Site icon Tetova Expres

Sindikata e Pavarur e Policisë në RMV paralajmëroi protestë për më 12 maj, kërkojnë respektimin e Ligjit për Pagën Minimale

Sindikata e Pavarur e Policisë do të mbajë protestë më 12 maj, duke kërkuar që të respektohet Ligji për Pagën Minimale dhe që procedurat gjyqësore të zhvillohen brenda afateve të përcaktuara me ligj, transmeton Portalb.mk.

“Kërkojmë që të respektohet Ligji për Pagën Minimale dhe që paga bazë në polici të jetë të paktën sa paga minimale. Kërkojmë unifikimin e praktikës gjyqësore në të gjithë territorin e vendit dhe zbatimin e procedurave gjyqësore brenda afateve të përcaktuara me ligj. Punonjësit e policisë nuk janë zyrtarë të dorës së dytë. Ligjet nuk mund të zbatohen për policinë vetëm kur duhet të na ndëshkojnë”, tha Sindikata në një deklaratë.

Ata thonë se kjo nuk është thjesht një protestë, por një luftë për dinjitetin e policisë, të cilin siç thonë e kanë humbur për shkak të indiferencës së tyre.

Sindikata e Pavarur e Policisë u bën thirrje të gjitha sindikatave të tjera që prezantohen si sindikata policie të marrin guxim dhe t’i mbështesin publikisht ato.

“Kjo luftë nuk ka të bëjë me pozicione dhe nuk është vetëm e jona, kjo është një luftë për dinjitetin e punonjësve në Ministrinë e Brendshme, policinë pyjore, gjyqësore dhe atë të burgjeve”, shtoi Sindikata.

Advertisement

Protesta do të jetë në orën 12:00 para gjykatave në Shkup, në udhëkryqin pranë “Mavrovasjës”.

Exit mobile version