Me rastin e muajit historik të gruas, Këndi Amerikan në Tetovë, në bashkëpunim me Institutin për Lidership dhe Politika Publike, si dhe me Universitetin e Tetovës organizuan panel diskutimi, me temë: “Gratë në biznes: Përparësitë, sfidat dhe mundësitë”.
Pjesë e këtij paneli diskutimi ishin, Erik Meyer, Zëvendës-Ambasador i SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut, Pranvera Kasami, presidente e Institutit për Lidership dhe Politika Publike, Susanne Machacz, drejtoreshë në kompaninë Bayer, Selvie Shaqiri, drejtuese biznesi dhe Artina Kamberi, drejtoreshë e Parkut Teknologjik të Universitetit të Tetovës.
Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti tha se, një ngjarje e tillë është frymëzuese për të ndërmarrë veprime drejt krijimit të një bote biznesi më të barabartë dhe gjithëpërfshirëse. “Ne e dimë se kur gratë kanë sukses, bizneset dhe komunitetet lulëzojnë. Hulumtimet tregojnë se kompanitë me më shumë diversitet gjinor priren të jenë më inovative dhe fitimprurëse. Është e qartë se mbështetja dhe fuqizimi i grave në biznes nuk është vetëm gjëja e duhur, por edhe gjëja e zgjuar”, u shpreh Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Ndërsa panelistët folën më shumë mbi eksperiencat e tyre në fushën e sipërmarrësisë, duke ndarë me të pranishmit sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballen gratë në botën e biznesit. Ata, po ashtu i dhanë edhe rekomandimet e tyre se si të tejkalohen të gjitha këto sfida dhe gratë të jenë edhe më shumë të përfshira në sipërmarrësi.