Site icon Tetova Expres

Mexhiti: Kemi arritur marrëveshje politike, ish-ushtarët e UÇK-së s’do të ndalohen më në kufi

Fletarrestet e Serbisë kundër ish-ushtarëve të UÇK-së nuk do të zbatohen më nga policia kufitare e Maqedonisë së Veriut, sipas zëvendëskryeministrit atje, Izet Mexhiti. Një marrëveshje politike, sipas tij, është arritur në qeverinë maqedonase. Ai thotë se së shpejti do të marrin vendim “që të aplikohet një zgjidhje sistemore, ligjore dhe e përhershme që ish-ushtarët e UÇK-së mos të ndalohen në kufijtë e Maqedonisë së Veriut”.

Për shkak që Kosova nuk është anëtare e Interpolit – organizatës më të madhe policore globale, Serbia vazhdimisht i përditëson listat me emrat e ish-ushtarëve të UÇK-së në këtë institucion të sigurisë, gjoja për “krime lufte”. Për shkak të kësaj, në korrik të vitit 2024, në pikëkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes INTERPOL-it dhe me pretendimin për krime lufte në vitin 1999 në Kosovë, ishte arrestuar ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramdani.

“Meqenëse Serbia është anëtare e Interpolit dhe Kosova nuk është, prandaj vazhdimisht i azhurnon listat e ushtarëve, dhe kjo mandej paraqet problem. Këtë problem nuk e kanë zgjidhur për 20 vjet pushtetet e kaluara apo partitë e kaluara shqiptare. Tash mund të them ekskluzive për juve se kemi marrëveshje politike në qeveri. Kemi marrëveshje politike që kjo të zgjidhet në mënyrë sistemore me modelin kroat, slloven dhe modelet evropiane. Dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt, po shohim vetëm cilin model të aplikojmë, dhe kjo do të jetë një zgjidhje sistemore, ligjore dhe e përhershme, ushtarët që të lëvizin lirshëm në Maqedoni, ashtu si lëvizin në vendet e Evropës. Kemi marrëveshje politike. Duhet ta bëjmë zgjidhjen ose në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ose në kuadër të qeverisë, ashtu si e ka zgjidhur Kroacia dhe Sllovenia. Dhe ne kemi marrëveshje politike që kjo të vlejë në kuadër të kësaj qeverie, duke e përmbyllur këtë çështje në mënyrë sistemore. Që ushtarët të lëvizin lirshëm në Maqedoni, ashtu siç lëvizin gjithandej në Evropë”, thekson ai.

Mexhiti përmend mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në nëntor të vitit 2024 në Prishtinë, derisa thotë se kolonat e gjata në pikat kufitare do të përfundojnë me pikën e përbashkët kufitare që do të funksionalizohet, sipas tij, në fillim të muajit prill. Duke folur për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren, ai deklaron se ditëve në vijim do të shpallet procedura e ndërtimit të tunelit mbi gjashtë kilometra.

“Në këtë drejtim, një nga marrëveshjet e para që do të realizohet është krijimi i sistemit ‘One Stop Shop’ në kufirin Bllacë dhe Jashincë. Ky do të jetë modeli i parë i Maqedonisë së Veriut me një shtet që është identik me Kosovë-Shqipëri, i cili dukshëm do të lehtësojë më shumë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave. Mendoj se deri në fund të këtij muaji apo në fillim prillit do të lëshohet në përdorim. Mbetet për t’i rrumbullakuar dhe këto ditë do të lëshohet në testim dhe besoj se prilli do të gjejë Jazhincën dhe Bllacën, do të jetë një lehtësues i dukshëm në këtë drejtim”, shton Mexhiti.

Advertisement

Duke folur për Ligjin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut, Mexhiti thotë se gjuha shqipe do të marrë statusin e merituar si gjuhë zyrtare. Sipas tij, e njëjta nuk do të cenohet asnjëherë dhe se do të jenë garant të mbrojtjes së saj.

Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut detyrohen të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20% e qytetarëve të vendit. Kjo përfshin gjuhën shqipe, e cila përmendet si gjuha e një pjese të konsiderueshme të popullatës dhe përkufizohet në nenin e parë të këtij ligji. Ky ligj është në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut dhe se ende s’ka vendimmarrje për një gjë të tillë.

“Ligji i gjuhëve ka avancuar përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, por është ende larg zyrtarizmit të plotë, siç është serbishtja në Kosovë. Edhe pse serbët janë vetëm 3% e popullsisë atje, serbishtja përdoret zyrtarisht edhe në Drenicë, edhe aty ku nuk ka asnjë serb. Përdoret në nivel lokal dhe në nivel qendror. Ndërkohë, Ligji i gjuhëve, jo gjuhës shqipe, në Maqedoni ka sjellë një avancim të dukshëm të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, por ende është larg përdorimit të plotë. Përdorimi gjysmak që parasheh Ligji i gjuhëve le shumë hapësirë për interpretime se këtu duhet apo atje s’duhet. Mirëpo, ne i përmbahemi parimit amerikan që edhe një ligj që nuk është perfekt, përderisa është në fuqi, duhet të respektohet. Ne e kemi avancuar këtë çështje dhe jemi garanci që do ta ruajmë këtë pozitë të gjuhës shqipe. Mirëpo, kjo qeveri ka kapacitet demokratik dhe politik për t’i hapur këto çështje dhe nuk ka tema tabu. Një ndër temat që kemi hapur jo për të ruajtur këtë nivel, por gjuha shqipe të marrë statusin e merituar. Në Kushtetutën e Maqedonisë të mos figuron si gjuha që e flasin 20 për qind e popullatës por të thuhet si gjuha shqipe, si gjuhë zyrtare”, thotë Mexhiti.

Sa i përket kritikave të opozitës shqiptare në Maqedoni të Veriut se në institucione ka më pak shqiptarë nën qeverinë VMRO dhe VLEN, Mexhiti thotë se e njëjta nuk qëndron.

“Nuk jemi në qeveri për numra, por për të përfaqësuar shqiptarët në Maqedoni. Po e përmbyllim çështjen e ushtarëve të UÇK-së, po e përmbyllim çështjen e balancuesit dhe përfaqësimit adekuat të shqiptarëve në administratë. Ne kemi guximin dhe argumentet për të mbrojtur dhe avancuar gjuhën shqipe, si dhe çështje të tjera të rëndësishme për shqiptarët. Nga tre pozitat kyçe në shtet – kryeministri, kryetari i Parlamentit dhe presidenti – njëra prej tyre është e përfaqësuar nga shqiptarët. Në qeveri kemi 6 ministra shqiptarë, zëvendësministra dhe funksionarë të tjerë të rëndësishëm. Historikisht, në Maqedoni ka pasur vetëm dy gjeneralë shqiptarë. Për herë të parë në histori, tani kemi tre gjeneralë shqiptarë. Gjenerali i fundit i emëruar është një profesionist që ka kaluar të gjitha trajnimet e NATO-s dhe është i mbështetur nga faktori ndërkombëtar. Pra, për herë të parë kemi një avancim real të shqiptarëve në institucionet shtetërore dhe ushtarake”, thekson Mexhiti.

Advertisement
Exit mobile version