Lajme nga bota
Trump e kërcënon BE-në me 200% tarifë ndaj alkoolit, pasi ajo propozoi tarifë ndaj uiskit amerikan
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kërcënuar Bashkimin Evropian se do të vendosë 200 për qind tarifë ndaj verës, shampanjës dhe pijeve të tjera alkoolike evropiane, nëse blloku e zbaton tarifën e propozuar ndaj uiskit amerikan.
Tarifa, të cilën BE-ja tha se po e vendos si kundërmasë kundër tarifave të administratës amerikane ndaj aluminit dhe çelikut, pritet të zbatohet nga 1 prilli.
Por, Trump u zotua të enjten për përshkallëzimin e luftës tregtare, nëse BE-ja nuk heqë dorë nga synimi i saj për vendosjen e tarifës prej 50 për qind ndaj uiskit amerikan.
“Nëse kjo tarifë nuk hiqet menjëherë, SHBA-ja do ta vendosë shpejt një tarifë prej 200 për qind ndaj të gjitha verërave, shampanjës dhe produkteve alkoolike që vijnë nga Franca dhe vendet e tjera të BE-së”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
“Do të jetë shumë mirë për biznesin e verës dhe shampanjës në SHBA”, shtoi ai.
Presidenti republikan la të kuptohej të mërkurën se e ka ndër mend ta ndërmarrë një veprim të tillë.
“Natyrisht se do të përgjigjem”, tha Trump për gazetarë në Zyrën Ovale të mërkurën.
Trump, duke njoftuar për tarifat ndaj aluminit dhe çelikut të mërkurën, i sfidoi haptazi aleatët e SHBA-së, dhe u zotua se do ta rikthejë pasurinë e “vjedhur” nga vendet e tjera.
Ai ka vendosur tarifa ndaras ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës, dhe ka ndër mend gjithashtu të vendosë taksa ndaj importeve nga Bashkimi Evropian, Brazili dhe Koreja e Jugut, duke vendosur tarifa “reciproke” nga 2 prilli.
Tarifat e SHBA-së prekin tregtinë në vlerë 25.6 miliardë euro në BE, ndërsa blloku u përgjigj me një paketë masash në vlerë të përgjithshme prej 26 miliardë eurosh ndaj mallrave amerikane, të cilat do të vendosen në dy faza.
Faza e parë, nga 1 prilli, godet produktet klasike amerikane, si uiski burbon, xhinse, dhe motoçikleta Harley-Davidson, të gjitha këto në vlerë të 8 miliardë eurove.
Pakoja e dytë e tarifave, e propozuar të futet në fuqi më 13 prill, megjithatë, duhet të marrë pelqëimin e shumicës së kualifikuar të vendeve anëtare të BE-së. Kjo pako prek mallrat si, produktet bujqësore, tekstilin, pajisjet shtëpiake dhe plastiken, në vlerë të përgjithshme prej 18 miliardë eurove.
Diplomatët me të cilët ka folur Radio Evropa e Lirë besojnë se ekziston një shumicë e tillë, pasi blloku është bërë gjithnjë e më i zemëruar me administratën amerikane.
Lajme nga bota
Irani nis sot varjen e protestuesve të arrestuar? Trump paralajmëron reagim të ashpër
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka paralajmëruar Iranin që të mos vazhdojë me ekzekutimin e protestuesve, duke theksuar se SHBA-ja do të ndërmarrë masa të forta nëse autoritetet në Teheran i varin iranianët e ndaluar.
“Nëse bëjnë diçka të tillë, ne do të ndërmarrim masa shumë të ashpra,” deklaroi Trump në një intervistë për CBS News, pa specifikuar se çfarë reagimi konkret do të ketë Uashingtoni.
Më herët, në një postim në platformën X, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se autoritetet iraniane planifikojnë ekzekutimin e protestuesit të ndaluar Erfan Soltani të mërkurën. Në njoftim thuhet se mbi 10.600 iranianë janë arrestuar nga regjimi i Republikës Islamike vetëm pse kanë kërkuar të drejtat e tyre themelore. Mes tyre është edhe Soltani, 26 vjeç, ekzekutimi i të cilit është paraparë për 14 janar.
