Në kuadër të kontrolleve të trafikut të realizuara nga zyrtarët policorë të të gjitha sektorëve të punëve të brendshme në rrugët e vendit, dje nga gjithsej 613 gjoba të shqiptuara, 132 shkelje kishin të bënin me drejtues që, pas testimit me alkooltest, rezultuan me përqindje të palejuar të alkoolit në gjak. U zbuluan gjithashtu 114 pjesëmarrës në trafik pa leje drejtimi.
Siç njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), në përputhje me dispozitat e Ligjit për sigurinë në komunikacionin rrugor, 115 shkelje kishin të bëjnë me mosrespektimin e shpejtësisë së lejuar, 42 masa u shqiptuan për parkim të palejuar, ndërsa u ndëshkuan edhe 37 persona për mosvendosje të rripit të sigurisë. Janë shqiptuar 10 masa për drejtuesit e motoçikletave për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse dhe shtatë ndëshkime për drejtues që flisnin në telefon gjatë drejtimit të mjetit.
Sipas Ligjit për automjetet, 24 mjete u larguan nga qarkullimi pasi ishin të paregjistruara, ndërsa katër të tjera për shkak të mungesës së përshtatshmërisë teknike.
– Kontrollet në trafik do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. U bëjmë apel qytetarëve që të respektojnë rregullat dhe dispozitat e trafikut në mënyrë që të rrisim sigurinë rrugore dhe së bashku të kontribuojmë për rrugë më të sigurta, thuhet në njoftimin e MPB-së.