Në Burojë të Skenderajt i është dhënë lamtumira e fundit, Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi.
Haxhi Thaçi vdiq mbrëmjen e së dielës, tri ditë pas takimit që pati me ish-presidentin Thaçi në QKUK, ku dhe ishte i shtrirë për shkak të gjendjes shëndetësore.
Ish-presidenti Thaçi nuk u lejua nga Dhomat e Specializuara të marrë pjesë në varrimin e babait të tij, Haxhi Thaçit.
Qytetarë të shumtë ishin mbledhur në Burojë për ceremoninë e varrimit të tij.
Krahas tyre, në varrim u panë shumë nga figurat e PDK-së. Gjithashtu pjesë e kësaj ceremonie ishin edhe Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama si dhe Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Nga Dhomat e Specializuara në Hagë të martën në mëngjes thanë se s’kanë pranuar asnjë kërkesë publike për vizitë të Hashim Thaçit.
Por, se nuk ka pasur kërkesë, e ka mohuar avokati i Thaçit, Luka Mishetiq i cili tha se ajo është bërë qysh dje para orës 14:00.
“Z. Thaçi ka bërë kërkesë dje para orës 14:00 për të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Zoti Thaçi nuk do të marrë pjesë në varrimin e sotëm. Nuk do të kem asnjë koment të mëtejshëm për momentin”, ka shkruar avokati i Thaçit në platformën “X”.
/Reporteri.net/