Komuna e Tetovës ka përfunduar dokumentacionin për dëmshpërblimet e vitit të kaluar. Nga reshjet e shiut dhe breshrit pësuan shumë toka bujqësore, por edhe shtëpi e dyqane. Pas kthimit të dosjes nga komisioni i shkallës së dytë për dëmshpërblimin e bujqve dhe banorëve që pësuan dëme nëpër objekte dhe dyqane, dokumentacioni i kompletuar u miratua nga këshilli i komunës së Tetovës, me qëllim që javën e ardhshme t’i dërgohet qeverisë. Dëmet e vlerësuara deri më tani nga komisioni komunal, rezultojnë mbi 60 milion denarë.
“Kemi vlerësuar dëmet në dy kategori. Dëmet në amvisëri janë në vlerë prej 7.33 300 denarë, ndërsa vlerësimi i dëmeve në të mbjella shumë vjeçare dhe një vjeçare, është në vlerë prej 55 766 589 denarë. Pra vlerësimi total është në vlerë prej 62.799.889 denarë. Ne si komision komunal, gjitha dokumentet do i dorëzojmë në komisionin shtetëror, dhe nga atje do presim instruksionet e mëtejme”, deklaroi Festim Zeqiri, kryetar i komisionit komunal për dëmshpërblimet.