Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Milanov dje në TV21 bëri të ditur se deri më tani janë asgjësuar rreth 300 tonë ushqim i pasigurt.
Sipas tij, kontrollet janë forcuar dhe shumica e ushqimeve të pasigurta janë tërhequr nga tregu para se të arrijnë te konsumatorët.
“Rreth 300 tonë ushqime të pasigurta u zbuluan për shkak të mospërputhjes në të njëjtin ushqim. Bëhet fjalë për ëmbëlsirat, produktet e qumështit, mishin e kuruar, ushqimet e përpunuara, ujërat natyrale minerale, mjaltin, frutat, perimet”, tha drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari.
Ai tha se edhe pse AUV është përgjegjëse për zbatimin e kontrolleve të sigurisë së ushqimit, përgjegjësinë përfundimtare për ushqimin e pasigurt e kanë operatorët.
“Ne si Agjenci kemi obligim që të bëjmë kontrolle të rregullta dhe të garantojmë sigurinë e ushqimeve të vendosura në treg, por operatorët, si subjekte që ofrojnë ushqimin, mbajnë përgjegjësi të plotë për atë që ofrojnë për konsumatorët”, tha Oliver Millanov.