Site icon Tetova Expres

Rasti tragjik në Koçan: deri më tani ka 11 të arrestuar, ministri Toshkovski paralajmëron arrestime të reja

“Edhe gjatë ditës së sotme do të ketë numër të madh të personave që do të arrestohen. Do jenë nga institucione të ndryshme, përfshirë këtu edhe ministrinë e Punëve të Brendshme”. Informacionin e ka bërë të ditur i pari i ministrisë së Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në konferencë për media duke folur për tragjedinë e zjarrit në Koçan ku jetën humbën 59 persona, raporton Portalb.mk.  

Deri në këto momente janë arrestuar 11 persona, mbi 20 persona janë të dyshuar, informoi ministri.  

“Janë arrestuar pronari i diskotekës, biletashitësi, dy roje sigurie, tre inspektorë tregu, një i inspektimit të punës, si dhe një polic. 14 persona janë urdhëruar të ndalohen për 48 orë”, tha Toshkovski. 

Ministri Toshkovski për rastin e zjarrit në diskotekën në Koçan tha se sistemi në Maqedoni është i korruptuar

“Sistemi në Maqedoni është i korruptuar, deri në atë nivel që lirshëm mund të them se kemi gjendje katastrofale në pjesën e veprimit të një numri të madh të institucioneve, të cilat në përputhje me ligjin duhet të përcjellin të gjithë proceset lidhur me funksionimin e diskotekës, funksionimin e së njëjtës. Veçanërisht në pjesën e gjithë asaj që është e lidhur me zjarrin dhe kushtet e nevojshme për vënien në funksion të një objekti, sipas ligjeve”, tha Toshkovski.  

Advertisement

Arsyet e zjarrit janë përdorimi i mjeteve piroteknike të cilat u përdorën gjatë koncertit të grupit “DNK”, ku më pas ata kapluan tavanin dhe u shpërndanë në mënyrë të pakontrolluar. 

Çfarë dihet deri më tani?

Viktimat dhe të plagosurit janë të rinj nga mosha 16-24 vjeç, i vdekur mbeti edhe një polic, një futbollist i klubit të futbollit Shkupi, anëtarët e grupit “DNK” dhe të tjerë. 

Shumica e viktimave humbën jetën si pasojë e rrëmujës (stampedos) së krijuar nga paniku pas shpërthimit të zjarrit në diskotekë. 

Të rinjtë që shpëtuan të cilët kanë lëndime më të rënda dhe që në numër janë rreth 140 po trajtohen nëpër institucionet shëndetësore në vend, kurse pacientët në gjendje më kritike po trajtohen në vende të rajonit dhe Evropës. 

Prokuroria Publike ka formuar ekip të prokurorëve të cilët po kryejnë hetime për rastin. Prokuroria ka dorëzuar propozim për paraburgim të shkurtër tashmë për 8 persona, ndërsa 3 të tjerët ende janë të shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.

Advertisement

Në pyetje është marrë edhe ish ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Kryeprokurori Lupço Kocevski ka bërë të ditur se objekti ka pasur lëshime të mëdha dhe se “bëhet fjalë për rrëzim të sistemit”, duke shtuar se objekti nuk kishte asgjë që parashikonte ligji – nuk kishte hidrantë, nuk kishte derë rezervë për evakuim (d.m.th., ishte i mbyllur me dry dhe pa dorezë në brendësi), në mënyrë të paligjshme janë lëshuar mjete piroteknike – dhe shumë krime të tjera. 

Diskoteka, siç ka bërë të ditur Toshkovski ka punuar pa licencë legale. Ai tha se dyshohen edhe zyrtarë shtetërorë nga institucione të ndryshme si: një ish-sekretar shtetëror i Ministrisë së Ekonomisë, një ish-udhëheqës i një sektori brenda Ministrisë së Ekonomisë, një ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe tre të tjerë brenda drejtorisë.

Për këtë tragjedi, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur shtatë ditë zie në të gjithë vendin. 

Qeveria gjithashtu ka sjellë vendim që Inspektorati Shtetëror i Tregut në tre ditët e ardhshme të kryejë inspektim të jashtëzakonshëm në objektet hotelierike. 

Advertisement

Në ndihmë të fatkeqësisë dhe familjeve kanë dalë ekipet e Kryqit të Kuq, institucionet të ndryshme, vendet fqinje, BE-ja si dhe bamirës të ndryshëm. 

Për të gjithë ata që duan të ndihmojnë, Kryqi i Kuq ka publikuar llogaritë për donacione për të dëmtuarit nga zjarri 

Ndonëse rast i ndjeshëm, edhe në këtë rast pati akuza politike midis partive të opozitës dhe pushtetit. 

Më poshtë mund të lexoni të gjithë përmbledhjen e detajuar me ngjarjet e ditës së djeshme. 

Advertisement
Exit mobile version