Site icon Tetova Expres

OSE NË VLEN, OSE NË BDI! Mexhiti i vendos vijë të kuqe Taravarit

Arben Taravari nuk mundet edhe të jetë pjesë e VLEN-it, edhe të bisedojë me BDI-në. Kështu u shpreh zëvendëskryeministri, njëherësh kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti. Ai i bëri thirrje Taravarit se është koha e fundit që të reflektojë dhe të tërhiqet nga bisedimet me BDI-në. Sipas Mexhitit, është e pakuptimtë që Taravari përderisa është pjesë e qeverisë, nga ana tjetër të negociojë me BDI-në.

“Ne mbrëmë e ftuam Taravarin që të reflektojë, sepse flitet dhe ka informata dhe vet e ka vërtetuar se ka bisedime me Ali Ahmetin, me BDI-në. Pra, brenda VLEN-it gjithçka është e lejueshme, është legjitime edhe për ndërtim pozicionesh edhe për ndërtim idesh, projekte politike, por demokracia ka një rregull: debatohet ‘pro et kontra’, hidhen argumentet në tavolinë dhe në fund – nëse mbivotohesh, shkon propozimi i shumicës në atë rast. Por kjo nuk do të thotë se nuk merresh vesh te shpija, duhesh të shkosh me qëndrime te BDI”, tha Mexhiti.

Ai tha se VLEN-i është formuar si antipod i BDI-së dhe se votat janë fituar për ta sjell ndryshimin. “Asnjëri prej neve nuk i kemi fituar këto vota vetë, as Lëvizja Demokratike, as ajo gjysma e Aleancës për Shqiptarët, as BESA, as Alternativa, as Vetëvendosja, por të gjithë bashkë dhe kemi një numër të madh votash, të cilët nuk janë të përcaktuar partiakisht, pro kanë votuar për ndryshim, për rotacion politik, për konkurrencë politike dhe nëse kemi parasysh këtë, kur në kohë të vështira jemi bërë bashkë, nuk është mirë tash në kohë stabile dhe të relaksuar të ndahemi. Edhe publikisht e ftojmë Taravarin të mbetet pjesë e VLEN-it dhe e duam brenda VLEN-it”.

Mexhiti nuk u prononcua nëse kryetar i VLEN-it pritet të bëhet Bilall Kasami, ashtu siç po aludohet në opinion, duke thënë se çështja e bajraktarizmit nuk është temë prioritare në VLEN.

“Është proces, nuk është me rëndësi se kush do të jetë kryetari, ka vend aty për një udhëheqësi, dikush do të jetë kryetar, dikush sekretarë, dikush nënkryetarë. Pra kjo nuk është koncept i bajraktarizmit, por është thirrje nga qytetarët, thirrje nga votuesit që qytetarët duan që të ketë dy taborë si në Shqipëri apo Kosovë ose si te pala maqedonase siç janë dy tabore dhe tabori i të ardhmes, tabori i ndryshimit, tabori i perspektivës është koncepti VLEN”, theksoi Mexhiti, ndërsa refuzoi të japë përgjigje në pyetjen se a është e pranueshme për partitë e VLEN-it që nëse Taravari del prej koalicioni, ai të mbetet në Qeveri.

Advertisement

Mexhiti theksoi se fillimisht Taravari është ai që duhet të prononcohet nëse do të mbetet pjesë e VLEN-it apo do të bashkëpunojë me BDI-në, e cila nuk është në një vijë me politikat e kësaj qeverie.

“Taravari duhet të prononcohet a është pjesë e VLEN-it apo është në negociata me Ahmetin? Le të përgjigjet fillimisht. Negociata me BDI-në do të thotë që nesër, pasnesër do të porositen faktorë prej atje, për shkak se do të kenë ndonjë kërkesë”, tha Mexhiti. I pyetur për deklaratën e Arben Taravarit se Mexhiti vazhdon të ketë komunikim me Musa Xhaferin dhe Fatmir Deharin e BDI-së, tha se dallon komunikimi me bërje të marrëveshjeve. Mexhiti tha se ai ka komunikim me të gjithë për shkak se “nuk jemi në luftë”, por nuk jep hapësirë për marrëveshje politike.

Përndryshe, kryetari i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari duke folur në TV21 për zhvillimet e fundit në këtë koalicion dha sqarime për deklaratën e tij se të gjithë në VLEN komunikojnë me BDI-në. Taravari bëri të ditur se edhe Izet Mexhiti ka komunikim me Musa Xhaferin e BDI-së.

“Unë dua të jem i sinqertë deri në fund. T’ja sqaroj opinionit deri në fund. Për shembull zotëri Mexhiti ka komunikim me plot njerëz në BDI. Nëse jo me Ali Ahmetin? Ka me Musa Xhaferin. Ose ka me Fatmir Deharin. Ose ka me një eksponent. Edhe deputetët tanë në Kuvend kanë komunikim. Besoj edhe të Besës, jo që janë të izoluar. Unë nuk them se unë insistoj dhe se se kryetarët janë takuar bashkë, por komunikime në një shtet ku janë 1.5 milionë e ku në Parlament janë 120 deputetë, është normale se do të komunikojnë”, tha Taravari. Ndërkohë Tarvari ka bërë të ditur se do të insistojë në marrëveshje brenda koalicionit VLEN, por nëse veçmë nuk ekziston hapësirë për marrëveshje paralajmëroi se Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të funksionojë e vetme, me grup parlamentar prej pesë deputetësh.

“Jemi të gatshëm të bisedojmë, po të na thuhet për një javë, për javën e ardhshme, kemi vendosur të bashkohemi, a unë nuk e di këtë! Ky koordinim është moti që të bëhet bashkimi. Atëherë unë vetëm mund t’i inkurajoj dhe t’u them nëse bashkoheni këtu jemi si Aleancë për Shqiptarët për të bashkëpunuar me ju për zgjedhjet lokale. Nëse mendoni se nuk duhet Aleanca për Shqiptarët për zgjedhjet lokale ne dalim edhe vetë. Më mirë ndershmërisht e provojmë kërkojmë përkrahje aty ku mendojmë dhe kujt mendojmë t’i kërkojmë përkrahje. Qëllimi ynë do të jetë që si parti politike të dalim fitues në disa komuna”, u shpreh Taravari. Ai më tej ka thënë se nuk i dëshiron ultimatumet dhe ato krijojnë ndjesi të keqe.

Advertisement

Ndërkohë të gjitha partitë tjera si Lëvizja Besa, Alternativa dhe përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Bekim Qoku janë deklaruar se nuk kanë komunikim me BDI-në dhe se opsioni i vetëm për ta do të jetë që VLEN të shkojë së bashku në zgjedhje me kandidatë, lista dhe shtabe të përbashkëta. (koha.mk)

Exit mobile version