Trump tha se nuk ishte i informuar për raporte konkrete mbi varjet, por paralajmëroi se veprime të tilla mund të shkaktojnë një reagim të ashpër, madje edhe të dhunshëm nga ana e SHBA-së.
“Nëse duan të protestojnë, kjo është një gjë. Por kur fillojnë të vrasin mijëra njerëz, e tani flitet edhe për varje, do të shohim si do t’u shkojë,” tha Trump, duke shtuar se kjo nuk do të përfundojë mirë.
I pyetur se çfarë mbështetjeje mund të presë populli iranian, presidenti amerikan tha se ajo mund të jetë e natyrës ekonomike.
“Shumë ndihmë është në rrugë e sipër, në forma të ndryshme, përfshirë edhe mbështetje ekonomike nga ana jonë, por kjo nuk do t’i ndihmojë shumë Iranit,” deklaroi Trump.(INA)
Lajme nga bota
Edhe një ministër polak fiton azil në Hungari
Ish-ministri polak i Drejtësisë, Zbigniew Zjobro, njoftoi sot se i është dhënë azil në Hungari, të cilin e kërkoi pasi dyshohej për shpërdorim detyre në Poloni.
Ai tha se akuzat ishin të motivuara politikisht, raporton Reuters.
“Vendosa të përfitoj nga azili që më është dhënë nga qeveria hungareze për shkak të represioneve politike në Poloni”, shkroi Zjobro në platformën X, duke shtuar se edhe gruaja e tij ka aplikuar për azil.
Qeveria pro-evropiane e kryeministrit Donald Tusk ka premtuar të kërkojë të sjellë para drejtësisë figura të lidhura me ish-administratën e partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS) të akuzuara për akte të paligjshme, shkruan Reuters dhe shton se Zjobro, figura më e shquar që prokurorët kanë synuar deri më tani, akuzohet për keqpërdorim të parave nga Fondi i Drejtësisë, i destinuar për të ndihmuar viktimat e krimit, përfshirë blerjen e sistemit të sofistikuar të spiunazhit Pegasus.
Prokurorët thonë se kjo është përdorur kundër kundërshtarëve politikë vendas, ndërsa nga ana tjetër, Zjobro pretendon se është viktimë e një gjuetie shtrigash politike , sepse si prokuror i përgjithshëm ai nisi hetime kundër njerëzve të afërt me Tusk.
Polonia thirri ambasadorin hungarez të premten, pasi dolën raportime se Budapesti u kishte dhënë azil dy polakëve të paidentifikuar.
Në vitin 2024, Hungaria i dha azil ish-zëvendësministrit të drejtësisë në qeverinë e PiS, Marcin Romanovski, i cili u akuzua gjithashtu për keqpërdorim të fondeve publike, gjë që shkaktoi zemërim në Poloni.
Lajme nga bota
Një tërmet i fortë me magnitudë 4.6 ballë godet pjesën veriore të Italisë
Një tërmet me magnitudë 4.6 ballë ka goditur Fornace Zarattini në Italinë veriore, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së.
Tërmeti u regjistrua rreth orës 10:17 të mëngjesit në një thellësi prej 10 kilometrash, transmeton Telegrafi.
Fornace Zarattini është një fshat në periferi të Ravenës në provincën e Emilia-Romagna në Italinë verilindore.
Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë i Italisë regjistroi një tërmet me magnitudë 4.1 ballë në zonë.
Zona ka një rrezik sizmik përgjithësisht më të ulët se zonat më aktive të Apenineve qendrore dhe jugore të Italisë, por ajo ende përjeton tërmete sepse i gjithë vendi shtrihet brenda një rajoni aktiv tektonik, rezultat i përplasjes së pllakave afrikane dhe euroaziatike.
Apeninet veriore dhe fusha e lumit po ndikohen nga proceset tektonike kompresuese dhe shtytëse që krijojnë dridhje në Emilia-Romagna.
Ravenna është e njohur për monumentet e saj të hershme të krishtera, të cilat njihen si Vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe janë të njohura për turistët.
Qyteti ishte “selia e Perandorisë Romake në shekullin e 5-të dhe më pas e Italisë Bizantine deri në shekullin e 8-të”, thotë UNESCO.

