Mërgimtarët po dërgojnë në Maqedoni mbi 361 milionë euro në vit. Sipas metodologjisë të zyrës evropiane të statistikave – Eurostat, në vend dërgohen një shumë që si vlerë është e njëjtë me 3.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mirëpo shuma totale supozohet të jetë edhe më e madhe pasi shumica e remitancave transferohen përmes kanaleve të parregulluara (dërgesat personalisht, përmes ndërmjetësve si drejtuesit e autobusëve, etj). Të ardhura më të mëdha nga remitancat ka Serbia me mbi 7 milionë banorë me 3.3 miliardë euro, pason Bosnje e Hercegovina me 1.6 miliard euro, Shqipëria me afër 1.3 miliard euro, Kosova me 1.2 miliard euro.
E shprehur si përqindje e PBB-ja e që është vlera totale e të gjithë mallrave dhe shërbimeve që janë prodhuar në një vend minus vlerën e mallrave dhe shërbimeve të nevojshme për prodhimin e tyre, në Kosovë janë dërguar 18.5 për qind, në Mal të Zi 12.5 për qind, në Shqipëri janë dërguar 9.8 për qind, në Bosnje e Hercegovinë 9.3 për qind dhe në Serbi janë dërguar 7.2 për qind.
Mirëpo nga Banka Popullore thonë se është vështirë të ofrohen të dhëna të sakta për shifrat reale që mërgimtarët dërgojnë në vendlindje. “Vlerësimet tona të bazuara në metodologjinë e harmonizuar me Fondin Monetar ndërkombëtar tregojnë se shuma e këtyre dërgesave, që nga viti 2009 e këndej tejkalon një miliard euro apo është afër 16 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto”, thonë nga Banka Popullore.
Në Maqedoninë e Veriut, vlera e të hollave që dërgojnë mërgimtarët bile është për tre herë më e madhe se ajo e investimeve të huaja që në vitin 2021 kanë arritur vlerën prej mbi 300 milionë euro.
Njëherësh remitancat janë fonde të transferuara nga emigrantët në vendin e tyre të lindjes. Ato janë kursimet private të punëtorëve dhe familjeve që shpenzohen në vendin e lindjes për ushqim, veshmbathje dhe shpenzime të tjera dhe që drejtojnë ekonominë familjare. Remitancat gjithashtu mund të kenë efekte të rëndësishme në ekonominë e vendit pranues. Duke pasur parasysh që remitancat janë praktikisht një pjesë e të ardhurave të dikujt, ndikimi dhe rëndësia e tyre ekonomike është shpesh e dyfishtë. Ato ndikojnë në statusin financiar të buxhetit personal të një individi dhe statusin financiar të pranuesit dhe familjes së tij. Gjithashtu ato ndikojnë edhe në fluksin ekonomik të vendit marrës përmes investimeve, aktivitetit ekonomik dhe konsumit.
Këto mjete për çdo vit mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të deficitit tregtar të Maqedonisë së Veriut si dhe të minuseve të tjera në llogaritë financiare të shtetit. Llogaritet se në Maqedoninë e Veriut së paku 150 mijë familje marrin mbështetje të rregullt nga familjarët e tyre që punojnë jashtë, ndërsa shuma e madhe për çdo vjet, jo vetëm që mbulon një pjesë të konsiderueshme të deficitit tregtar të Maqedonisë së Veriut, por siguron edhe ekzistencën e këtyre familjeve dhe stabilitetin makroekonomik të shtetit, përfshi edhe kursin stabil të denarit./Koha.mk/