Numri i personave të infektuar me Covid-19 në vend po rritet, por nuk kemi forma të rënda të sëmundjes, pothuajse të gjitha rastet trajtohen në baza ambulatore, thotë për Sakamdakazam.mk Zllate Mehmedoviq nga Komisioni për Sëmundje Infektive, transmeton Portalb.mk.
Sipas të dhënave të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik (IShP), nga data 29 korrik deri më 4 gusht janë testuar 342 materiale për Covid-19 në Institut dhe janë regjistruar 116 raste të reja pozitive. Krahasuar me një javë më parë, janë kryer 30 përqind më shumë testime dhe numri i rezultateve pozitive është rritur me 48,7 përqind, pra nga 78 në 116 rezultate pozitive.
“Gjithçka është nën kontroll, nuk ka vend për panik, pozitiviteti i rasteve të zbuluara me Sars Cov-2 është në rritje, por nuk kemi forma të rënda të sëmundjes, pothuajse të gjitha rastet trajtohen në baza ambulatore. Ka variante të reja të virusit që më lehtë i shmangen imunitetit dhe lidhen më lehtë me receptorët në trupin e të infektuarit dhe kjo është një nga arsyet kryesore të shtimit të rasteve në këtë periudhë”, tha doktor Mehmedoviq.
Në lidhje me atë nëse masat mbrojtëse janë të nevojshme, Mehmedoviq thotë se masa është respektimi i rregullave për vizitat në spital, rekomandimet për përdorimin e maskave në ambiente të mbyllura dhe vaksinimi i grupeve të rrezikut.
Sipas mediave amerikane, numri i të infektuarve me Covid-19 është në rritje këtë verë, por ndryshimi nga periudha e pandemisë është se tani rastet kanë simptoma më të lehta.
“Covid-19 nuk u largua kurrë. Dallimi është se tani spitalet nuk po kthehen në qendra krizash”, tha Amesh Adaya nga Universiteti Johns Hopkins.