Edhe sot sikurse dje, herët në mëngjes ka pasur njoftime për bomba në adresat elektronike të 18 shkollave në Shkup, njofton MPB, transmeton Portalb.mk.
Dje ka pasur njoftime për bomba pak pas orës 08:00 të mëngjesit në disa shkolla të Shkupit. Fillimisht MPB-ja njoftoi se në 31 shkolla ka pasur kërcënime me mjete shpërthyese të vendosura, por më pas numri ka shkuar në 120 denoncime.
Pas kontrolleve të bëra nga ekipet antiterroriste, u konstatua se të gjitha raportimet ishin të rreme.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka rekomanduar që shkollat kur marrin kërcënim për bombë të organizojnë mësime online në vend që të pezullojnë plotësisht mësimin për atë ditë.
Për të mos humbur mësimet, nxënësit duhet të hyjnë online për një orë, për aq kohë sa duhet të kthehen në shtëpitë e tyre, për të ndjekur mësimin.
Kjo është dita e tretë me radhë që në adresat elektronike të shkollave dërgohen alarme për bomba. Dje, numri i përgjithshëm i kallëzimeve të marra pas përfundimit të kontrolleve nga MPB ishte 45, ndonëse informacionet fillestare ishin se bëhej fjalë për 39 shkolla. Të gjitha kërcënimet janë dërguar në adresat elektronike të shkollave në kryeqytet, nga të cilat 23 të mesme dhe 22 fillore. Pas kontrolleve antiterroriste u konstatua se bëhej fjalë për kërcënime të rreme.
Nga 26 tetori i vitit 2022 në Shkup dhe disa qytete të RMV-së, disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave, por më pas edhe të institucioneve, qendrave tregtare, aeroporteve, është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Deri tani, të gjitha denoncimet kanë rezultuar të jenë të rrejshme. MPB, vazhdon të deklarojë se po punon në zbardhjen e tyre, por deri më tani nuk dihet se prej ku vijnë këto kërcënime.
Ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba vijnë prej Rusisë, ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.