Gjyqësori duhet ta kthejë besimin e humbur te qytetarët, përmes reformave dhe zbatimit të përpiktë të ligjeve. Kjo është porosia e përfaqësuesve ndërkombëtarë në
vend, të cilët, gjithashtu presin nga qeveria që të ndihmojë në këtë proces, por duke i konsultuar edhe ekspertët. Ambasadorja e SHBA-së në Shkup Angela Ageler,
duke theksuar se besueshmëria në gjyqësor është në nivel tronditës, porositi përfaqësuesit e gjyqësorit që të punojnë në mbrojtje të ligjit, integritetit dhe të
pengojnë ndërhyrjet politike.
“Maqedonia e Veriut ka ligje të përgatitura mirë, institucione të pajisura mirë, prokurorë dhe gjykatës me përvojë, shumica e të cilave kanë udhëtuar
dhe kanë pasur këmbime me SHBA-të. Parashtrohet pyetja se si të fillojmë ta plotësojmë atë hendek apo mungesë të besimit të atyre që duhet t’u
shërbejmë. Porosia është qartë dhe nuk ndryshon, punoni punën që duhet ta punoni. Ndiqeni ligjin, punoni për njerëzit, rezistoni ndaj trysnive politike,
mbrojeni integritetin tuaj dhe pranojeni transparencën. Puna e vështirë vetëm ka filluar dhe shohim përparim. Tani, lejoni të ju ndihmojmë që të
arrini edhe më përpara në rrugën tuaj”, tha Angela Ageler, Ambasadore e SHBA-së në Shkup.
Edhe ambasadori i Holandës, Dirk Jan Kop nënvizoi nivelin shqetësues të besimit të qytetarëve në gjyqësor, ndërkaq porositi qeverinë që të bëjë mos bëjë reforma të
shpejta dhe pa përfshirjen e ekspertëve.Gjyqësori në vend në vazhdimësi ka besueshmëri të ulët për shkak të përzierjes së politikës dhe mungesës së vullnetit
për të bërë reforma rrënjësore. Sipas raportit të fundit të Komisionit Evropian, Maqedonia e Veriut nuk ka bërë kurrfarë përparimi në këtë fushë e cila është ndër
kryesoret në procesin eurointegrues. Nga ana tjetër, sipas anketës së IRI-t e cila u publikua në maj të këtij viti, 72% e qytetarëve të anketuar vlerësojnë se
korrupsioni është problemi më i madh në vend, ndërkaq ndër më të korruptuar sipas tyre janë politikanët dhe gjyqësori.TV KOHA