Janë bërë publike çmimet e biletave për finale e Ligës së Kampionëve. Vendi më i lirë në stadiumin “Allianz Arena”, ku do të zhvillohet finalja e madhe, do të kushtojë 180 euro. Ndërsa bileta më e shtrenjtë do të jetë 960 euro.
“Marca” sqaron se këto janë çmimet më të larta në historinë e një finaleje të Ligës së Kampionëve. Çdo ekip finalist do të ketë në dispozicion 18,000 bileta për eventin. Ndërkohë, shitja e lirë e tyre ka nisur zyrtarisht në faqen e UEFA-s.
Biletat për publikun e gjerë do të shiten nëpërmjet një shorti që do të kryhet pas përfundimit të periudhës së aplikimit. Procesi i shitjes dhe caktimit të biletave të rezervuara për tifozët e ekipeve finaliste organizohet drejtpërdrejt me klubet e përfshira.
Gjithsej 38,700 bileta nga 64,500 janë në dispozicion direkt për t’u blerë nga fansat dhe publiku i gjerë. Biletat e mbetura do të shiten për tifozët në mbarë botën përmes UEFA.com/tickets. Çdo aplikant i përzgjedhur do të njoftohet me email dhe do të jetë në gjendje të blejë deri në dy bileta në kategorinë e çmimit të caktuar.