Nëse propozimi i shtatë vendeve anëtare të BE-së, të cilat kërkojnë që çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë në BE të votohen me shumicë të cilësuar në vend të unanimitet, Maqedonia e Veriut nuk do të ketë më frikë nga vetoja e Bullgarisë. Zgjerimi i BE-së është pjesë e politikës evropiane për politikë të jashtme dhe siguri, ka konfirmuar sot një burim evropian për Sdk.mk.
Megjithatë, shumica e cilësuar ka rregullat e veta që do të thotë se vendi bllokues mund të gjejë aleatë dhe ende të vërë veton së bashku me shtetet e tjera anëtare.
Siç njoftoi dje Sdk.mk, shtatë ministra të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së dje kanë publikuar një tekst në portalin Politiko. Ata propozojnë që çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë në BE të votohen me shumicë të cilësuar në vend të konsensusit. Teksti u nënshkrua nga ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Belgjikës, Luksemburgut, Holandës, Rumanisë, Sllovenisë dhe Spanjës. Sipas tyre, zbatimi i këtij propozimi nuk do të thotë ndryshim i Marrëveshjeve Evropiane dhe do të kontribuojë në rritjen e efikasitetit në vendimmarrjen e BE-së, veçanërisht në situata krize, siç është reagimi ndaj agresionit rus kundër Ukrainës.
Janë tetë vende kandidate në listën e pritjes. Përveç Maqedonisë, në listë janë edhe Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Ukraina, Moldavia dhe Turqia.
Vetoja pengon vendet e tjera anëtare të bëjnë përparim në fushat që ata i konsiderojnë të rëndësishme. Kjo është arsyeja e ekzistencës së votimit me shumicë të cilësuar. Ky sistem duhet të plotësojë dy kritere. Propozimi për të cilin votohet duhet të mbështetet nga 15 nga 27 shtetet anëtare dhe këto shtete duhet të përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë së Bashkimit Evropian. Fushat që janë votuar prej kohësh me shumicë të cilësuar janë bujqësia, mjedisi apo politika digjitale. Por politika e jashtme dhe siguria, si dhe politika e taksave apo e mbrojtjes, mbeten çështje unanimiteti.
Një numër i madh i shteteve anëtare i konsiderojnë këto fusha si të një rëndësie kombëtare për vendet dhe kërkojnë të drejtën për t’i thënë jo një propozimi.
Megjithëse disa shtete anëtare kundërshtojnë heqjen e unanimitet në vendimmarrje (Estonia, Lituania, Letonia, Suedia, Finlanda, Danimarka, Polonia, Republika Çeke, Kroacia, Bullgaria), disa prej tyre janë mbështetës të fortë të zgjerimit.
Në fillim të këtij viti, Parlamenti Evropian (PE) u bëri thirrje vendeve anëtare të kalojnë në votimin me shumicë të cilësuar në të gjitha fushat e politikës së jashtme dhe të sigurisë, përfshirë zgjerimin.
Por edhe sanksionet globale të BE-së për të drejtat e njeriut ose masa kufizuese dhe instrumente të tjera që lidhen me luftën ruse. PE beson se unanimiteti duhet të mbetet në fuqi për krijimin dhe vendosjen e misioneve apo operacioneve ushtarake brenda kornizës së politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes.
Një pengesë për kalimin në një shumicë të cilësuar mund të jetë pikërisht rregulli aktual i unanimitet. Përkatësisht, që të miratohet propozimi i shtatë vendeve për heqjen e unanimitet, nevojitet unanimiteti. Por ka një rregull tjetër që daton në vitin 2016 i cili mban emrin francez “passerelle” që mund të përkthehet si “urë”. Shkurtimisht, kjo dispozitë i lejon BE-së të kalojë nga unanimiteti në shumicë të cilësuar në çështjet e jashtme dhe të sigurisë. Këshilli Evropian e mbështet një lëvizje të tillë.
Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Kjo erdhi pas arritjes së propozimit francez në vend me 30 qershor të vitit 2022 dhe miratimit të tij nga ana e Kuvendit të RMV-së për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut në drejtim të hapjes së rrugës eurointegruese për RMV-në.
Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.
Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.
Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria duke vendosur veto.