Në prag të takimit të liderëve të VLEN, premtimi më i madh që u mor përsipër nga zëvendëskryeministri për Qeverisje të mirë, Arben Fetai ai për ligj të ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat mbetet dëshirë që po kalbet për shkak se nuk po piqen kushtet, shkruan Alsat.
Disa premtime të tij i harroi koha, e ligji akoma nuk u bë.
“Ky projekt ligj në këtë fazë është gati. Do shihni javën e ardhshme se do të nisim një debat publik në lidhje me miratimin e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat i cili do të eliminojë mundësitë e abuzimit me deklarata të rrejshme të përkatësisë kombëtare”, thoshte Arben Fetai, Zëvendëskryeministër.
Siç dëgjuat, më 27 shtator 2024, tha se javën e ardhshme do e shihnim debatin publik. Pas tre muajve, përsëri në intervistë për Alsat, tha “javën e ardhshme”.
“Uroj dhe shpresoj që brenda javës së ardhshme të dalim deri te drafti përfundimtar në kuadër të grupit punues dhe pastaj ta definojmë kalendarin….”, ishte shprehur Arben Fetai, Zëvendëskryeministër.
Pas dy javësh, më 15 janar, njoftoi se ligji shumë shpejtë do të jetë publike dhe do të dorëzohet në Kuvend.
“Jemi në fazën finale, me takimin e sotëm uroj që të gjejmë dakordimin dhe konsensusin final brenda koalicionit qeveritar dhe që pastaj të vazhdojmë procedurën e ligjit dhe shumë shpejtë ta bëjmë publik të njëjtin dhe të fillojmë procedurën ligjvënëse pas dakordimit në nivel politik”, kishte thënë Arben Fetai, Zëvendëskryeministër.
Përsëri pas dy muajve, ligji “shumë shpejtë” do të paraqitet para opinionit.
“Sot pasdite e kemi takimin e radhës ku do të shohim draftin e fundit dhe besoj që shumë shpejtë do të mbyllet kjo çështje”, pati thënë Arben Fetai, Zëvendëskryeministër.
Nga e thëna në të bërë është një det i tërë, do të ishte thënia që i shkon për shtati Arben Taravarit i cili derisa lavdërohet me kuadrot e tij në ekzekutiv, njëri përfundon në pranga, tjetri futet ne grupin e ministrave dhe zëvendësministrave me përformancë të dobët, ashtu siç i cilëson ai një pjesë të kuadrove të VLEN në ekzekutiv, duke i përjashtuar ata të ASH-së, sipas tij. Që pas shfuqizimit të mekanizmit të badenterit në tetor të vitit kaluar nga Gjykata Kushtetuese, të gjitha punësimet në sektorin publik janë bërë pa respektuar kuotat etnike të përfaqësimit./ Alsat.mk