Site icon Tetova Expres

HABIL AJETI MBYLLI KARRIERËN SI VOLEJBOLLIST AKTIV

Mbrëmë në ndeshjen kampionate mes Shkëndijës dhe Strumicës në një ceremoni rasti iu dha lamtumira si volejbollist aktiv njërit prej figurave më të shquara të këtij sporti, Habil Ajetit, i cili pas 28 vitesh karrierë vendosi të tërhiqet nga fusha, duke lënë pas një karrierë të pasur dhe një kontribut të pashlyeshëm. Ai gjatë karrierës së tij ka të fituara tituj kampioni, Kupa dhe Super kupa

Mbrëmja e tij e fundit si lojtar aktiv u shënua me një ceremoni të veçantë në Tetovë, në ndeshjen mes Shkëndijës dhe Strumicës, ku nuk munguan respekti dhe mirënjohja për një kapiten që ka lënë gjurmë në volejbollin shqiptar. Në këtë ngjarje morën pjesë kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami e personalitete të rëndësishme të sportit, si presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci, sekretari i përgjithshëm Valon Nikçi dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Momenti i fundit si volejbollist aktiv ndodhi në setin e dytë kur Habil Ajeti gjuajti topin dhe me emocione u largua nga terreni me duartrokitje të të gjithë të pranishmëve

‘’Të them të drejtën pak me emocione po mirë, është ndjenjë e mirë. Veçanërisht kur i shohë të gjithë ato bashkëlojtarë , shokët çka kanë udhëtuar prej Kosove kanë ardhur këtu të më nderojnë për këtë ditë. Kaluan përafërsisht 25 vjet që jam aktiv e sot e mora një vendim ka që një javë jam duke menduar për ta marrë këtë vendim, ti vari më këpucët se i japi fund’’ deklaroi Habil Ajeti

Legjenda e volejbollit Habil Ajeti ka edhe një porosi për gjeneratat e reja

Advertisement

‘’ Unë jam edhe trajner te kategoritë e reja te vajzat nuk do të largohem prej volejbollit. Jam larguar vetëm si lojtar aktiv por do vazhdoj të kontribuoj për gjeneratat e reja, për djalin tim, për fëmijët tjerë. Fëmijëve të gjithë ju sugjerojë që sa më larg telefonave, sa më larg internetit të vijnë të merren me sport pa marrë para sysh futboll, basketboll, çka të jetë vetëm të merren me sport’’ tha Ajeti

I pranishëm në këtë ndeshje lamtumirës të legjendës së volejbollit Habil Ajeti ishte edhe kryetari i Komunës Bilall Kasami i cili e nderoi me një mirënjohje për kontributin e dhënë për një çerek shekulli

‘’Fillimisht për Tetovën ka qenë një simbol i sportit alternativ do të kisha thënë jashtë futbollit se ne gjithë e njohim futbollin. Figura më e njohur dhe më e dashur e Tetovës por jo vetëm në Tetovë dhe jashtë Tetovës. Është një emocion i veçantë sigurisht se për kontributin që e ka dhënë Habili në Tetovë dhe gjithë ndej në sportin ndërkombëtar ka qenë krenaria e Tetovës . I uroj më të mira në jetë . I uroj që edhe pjesën tjetër të karrierës ta vazhdojë me sportin, me volejbollin’’ deklaroi Bilall Kasami kryetar i Komunës së Tetovës.

Për kontributin e volejbollistit Habil Ajeti në ekipin e Shkëndijës dhe jo vetëm folën edhe kryetari Besian Reka dhe trajneri Durim Luma

‘’Unë tani në pozitën e kryetarit nuk dua të bisedoj, por bisedoj si ish bashkë lojtar i Habilit i cili edhe gjatë karrierës time si volejbollist aq sa kam mund të jem pjesë e Shkëndijës më ka ndihmuar shumë, kam mësuar shumë prej atij. E tash dha zoti unë të jem në një pozitë tjetër . Gjithsesi se ndihmesa e Habilit nuk ka munguar e ka dhënë maksimumin për klubin. Ne do të jemi gjithmonë falënderues për at çka e ka dhënë‘’ deklaroi Besian Reka kryetar i KV Shkëndija.

Advertisement

‘’Sigurisht se unë falënderoj Habilin për gjithë ato që i ka dhënë volejbollit nëpër gjithësi, por në veçanti Shkëndijës. Është një humbje e madhe për volejbollin , mirëpo unë i dëshiroj sukses në të ardhmen pasi ai do të jetë pjesë e volejbollit . Unë i dëshiroj që në të ardhmen të bëhet si ka qenë lojtar shumë i mirë , pra një legjendë e volejbollit shqiptar të bëhet edhe një trajner i mirë në të ardhmen. Unë pres prej Habilit që ta bënë këtë punë‘’ tha trajneri Durim Luma

Legjenda e volejbollit Habil Ajeti me mirënjohje u nderua edhe nga Federata e Kosovës, klubet kua ai ku ai ka qenë pjesë si volejbollist aktiv. Do ta veçojmë dhuratën që erdhi nga klubi i volejbollit Luboteni të Ferizaji që e nderoi Habilin me një plis të bardhë dhe një dhuratë simbolike si shenjë respekti për kontributin e tij gjatë pesë viteve në klub, duke e ndihmuar të shpallet kampion në Superligën e Kosovës. Habil Ajeti gjatë karrierës së tij pos Shkëndijës ka luajtur edhe në KEK, Mabetexi, Drenica, Rabotniçki Shkup, Studenti Tiranë , Pallavolo Lugano , Shutovë të Kërçovës, Luboteni Ferizaj, Skënderbeu Kraishtë , ndërsa një kohë ishte anëtar i reprezentacionit të vendit.

TV KOHA

Exit mobile version