Tetë pacientë sot kthehen nga mjekimi në Turqi, Bullgari dhe Slloveni, ndërsa jashtë shtetit mbeten të hospitalizuar edhe 18 të tjerë të lënduar në zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.
Nga tetë pacientët që kthehen, pesë u mjekuan në Turqi, dy në Bullgari dhe një në Slloveni. Sipas protokollit, pesë pacientë do të jenë nën vëzhgim në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, dy pacientë në Klinikën për Kirurgji Plastike dhe një pacient në Klinikën Kirurgjikale “Shën Naum Ohrit”.
Një pjesë e të lënduarve që janë kthyer në vend gjatë periudhës së kaluar tashmë kanë filluar procesin e rehabilitimit në Spitalin e Përgjithshëm në Koçan, ku, në varësi të lëndimeve, po trajtohen në repartet e neurologjisë, kirurgjisë dhe terapisë fizikale.
Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht po e ndjek gjendjen e pacientëve të lënduar, me qëllim të ofrimit të trajtimit më të mirë të mundshëm, si dhe rehabilitimit të mëtejshëm.
Në zjarrin në diskoteken “Puls” në Koçan që ndodhi më 16 mars, 62 persona e humbën jetën, ndërsa gati 200 të tjerë u lënduan. Disa nga të lënduarit janë hospitalizuar në vend, ndërsa disa u transferuan për mjekim jashtë vendit.