TikTok do të mbyllet në të gjithë territorin shqiptar për 12 muaj.
Ky është vendimi i marrë nga qeveria, i cili u prezantua nga ministrja e Arsimit, Ogerta Manastiliu. Brenda 1 jave ose pak më shumë, Agjencia e Sigurisë Kibernetike do të mbyllë platformën TikTok për të gjithë përdoruesit shqiptar.
“Kufizim aksesi për një periudhë 12 mujore që do na lejojnë kohën për marrjen e masave në bashkërendim me përfaqësuesit e TikTok. Është vendim që ka në fokus interesin e fëmijëve, të rinjve”, tha Manastirliu.
Ministrja tha se qëllimi final nuk është mbyllja e TikTok, por vendosja e filtrave dhe për këtë kanë nisur komunikimet me përfaqësuesit e platformës kineze.
Vendimi për mbylljen e TikTok u mor nga qeveria pas një konsultimi të gjerë publik në dhjetor 2024. Kjo lëvizje erdhi pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani me thikë nga një bashkëmoshatar i tyre, pas një sherri të nisur në rrjetet sociale.
Më parë kryedemokrati njoftoi një protestë kombëtare më 15 mars.
Protesta do të mbahet para Kryeministrisë dhe synon të kërkojë anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi.
“Ftoj të gjithë gjimnazistët, të rinjtë qytetarët, të marrin pjesë në protestë kombëtare më 15 mars para Kryeministrisë. Kërkohet anulimi i menjëhershëm i vendimit për censurën dhe bllokimin e TikTok. Ftoj prindërit dhe të rinjtë të mos bëhen viktimë e mashtrimit banal e të pacipë të Ramës. Vdekja e vrasja tragjike e Martin Canit në dyert e shkollës nuk kishte asnjë lidhje me TikTok-un. Martini dhe autori nuk kishin llogari në Tik Tok”, tha Berisha.