Kryeministri Hristijan Mickoski u drejtua sot në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (EPP), ku theksoi se procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian duhet të bazohet në merita dhe reforma, me kritere të qarta, sepse “nuk është një favor që jepet në mënyrë të rastësishme, por një njohje e drejtë për përpjekjet dhe reformat”.
“Është një privilegj i madh të flas para jush sot në Kongresin e EPP-së – në mesin e kolegëve liderë që janë të përkushtuar ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe qeverisjes me përgjegjësi. Ky tubim thekson vizionin tonë të përbashkët: një Evropë e bashkuar mbi parime, e forcuar nga solidariteti dhe e udhëhequr nga merita.”
Ai tha se qeveria e tij mbetet thellësisht e përkushtuar ndaj vlerave konservatore, përfshirë familjen, përgjegjësinë, lirinë ekonomike dhe sundimin e ligjit.
“Këto janë parimet që na udhëheqin në vend dhe frymëzojnë angazhimin tonë ndaj Evropës. Megjithatë, sinqeriteti më detyron të flas hapur për sfidat që përballemi. Projekti evropian premton barazi, drejtësi dhe mundësi – por ndonjëherë ne përjetojmë një realitet tjetër.”
Sipas Mickoskit, qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë ndjerë në mënyrë të drejtpërdrejtë peshën e standardeve të dyfishta, të cilat, siç tha ai, “gërryejnë besimin, ulin entuziazmin dhe rrezikojnë të dobësojnë vetë shpirtin evropian që e përfaqësojmë”.
“Kombi maqedonas ka bërë sakrifica dhe reforma të konsiderueshme, duke qëndruar i përkushtuar në rrugën tonë evropiane. Por kemi qenë dëshmitarë të ndryshimeve të vazhdueshme të objektivave dhe kushteve shtesë, të zbatuara në mënyrë selektive, që e zbehin transparencën dhe drejtësinë e premtuar nga Evropa.”
Mickoski bëri thirrje që udhëheqësit e EPP-së, si në institucionet e BE-së ashtu edhe në shtetet anëtare, të jenë forca shtytëse për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
“Integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk është një akt bamirësie – është një imperativ strategjik. Ai siguron paqe, stabilitet dhe siguri jo vetëm për rajonin tonë, por për të gjithë Evropën.”
Në përmbyllje, ai theksoi:
“E ardhmja jonë kolektive qëndron në një familje evropiane të bashkuar. Është përgjegjësia jonë e përbashkët të ruajmë integritetin e këtij procesi, duke konfirmuar përkushtimin ndaj drejtësisë dhe barazisë. Populli maqedonas meriton që përkushtimi dhe sakrificat e tij të njihen vërtet.”