Site icon Tetova Expres

Vitin e ardhshëm do të vazhdojë ndërtimi i bulevardit “Bllagoja Toska”

Përderisa një pjesë e bulevardit “Bllagoja Toska” është drejt përufundimit, kurse një pjesë është përfunduar, për vazhdimin e të njejtit, këtë vit nuk do të ketë lëvizje konkrete. Të paktën këto janë informacionet zyrtare që vijnë nga pushteti lokal në Tetovë. Bëhet fjalë për vazhdimin e bulevardit nga Shkolla e Mesme Tekstile e deri tek lidhje me bulevardin “Ilinden”, ku momentalisht rruga është tepër e ngushtë dhe e dëmtuar dhe krijohet kaos vazhdimisht. Vazhdimi i këtij bulevardi është nevojë e kohës dhe urgjente për të lehtësuar komunikacionin në pjesët tjera të qytetit të Tetovës, thonë banorët e kësaj lagje.

“Duhet të bëhet, por nuk besojmë se ndonjëherë do të ndërtohet. Do të lehtësonte komunikacionin shumë për këtë pjesë ku jetojmë ne, por edhe për vet qytetin”, thotë një banorë i kësaj lagje.

Pas përfundimit të një pjese të këtij bulevardi, ende nuk ka informacione të sakta se kur mund të vazhdojë ndërtimi që do të zvogëlonte dukshëm kaosin në trafikun rrugor brenda në rrugët e qytetit, por kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami është shprehur se vitin e ardhshëm do të jetë prioritet ky bulevard, por nëse e merr besimin edhe njëherë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti.

“Për vitin 2025 është në plan vazhdimi i bulevardit ‘Bllagoja Toska’, tek kazerma e qytetit, ashtu që kemi edhe vendim në fakt, ka kompani, operatorë që duhet të përmbyllë ato punë dhe jemi në fazën përfundimtare të përcaktimit të eksproprijimit të atyre pronave që ishin problematike dhe sigurisht dhe punimet tjera në qytet për riparimin e rrugëve, kurse sa i përket vazhdimit të bulevardit nga Shkolla e Mesme Tekstile e deri në bulevardit e Ilindenit, do të jetë në prioritet nga viti 2026”, tha kryetari Kasami.

Rikujtojmë se vetëm për një pjesë të vazhdimit të këtij bulevardi u deshën një dekadë, ndërsa për pjesën tjetër të mbetur me gjasë do të duhen edhe shumë vite, duke patur parasysh se për projektet kapitale gjithmonë ka ngecje administrative, por edhe mungesë fondesh. Në ndërkohë, gati se dy dekada në pjesën ku duhet të ndërtohet pjesa e fundit e bulevardit “Bllagoja Toska” nuk jepen leje për ndërtim, ndërsa ka mbi 10 objekte që duhet të rrënohen. Disa prej objekteve u është bërë edhe vlerësim shumë vite më parë, por nuk ka informacione të sakta se deri në cilën fazë është bërë shpronësimi.

Advertisement
Exit mobile version