 deri në ora 18:00.
Ministria e Brendshme njofton qytetarët se fotografimi për dokumente personale do të bëhet pa caktuar termin dhe dhënia e dokumenteve do të bëhet në vazhdimësi.
Lajme nga vendi
Më shumë se 1000 propozime për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shkollave në Tetovë

Përskaj nismës së ndryshimit të emrave të rrugëve, në Tetovë janë shtuar kërkesat edhe për ndryshimin e emrit të disa shkollave. Individë të sektorit të arsimit thonë se disa emra të shkollave, madje nuk kanë asnjë domethënie as simbolike dhe as historike për qytetarët. Nga gjithësej pesë shkolla të mesme katër prej tyre kanë emra që nuk përkojnë me siç është rasti i shkollës së mjekësisë Nikolla Shtejn.
“Ato pak të dhëna që ne i kemi nuk themi dot se janë të sakta thjeshtë ka qenë një infermier partizan që as nuk është nga shteti ynë e as nuk lidhet diçka me vendin tonë. Meqë edhe jemi shkolla më e madhe në vend shpesh kemi kërkesa nga prindër e nxënës se përse shkolla nuk merr një emër që do lidhej qoftë me Tetovën qoftë me ndonjë personalitet të mjekësisë”, tha Malësore Ramadani, drejtoreshë e SHMK “Nikolla Shtejn”.
Kërkesa të këtilla ka pasur edhe në shkollat tjera.
“Në kuadër të Komunës së Tetovës funksionojnë pesë shkolla të mesme nga të cilat vetëm njëra nga to ka emrin “7Marsi” ndërsa katër të tjerat kanë emra të periudhës së komunizmit dhe realisht sipas kërkimeve që kemi bë për një shkollë që quhet Nikolla Shtejn, nuk ka të dhëna as në google apo mjete tjera kërkimore”, tha Nazmi Dauti, sektori për Arsim Tetovë.
Nisma të ngjashme për ndërrim të emrave të shkollave fillore dhe të mesme ka pasur disa herë, por shkaku i mungesës së kohezionit politik në pushtetin lokal, ndryshimi i tyre, gjithnjë ka dështuar.
Problemi me emrat e shkollave po hapet në të njëjtën kohë kur procedura për ndryshimin e emrave të rrugëve në Tetovë është në fazën e debatit publik. Numri i propozimeve të dorëzuara në dy debatet e fundit publike ka arritur në 1050. Edhe pse sot duhej që të mbahet debati i tretë publik, debati është anuluar për javën e ardhshme, shkaku i festës së Pashkëve. Zëdhënësi i komunës Albion Alili për Alsat thotë se procedura zhvillohet pa përplasje.
“Pas debateve komisioni do të vlerësojë propozimet dhe biografitë e emrave të propozuar dhe do veprojë për emërtim të tyre. Realisht komisioni po punon në formën e paraparë dhe do veprohet. Nuk ka ndonjë përplasje siç plasohet në opinion, gjithëçka shkon si duhet”, u shpreh Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Për momentin nuk ka ndonjë afat konkret se sa procedura do të zgjasë. /Alsat.mk
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve