Lajme nga vendi
Fushatë kundër marketeve shqiptare në Maqedoninë e Veriut

Në rrjetet sociale Instagram dhe Twitter në Maqedoni po zhvillohet një fushatë në bazë etnike, e cila bën thirrje për bojkotimin e marketeve “Kiper” dhe “Kit Go” vetëm sepse pronarët e tyre janë shqiptarë. Në këtë fushatë ka përplot mesazhe ekstreme në baza etnike, fetare dhe kombëtare, sipas të cilave arsyeja e bojkotimit të këtyre marketeve është sepse “punonjësja në KAM ose Stokomak quhet Svetle, ose Gorde, që tingëllon shumë më bukur se sa Shpresa apo Valona”.
Autore: Despina Kovaçevska
Si shkak për nxitjen e kësaj fushate në rrjetet sociale ka qenë një postim në Facebook nga një llogari e mbyllur dhe e dyshimtë, në të cilën autori pa dhënë shumë detaje thotë se në arkën në marketin “Kiper” në Gjorçe Petrovshitësja ka refuzuar t’i tregojë çmimet e produkteve në gjuhën maqedonase, pra ka parapëlqyer t’i thotë në “gjuhën e saj amtare”. Në vazhdim në këtë postim kontrovers, përmes një zëvendësimi të qëllimshëm tezash, autori pyet “nëse po kthehemi në kohën e Gjermanisë naziste, kur disa popuj e kishin të kufizuar lëvizjen”.
Ky postim pastaj vazhdon të përhapet nëpërmjet të ashtuquajturve influencerë në rrjetet sociale Instagram dhe Twitter, ku bëhet thirrje për bojkotim me qëllimin e qartë për ta përçarë popullatën në baza etnike.
Si sjellje “diskriminuese” e këtyre marketeve theksohet fakti që ata nuk shesin alkool dhe produkte që përmbajnë mish derri, konsumimi i të cilave është i ndaluar sipas fesë islame.
Mosshitja e produkteve të caktuara nuk është diskriminim
Por nga Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi thonë se mosshitja e produkteve të caktuara nuk mund të përbëjë diskriminim, sepse tregtarët vendosin vetë se cilat produkte do t’i ofrojnë në shitje.
“Oferta dhe shitja e mallrave është në dispozicion të tregtarëve në përputhje me interesat e tyre ekonomike, praktikat e biznesit dhe parimet e tregut dhe në përputhje me rregulloret që e rregullojnë tregtinë dhe mbrojtjen e konsumatorit, prandaj mosshitja e disa mallrave të caktuara nuk mund të përbëjë diskriminim nëse tregtia kryhet në kuadër të këtyre parimeve dhe rregulloreve”, thotë një punonjës i shërbimit profesional të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili dëshironte të mbetet anonim.
Ai sqaron se që të bëhet fjalë për diskriminim duhet të ketë një veprim të paligjshëm ose të ndaluar që e vendos një person të caktuar ose një grup personash të caktuar në një pozitë të pabarabartë me një person tjetër ose me një grup tjetër personash, në aspektin e ushtrimit të të drejtave dhe lirive të tyre, për shkak të ndonjë karakteristike të tyre me të cilën ata identifikohen.
“Mungesa e disa mallrave nga oferta e disa tregtarëve nuk mund të jetë në korrelacion me realizimin e të drejtave dhe lirive të personave apo të një grupi personash”, thotë ai.
Paraja dhe fuqia ekonomike nuk kanë ngjyrë, komb apo fe
Eksperti ekonomik, Abil Baush është i mendimit se kjo fushatë është një truk marketingu dhe tek ne ka një efekt negativ, sepse ka ndikim negativ në treg.
“Paraja, fuqia ekonomike nuk ka ngjyrë, komb dhe fe”, thotë Baush.
Ai shton se ekonomia është mësuar të punojë në një treg të lirë dhe thotë se shembuj të ngjashëm ka pasur edhe në të kaluarën me operatorin celular “Albafon” në vitin 2013.
“Ky operator kishte një fushatë “Të flasim shqip” dhe dështoi shumë shpejt sepse ofronte shërbime vetëm për një grup primar,” tha Baush.
