Site icon Tetova Expres

Hekurudhave i kthehet rryma, borxhi do të paguhet më vonë nga shteti, as Klinika nuk do të ngelet pa rrymë

Hekurudhat Transport të RMV SHA Shkup në mesditë sërish ka rrymë, pasi në mëngjes EVN-ja për shkak të borxhit për faturat e pa paguara i ka shkëputur nga rrjeti objektet e kompanisë shtetërore hekurudhore në depon në Lisiçe të Shkupit dhe në Veles.

Informacionin se sërish ka rrymë e konfirmuan nga HRMV Transport, prej ku thonë se ndërprerja e furnizimit me rrymë nuk reflekton në zhvillimin e komunikacionit hekurudhor, edhe pse ka ekzistuar një rrezik i tillë duke e pasur parasysh se rryma u nevojitet për pompat e naftës.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, paraprakisht në deklaratë për media paralajmëroi se Hekurudhat do të kenë rrymë dhe ritheksoi se borxhi ndaj EVN-së për faturat e papaguara të institucioneve të caktuara shtetërore do të shlyhet menjëherë sapo në Kuvend do të kalojë transferimi i paralajmëruar i mjeteve nga Buxheti.

Sipas tij, nuk duhet kurrfarë garancie tjetër se kjo do të realizohet, sepse tashmë e kanë paralajmëruar kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe anëtarët e tjerë të qeverisë.

“Mendoj se tani në këtë moment në “Hekurudhat Transport” ka rrymë. Qeveria nuk është as palë kontraktuese dhe as palë obligative e EVN-së dhe nëse EVN-ja nuk e kupton se qeveria këtu nuk është palë që jep garanci, atëherë EVN-ja realisht e ka problem me interpretimin e funksionimit të tyre në vendin tonë. Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministri i Financave thanë se borxhet ndaj EVN-së do të paguhen dhe kjo mjafton që çdo operator ekonomik të kuptojë se është qeveria dhe shteti dhe se nuk nevojiten garanci të tjera”, tha kryeministri Bytyqi në përgjigje të pyetjes së gazetarëve se pse deri më tani Qeveria nuk i ka dërguar garanci EVN-së se do ta shlyejë borxhin, pasi në mëngjesin e sotëm ishte ndërprerë rryma në “Hekurudhat Transport”.

Advertisement

EVN-ja ka dhënë afat deri më 15 të këtij muaji në shumë institucione ta paguajnë borxhin për energjinë e shpenzuar elektrike, ndër të cilat janë edhe Qendra klinike dhe “HRMV Transport” dhe të tjera.

Nuk do të shkyçet rryma në Qendrën klinike, pohon Kovaçevski

Në Qendrën klinike nuk do të shkyçet rryma, deklaroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke shtuar se në “HRMV Transport” rryma tani duhet të jetë e kyçyr.

Kovaçevski tha se shpreson se deputetët dhe Kuvendi do të jenë ekspeditivë dhe do të votojnë për ridedikim të mjeteve që të mbulohen llogaritë e mbetura për rrymë të institucioneve shtetërore.

“Me rishpërndarjen e fundit të Buxhetit, Qeveria ka paraparë mjete. Ajo u dërgua në Kuvend dhe sa të bëhet rishpërndarja e mjeteve, pasi kjo është detyrë e Kuvendit, atëherë parashtresat adekuate të Buxhetit do të mund të financohen dhe të paguhen faturat e borxhlinjëve. Këtu ju pyetët për Qendrën klinike dhe për insticionet tjera në Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe për Hekurudhat. Sa të miratohet rishpërndarja në Kuvend, atëherë menjëherë do të mund të paguhen edhe faturat nga ana e Qeverisë”, tha Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferecën e sotme për shtyp në Qeveri.

Advertisement

Sipas tij, një pjesë e institucioneve realisht kanë problem me pagesa të rrymës, pasi çmimi është rritur për dhjetë herë, ndërsa ndikim ka pasur edhe kriza me Kovidin. Një pjesë e drejtorëve të institucioneve, janë ndërruar, thotë Kovaçevski, por ai këtë nuk e ka bërë, siç tha, në mënyrë pompoze si disa kryeministra më herët.

Paradite është shkyçur rryma në “HRMV Transport” SHA në deponë në Lisiçe të Shkupit dhe në objektet në Veles, për shkak të borxhit për rrymë ndaj “EVN Maqedoni”. Sipas informatave të fundit, “EVN Maqedoni” kërkon nga “HRMV Transport” mbi 400 milionë denarë për energji elektrike.

EVN u ka dhënë afat disa institucioneve që deri më 15 të këtij muaji të paguajnë borxhet për energjinë e konsumuar elektrike, përfshirë Qendrën Klinike dhe “HRMV Transport”, e të tjera.

Exit mobile version