Site icon Tetova Expres

Paraburgim për të gjithë 16 të dyshuarit, Bekteshi dhe Trajkovski përfunduan në Shutkë

Ish-ministri i Ekonomisë Kreshnik Bektesi, ish-drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut Goran Trajkovski dhe 14 të dyshuar të tjerë janë në paraburgim prej 48 orësh për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, transmeton Portalb.mk.

“Deri më tani, Prokuroria Themelore Publike në Koçan ka propozuar caktimin e masës së paraburgimit afatshkurtër për 16 persona. Propozimet janë pranuar dhe masa u është shqiptuar të gjashtëmbëdhjetës personave. Për karakteristikat e secilit të dyshuar zyrtarisht do të flasim kur të hyjmë në hetim. Për momentin bëhet fjalë për persona që dyshohet se me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë kontribuar në tragjedi”, thonë nga Prokuroria.

Gjykata e Koçanit thotë se po vepron sipas sugjerimeve të Prokurorisë, në lidhje me zjarrin në “Puls” të Koçanit, ku 59 persona humbën jetën dhe 155 u lënduan.

Ljupço Kocevski dje ka njoftuar se në lidhje me aksidentin në klubin e natës “Pulse” në Koçan, po punohet për ndjekjen e menjëhershme të 14 të dyshuarve.Ai bëri me dije se dyshohen për “krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” nga neni 292 i Kodit Penal me dënim me burg prej të paktën tre vjet pa kufi të sipërm, i cili mund të shkojë deri në 20 vjet. Njëkohësisht ai tha se po hetohen aktet e marrjes dhe dhënies së ryshfetit si dhe prokurimi i paligjshëm i mjeteve piroteknike.

“Deri në këtë pikë janë duke u proceduar gjithsej 14 persona të siguruar me veprimet tona të deritanishme. Nga inspektimi i kryer mund të them se janë siguruar të gjitha faktet dhe provat e rëndësishme relevante në vendin e ngjarjes dhe vijojnë analizat shtesë dhe raportet e ekspertëve nga zona përkatëse”, tha Kocevski, duke shtuar se gjatë kësaj jave ka mundësi për fillimin e procedurës hetimore.

Advertisement

Bekteshi, Trajkovski dhe një person tjetër janë sjellë mbrëmë para gjykatës në Koçan. Pas marrjes në pyetje ata janë dërguar në Burgun e Paraburgimit Shkup. Së bashku me ta janë marrë edhe tre persona të tjerë. Të tjerët janë në repartin e paraburgimit në burgun e Kumanovës.

Paraprakisht është marrë në pyetje edhe kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, i cili siç ka njoftuar Prokuroria do të merret vendim për statusin e tij të mëtutjeshëm në procedurë.

“Është bërë marrja në pyetje e kryetarit të komunës, i cili ka dhënë sqarime dhe informacione të caktuara. Një deklaratë e tillë krahasohet me materialin dëshmues dhe me kompetencat e komunës, pas së cilës do të vendoset për statusin e tij të mëtutjeshëm në procedurë”, njoftuan nga Prokuroria.

Në zjarrin e ndodhur më 16 mars kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa mbi 140 të lënduar janë trajtuar brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Advertisement
Exit mobile version