Nga ana tjetër, profesori i marketingut dhe biznesit ndërkombëtar në Universitetin e Evropës Juglindore, Jusuf Zeqiri, shpjegon se fushatat e këtilla shpesh shfaqen si rezultat i komunikimit joetik të drejtuar ndaj sjelljes konsumatore të një grupi tjetër etnik, duke pozicionuar elemente të etno-marketingut në një konotacion negativ.
“Përmes përdorimit të mesazheve provokuese ata kanë vetëm për qëllim që ta rrisin numrin e ndjekësve. Kështu, duke pasur parasysh ambientin e brishtë, ata shumë shpejt e tërheqin vëmendjen e ndjekësve të tyre të cilët si konsumatorë i shohin këta influencues si pika referimi”, thotë Zeqiri.
Profesori thekson se një nga qëllimet e atyre që e përhapin fushatën në bazë të ndarjeve etnike është që ta rrisin popullaritetin e tyre duke e minuar kredibilitetin e markave që sulmohen.
“Fushatat e tilla ndikojnë negativisht në ekonomi me atë që e dëmtojnë reputacionin e markës dhe e zvogëlojnë besimin e konsumatorëve, sidomos në tregjet etnikisht të përziera”, thotë Zeqiri dhe shton se në vend që ta promovojnë vlerën e produktit, fushatat e këtilla nga konsumatorët perceptohen si diskriminuese dhe mund të shkaktojnë presion ekonomik dhe social ndaj markave dhe vetë konsumatorëve.
“Një markë e lidhur me mesazhe diskriminuese mund ta humbasë besimin e konsumatorit dhe të perceptohet se mbështet apo toleron një sjellje të tillë, duke e bërë të vështirë rikthimin e besimit dhe kredibilitetit”, shton profesori.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Mendi Qyra, thotë se rregullisht marrin informacione për fushata të tilla, të cilat sipas tij, janë gjithnjë e më të pranishme. Ai thekson se fushata në fjalë ka reflektuar negativisht sepse është fakt që në marketet e targetuara ka të punësuar edhe shqiptarë dhe maqedonas. Ata gjithashtu blejnë produkte nga kompani maqedonase dhe shqiptare. Megjithatë, ai është i mendimit se këto dukuri janë përjashtime dhe nuk kanë një efekt afatgjatë.
“Këto dukuri i konsideroj përjashtime dhe nuk kanë efekt afatgjatë, ndërsa subjektet që e bëjnë këtë lojë të pandershme do ta kuptojnë se të gjitha kompanitë janë kompani tonat, pa dallim nëse pronari është shqiptar apo maqedonas. Edhe ai i paguan tatime shtetit, kontribuon në punësimin e njerëzve, për konkurrencë e cila mundëson cilësi dhe çmim real në treg”, thotë
Ai u bëri thirrje institucioneve kompetente qëtë reagojnë sepse kjo dukuri është e dëmshme jo vetëm për ekonominë, por edhe për politikën.
“Ne jemi një komunitet shumë-etnik dhe si i tillë duhet të mbrohemi që të mund të zhvillohemi ekonomikisht,” thotë Qyra.
Në fushatë pretendohet se gjuha shqipe është gjuha e vetme që përdoret në njërin nga dy marketet. Por, gjatë kontrollimit të profileve në rrjetet sociale, mund të vihet re se përmbajtja e postimeve fillimisht është e shkruar në gjuhën maqedonase, e pastaj në gjuhën shqipe dhe të gjitha janë në dy gjuhë, Foto: Printscreen nga Facebook
Urrejtja nxit urrejtje
Sipas ekspertëve me të cilët biseduam është veçanërisht e rrezikshme që fushata të tilla diskriminuese nxisin gjuhë të urrejtjes që është e pranishme në komentet e postimeve që janë pjesë e fushatës.
Për qëllimet e këtij teksti Meta.mk kontaktoi me dy profesorë nga Fakulteti Ekonomik pranë Universitetit Shtetëror “Sh. Kirili dhe Metodi”, si dhe me dekanin e fakultetit, por ata nuk deshën ta komentojnë publikisht këtë fushatë me bazë etnike.
Për dallim nga ata, profesori Zeqiri thotë se “fushatat diskriminuese mund ta parandalojnë formimin e partneriteteve me kompani të tjera duke shkaktuar edhe më shumë dëme në reputacionin e markës në tregjet e ndjeshmeqë karakterizohen me përkatësi të ndryshme etnike dhe besime të ndryshme”.
