Në fshatin Poroj të Tetovës, me nderime dhe homazhe është përkujtuar në përvjetorin e 26 të rënies së tij, dëshmori I kombit Mujdin Aliu. Me këtë rast, përfaqësues të Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, fillimisht kanë bërë homazhe tek busti i Mujdin Aliut në qendër të fshatit Poroj. Gjatë nderimeve që ju bënë u nënvizua fakti se Mujdin Aliu, edhe pse ishte djalë i vetëm i kësaj familje, megjithatë nuk hezitoi që t`I bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në betejën e Koshares, ku edhe ra heroikisht. Në ndërkohë, homazhe janë bërë edhe në vendprehjen e Mujdin Aliut, në varrezat e dëshmorëve në fshatin Poroj, ku janë vendosur kurora dhe lule të freskëta për të nderuar figurën e Mujdin Aliut. Ndërkaq, dy vite më vonë, me fillimin e luftës në Maqedoni, brigada 112 që veproi nga Tetova e deri në Jazhincë mori emrin e Mujdin Aliut. Gjatë homazheve Hazbi Lika ish komandanti i Brigadës 112 Mujdin Aliu, tha se sot nderohet dhe lartësohet në veçant figura e Mujdinit, krahas veprës së dëshmorëve tjerë. “Mujdin Aliu përveçse një luftëtar i Kosovës i cili dha jetën për atë vend, ka qenë frymëzues edhe për këtë pjesën këndej, ku një pjesë bukur e madhe e rinisë u mobilizua për të vazhduar rrugën që e kishte trasuar Mujdin Aliu dhe në vitin 2001, Ushtria Çlirimtare Kombëtare arriti të korrë fitore në bazë të motiveve prej Mujdin Aliut por edhe dëshmorëve tjerë që ranë në Kosovë dhe atyre që lanë gjurmë siç la edhe vet Mujdin Aliu”, tha Hazbi Lika, isha komandant.Në ndërkohë, në fshatin Poroj, në organizim të shkollës fillore “Gjergj Kastroti Skënderbeu”, u organizua “Krosi Pranveror Mujdin Aliu”, i cili mbahet për 21 vite me radhë, me rastin e ditës së rënies së dëshmorit të kombit Mujdin Aliu. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami. “Ky aktivitet nuk është vetëm një garë sportive, por një event që përkujton veprën e njërit prej heronjve më të denjë të vendit tonë, i cili me guxim dha jetën e tij për lirinë e popullit dhe pavarësinë e Kosovës. Ky nuk është thjesht një aktivitet sportiv. Është një marshim i kujtesës. Është një nderim për një nga bijtë më të guximshëm të kombit tonë. Mujdin Aliu nuk garoi për medalje – ai luftoi për lirinë tonë. Ai nuk kërkoi duartrokitje , ai dha jetën që ne sot të mund të ecim me kokën lart. Prandaj, çdo hap që bëjnë nxënësit në këtë kros, është një hap mbi gjurmët e sakrificës së tij. Dhe çdo frymëmarrje e tyre është vazhdim i betimit që Mujdini bëri me jetën e vet për liri, drejtësi, dhe atdhe për të gjithë”, tha kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami. I pranishëm në këtë organizim ishte edhe rektori i Universitetit të Tetovës Jusuf Zejneli dhe ish rektori I Universitetit “Nënë Tereza” Izet Zeqiri.
Në fshatin Poroj përkujtohet dëshmori Mujdin Aliu (video)
