SHA MEPSO sot shpalli tender ndërkombëtar për ndërtimin e interkonektorit 400 kilovoltësh me Shqipërinë, projekt për të përfunduar korridorin rajonal energjetik Lindje-Perëndim me rëndësi kyçe për integrimin rajonal dhe stabilitetin energjetik të vendit. Tenderi i ri u shpall pasi kontraktori i mëparshëm, përmes kërkesave të pajustifikuara për fonde shtesë dhe duke u larguar në mënyrë të njëanshme nga tereni, rrezikoi projektin dhe interesin publik, për çka kontrata me të u ndërpre
Tenderi parashikon ndërtimin e afërsisht 100 kilometrave të interkonektorit nga Stacioni Transformator Manastir 2 deri në kufirin maqedono-shqiptar, me vlerë afërsisht 17 milionë euro, të financuara përmes kredive dhe granteve nga BERZH dhe fondeve evropiane. Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 45 ditë, ndërsa pritet që ofertuesi më i volitshëm të zgjidhet në tremujorin e tretë të këtij viti. Zbatimi i projektit duhet të fillojë në fillim të vitit të ardhshëm dhe të përfundojë plotësisht deri në fund të vitit 2027.
“Ndërtimi i këtij interkonektori do ta pozicionojë sistemin tonë si një pjesë thelbësore e infrastrukturës elektroenergjetike evropiane, duke mundësuar pjesëmarrje të qëndrueshme në tregjet rajonale, qasje në shërbimet e sistemit dhe balancimit, si dhe sigurimin e një furnizimi më të sigurt dhe më ekonomik për të gjithë qytetarët”, tha drejtori i përgjithshëm i SHA MEPSO Burim Latifi në konferencën e sotme për media në Qeveri dhe shtoi se me këtë konfirmohet ambicia që vendi të bëhet një nyje energjetike në Ballkan.
Ndërtimi i interkonektorit të ri, shtoi ai, do të thotë rritje e ndjeshme e qëndrueshmërisë së rrjetit të transmetimit me rrezik të minimizuar të ndërprerjeve dhe goditjeve të çmimeve, hapësirë të hapur për lidhjen e kapaciteteve të reja për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, integrim strategjik të tregjeve rajonale dhe evropiane, gjë që do të kontribuojë në çmime të qëndrueshme, të përballueshme dhe konkurruese të energjisë elektrike në planin afatgjatë.
“Tashmë janë paguar rreth 5,8 milionë euro kontraktorit të mëparshëm Energoinvest, nga të cilat rreth dy milionë euro janë kthyer përmes garancive bankare. Nuk do të thoja se ka pasoja financiare, sepse mjetet e paguara janë përdorur për të blerë pajisje që janë pronë e jona dhe përbëjnë rreth 50 për qind të pajisjeve që na nevojiten për zbatimin e plotë të projektit. Për të konfirmuar që pajisjet janë në përputhje me standardet si nga ana sasiore ashtu edhe nga ajo cilësore, ne punësuam ekspertë nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Inxhinierisë Elektrike të cilët e konfirmuan këtë”, tha Latifi në përgjigje të pyetjes së gazetarëve.
Ishin angazhuar, siç tha, edhe ekspertë, konsultues dhe avokatë që të arrihet vendimi për ndërprerjen e bashkëpunimit dhe shpalljen e tenderit të ri.
“Për të arritur në këtë vendim, ne konsultuam të gjithë palët serioze të interesuara dhe në fund vendosëm ta ndërpresim kontratën sepse kishte kërkesa të pabazuara financiare për mjete shtesë dhe braktisje të njëanshme të terrenit dhe kushtëzimin me burime të shtuara financiare. E gjithë kjo është në kundërshtim me kontratën dhe për këtë arsye ky është argumenti kryesor dhe më i madh për ndërprerjen e saj. Përveç kësaj, nga viti 2020 deri më tani, kemi gjetur realizimin e vetëm 24 nga gjithsej 269 shtylla, gjë që tregon qartë nëse kishte seriozitet në zbatimin dhe përfundimin e projektit apo jo”, theksoi Latifi.
Saktësoi se pret që tenderi të përfundojë në tremujorin e tretë të këtij viti kur duhet të zgjidhet kontraktuesi, realizimi i projektit të fillojë në fillim të vitit 2026, ndërsa plotësisht të përfundojë deri në fund të vitit 2027.