Sipas tij, për t’i evituar fushatat e marketingut me ndikim që promovojnë diskriminim apo paragjykim duhet të ekzistojnë udhëzime të qarta etike që promovojnë diversitetin dhe përfshirjen e të gjitha komuniteteve.
“Influencerët duhet të jenë të vetëdijshëm për ndikimin e tyre tek publiku i gjerë në pjesët e bazuara në aspektet kulturore dhe sociale, e veçanërisht të kenë kujdes për dallimet etnike”, thotë profesor Zeqiri.
Praktika tregon se fushata të tilla negative e normalizojnë armiqësinë, i përforcojnë stereotipet e dëmshme dhe inkurajojnë një mentalitet “ne kundër tyre”.
Ata shpesh e shfrytëzojnë frikën, zemërimin dhe pakënaqësinë, gjë që i shtyn njerëzit t’i shprehin zhgënjimet e tyre përmes gjuhës së urrejtjes. Duke i përforcuar këto mesazhe, sidomos në rrjetet sociale, përshpejtohet përhapja e gjuhës së urrejtjes duke krijuar një mjedis ku vërtetohet retorika përçarëse dhe agresive. Kjo gjë krijon kushte për një polarizim dhe intolerancë edhe më të thellë./Portalb.mk
Lajme nga vendi
BDI reagon ashpër pas dhunës në ndeshjen KB Shkupi – KB Vardar: Kërkon hetim urgjent dhe dorëheqje politike për neglizhencë

Në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim, dëshiroj të shpreh shqetësimin e thellë dhe indinjatën e pakompromis ndaj incidentit të paprecedentë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet KB Shkupit dhe KB Vardarit.
Akti i dhunës fizike, i ushtruar në mënyrë kolektive nga lojtarët dhe stafi teknik i KK Vardarit – të udhëhequr nga trajneri i tyre, njëherazi edhe përzgjedhës i ekipit kombëtar të Maqedonisë së Veriut – ndaj stafit të KB Shkupit, është akt i patolerueshëm dhe përbën një alarm serioz për gjendjen e sigurisë, të drejtësisë dhe të bashkëjetesës në vendin tonë.
Kemi të bëjmë me një incident që është rezultat i një ambienti të përgjithshëm të motivuar nga urrejtja ndëretnike.
Si pasojë, një përfaqësues zyrtar i KB Shkupit, asistent-trajneri, Faik Miftari, ka përfunduar në spital me ndihmë mjekësore – i rrahur brutalisht nga ata që përfaqësojnë jo vetëm një klub sportiv, por një mentalitet të rrezikshëm për bashkëjetesën.
Kjo ngjarje nuk është e izoluar. Ajo është produkt i drejtpërdrejtë i një klime të polarizuar që po thellohet dita-ditës si pasojë e politikave përjashtuese dhe diskriminuese të qeverisë aktuale.
Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve, përpjekjet për t’i paraqitur si të dhunshëm apo të kriminalizuar, janë bërë pjesë e një narrative të rrezikshme që nuk synon bashkëjetesë, por përçarje.
Politika e vazhdueshme e përjashtimit të shqiptarëve nga vendimmarrja reale, përdorimi i mediave të kontrolluara për të kriminalizuar figurat shqiptare dhe ushqimi i një narrative antishqiptare në institucionet publike, ka prodhuar një ambient armiqësor ndaj çdo përfaqësimi shqiptar me dinjitet.
Këto politika nuk i shërbejnë bashkëjetesës. Përkundrazi – ato e thellojnë ndarjen etnike në shoqëri dhe e kthejnë përfaqësimin shqiptar në sport, arsim dhe kulturë në një shënjestër të vazhdueshme të dhunës verbale dhe fizike.
Tolerimi i dhunës ndaj një klubi që përfaqëson me krenari komunitetin shqiptar në kryeqytet, është dëshmi e qartë se një pjesë e institucioneve në këtë vend, përfshirë edhe organet e rendit që ishin të pranishëm gjatë incidentit, nuk po i përmbushin as detyrimet minimale kushtetuese për të garantuar barazi dhe siguri për të gjithë qytetarët.
