Site icon Tetova Expres

Rutte dhe ambasadorët e NATO-s pritet të vizitojnë Kosovën më 11 mars

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pritet ta vizitojë Kosovën më 11 mars për herë të parë që kur e mori këtë post.

Ndërsa më 10 mars, shefi i NATO-s do të vizitojë Bosnjë dhe Hercegovinën.

Gjatë vizitës në Kosovë pritet që Rutte të jetë i shoqëruar edhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s që janë anëtarë të Këshillit të Atlantikut të Veriut.

NATO-ja ende nuk e ka konfirmuar zyrtarisht një vizitë të tillë.

Vetë Mark Rutte kishte paralajmëruar se do ta vizitonte Kosovën gjatë muajit mars në një debat që kishte pasur më herët në Bratisllavë të Sllovakisë.

Advertisement

Sipas Rutte, stabiliteti në Kosovë, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Serbi, është në interes të të gjithëve dhe ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.

“Më lejoni të jem krejtësisht i qartë. Nga ajo që unë kuptoj nga sistemi amerikan, është se ata janë plotësisht të përkushtuar ndaj NATO-s dhe angazhimeve aktuale. Por, le të shohim se çfarë do të ndodhë. Ne gjithmonë mund të kemi ndryshime të politikave ose adaptime të vogla që mund të ndodhin. Sllovakët, holandezët dhe të tjerët po e bëjnë këtë. Por, nuk kam arsye të besoj se do të ketë vendime dramatike. Dhe, në përgjithësi, në Ballkanin Perëndimor, duhet të jemi të sigurt që, ne e mbajmë në fokus këtë rajon, sepse stabiliteti në Kosovë, stabiliteti në Bosnje dhe stabiliteti në Serbi është në interesin e të gjithë neve”, tha ai./vizionplus.tv

Exit mobile version