Grupi i tifozëve, Tifozat Kuq e Zi, që përkrah Shqipërinë, ka reaguar pasi policët serbë u futën në zhveshtoren e KF Tërnocit, klubit shqiptar nga Lugina e Preshevës që garon në një ligë të ulët të Serbisë.
Ngjarja ndodhi të dielën në qytetin serb Bosilegrad, ku Tërnoci luajti ndeshje kampionale me Mladostin.
Sipas “TKZ” sërish ka dështuar thënia që “sporti është përtej politikës”.
“E vetmja organizatë që i amniston këto sulme ndaj qenies shqiptare e nuk i cilëson dashakeqe është FSHF-ja, e cila po e organizon ‘Euro 2027’ me pretendimet se sporti bashkon. Turpi është mbi ju! KF Tërnoci, nuk jeni vetëm!”, ka shkruar grupi TKZ.
Ky grup vazhdimisht kundërshton FSHF-në për organizimin e përbashkët me Serbinë të Euro U21 të vitit 2027. Është në konflikt me FSHF-në edhe për biletat për ndeshjet e Shqipërisë.