Prandaj, Bashkimi Demokratik për Integrim:
• Kërkon hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe të plotë për incidentin në fjalë, nga institucionet e sistemit, por edhe nga trupat sportive vendore dhe ndërkombëtare;
• Kërkon dorëheqje të menjëhershme të zv. Ministrit të punëve të brendshme Astrit Iseni dhe Zv.Ministrja e Sportit, Safije Sadiku Shahini, për shkak të përgjegjësisëpolitike dhe institucionale që lejojnë të ndodhën një ngjarje e këtillë dhe madje as nuk reagojnë , as zëri sju dëgjohet.
• Kërkon që ky rast të shërbejë si pikë kthese për të rishikuar seriozisht qasjen shtetërore ndaj marrëdhënieve ndëretnike dhe për të ndaluar urgjentisht çdo politikë që prodhon ndarje, përjashtim dhe tension.
U drejtohemi institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, trupave sportive, mediave dhe shoqërisë civile:
Mos lejoni që gjuha e urrejtjes dhe dhuna të bëhen normalitet.
�Mos lejoni që sporti të përdoret si skenë për frikësim dhepërçmim etnik.
Shqiptarët në këtë vend nuk do të pranojnë të trajtohen si të padukshëm , si të dorës së dytë apo si të toleruar.
Ata janë kontribuues, sportistë, qytetarë të barabartë dhe krenarë të këtij vendi.
Sot të gjithë duhet të jemi një zë i fuqishëm për drejtësi, për barazi dhe për bashkëjetesë të vërtetë.
Në krah të çdo të riu dhe çdo institucioni që sulmohet padrejtësisht, ne do të jemi aty – të vendosur dhe të qartë në qëndrimin tonë:�Të drejtat tona nuk janë të negociueshme.
Faleminderit.
Lajme nga vendi
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin qeveritar për medresenë Isa Beut

Gjykata Kushtetuese në seancën e sotme e ka shfuqizuar vendimin e Qeverisë për themelimin e “Medresesë Isa Beu” si shkollë private. Vendimi erdhi pasi më 26 shkurt u hap procedurë për themelimin e medresesë si shkollë private, me qëllim që të tejkalohet problemi i nxënësve që mbaronin e medresenë e nuk mundeshin të regjistroheshin nëpër fakultete. Iniciativa këtë e vlerësonte si antikushtetuese pasi që shkelet sekulariteti i shtetit. Respektivisht, themelues i Medresesë është Bashkësia Fetare Islame, ndërsa sipas parashtruesit, bashkësitë fetare nuk kanë të drejtë të themelojnë shkolla civile, por vetëm fetare./Alsat
Lajme nga vendi
Komuna e Tetovës përfundon dokumentacionin për dëmshpërblimet e bujqve

Komuna e Tetovës ka përfunduar dokumentacionin për dëmshpërblimet e vitit të kaluar. Nga reshjet e shiut dhe breshrit pësuan shumë toka bujqësore, por edhe shtëpi e dyqane. Pas kthimit të dosjes nga komisioni i shkallës së dytë për dëmshpërblimin e bujqve dhe banorëve që pësuan dëme nëpër objekte dhe dyqane, dokumentacioni i kompletuar u miratua nga këshilli i komunës së Tetovës, me qëllim që javën e ardhshme t’i dërgohet qeverisë. Dëmet e vlerësuara deri më tani nga komisioni komunal, rezultojnë mbi 60 milion denarë.
“Kemi vlerësuar dëmet në dy kategori. Dëmet në amvisëri janë në vlerë prej 7.33 300 denarë, ndërsa vlerësimi i dëmeve në të mbjella shumë vjeçare dhe një vjeçare, është në vlerë prej 55 766 589 denarë. Pra vlerësimi total është në vlerë prej 62.799.889 denarë. Ne si komision komunal, gjitha dokumentet do i dorëzojmë në komisionin shtetëror, dhe nga atje do presim instruksionet e mëtejme”, deklaroi Festim Zeqiri, kryetar i komisionit komunal për dëmshpërblimet.
-
Lajme nga vendi3 years ago
Zyra e Avokatit të Popullit në Tetovë sot do të jetë e hapur
-
Lajme nga vendi3 years ago
Nesër në Maqedoni do të shpallet gjendje krize në energjetikë, nga 1 shtatori hyjnë në fuqi masat për kursim
-
Lajme nga vendi2 years ago
Kovaçevski paralajmëroi drejtor të ri të Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve