Për vetëm 28 ditë, Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) të Tetovës, ka shqiptuar 602 gjoba për parkim të gabuar. Makinat e parkuara kudo ndikojnë në bllokimin e komunikacionit, por edhe hyrje-daljet në ndërtesat e banimit. Nga SPB Tetovë apelojnë për kujdes sidomos para shkollave dhe institucioneve.
“Pjesëtarë të SPB Tetovë dhe ai për siguri për komunikacionin rrugor, nga një prilli deri ditën e djeshme, kanë shqiptuar gjithsej rreth 602 masa për keq parkim, ndërsa nga merimanga janë ngritur rreth 300 automjete, që në mënyrë direke kanë penguar qarkullimin e lirshëm në komunikacion”, deklaroi Fatmir Rexhepi. Zëdhënës i SPB Tetovë.
Drejtori i Parkingjeve të qytetit, për Alsat thotë se ka parkingje në Tetovë. Madje shpesh janë të zbrazëta, ndërsa vozitësit e pandërgjegjshëm makinat e tyre i parkojnë nëpër rrugë.
“Ashtu siç thatë, halli më i madh në Tetovë është me parkingjet. Jo që nuk ka, ka parkingje në qytet e që janë vetëm 100-200 metra larg qendrës e ku ka shumë vende të zbrazëta, por është veti e tetovarëve ku ka nevojë mundësisht me makinën të futet edhe brenda madje në dyqan”, tha Mirko Martinovski, drejtor i NP “Parkingjet e Tetovës”.
Pikërisht për këtë kaos që krijohet nëpër rrugët e Tetovës, në komunë, brenda javës pritet të mbahet edhe debat për studimin e kryer me qëllim mos bllokimin e rrugëve.
“Javën e ardhshme, bashkë me Institutin për planifikim, po organizojmë debatin publik për studimin e mobilitetit, në të cilin do prezantohen analizat e para të bëra, problematikat e rrugëve si dhe rikategorizimi i rrugëve. Në këtë rast do përfshihet transporti publik, parkingjet, shtigjet për biçikleta dhe gjitha problemet tjera të komunikacionit. INS është institut nga Kosova që e bën edhe planin gjeneral Urbanistik të qytetit”, deklaroi Albion Alili, zëdhënës i komunës së Tetovës.
Rezultate nuk ka dhënë siç pritej, as edhe aksioni që u ndërmor në bashkëpunim me MPB-në, me ç’rast nëpër rrugët e Tetovës, janë nxjerrë dhjetëra policë për të mbajtur rendin në trafik.