“Nuk mund të ketë zgjedhje në kushte kur shqiptarët do të degradohen deri në atë nivel”. Kështu është deklaruar nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani në temën për bojkot të zgjedhjeve lokale. Osmani edhe njëherë ka përsëritur qëndrimin e BDI-së që zgjedhjet lokale të mbahen së bashku me zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe ai që merr legjitimitetin e popullit shqiptarë të vazhdojë të qeverisë me vendit. Sipas Osmanit, kjo nuk është brengë vetëm e BDI-së, por e gjithë shqiptarëve, pasi sipas tij, shqiptarët ndihen të nënvlerësuar nga qeverisja e VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it.
“Nuk është kjo çështja e BDI-së, shqiptarët nuk do të lejojnë të vazhdojë ditën sikur nuk ka ndodhur asgjë. Është obligim moral, është obligim kombëtarë, është obligim njerëzor ndaj atyre që kanë dhënë jetën për këtë gjuhë. Edhe ne tash do bëhemi sikur asgjë nuk ka ndodhur. Po kryetari i Gjykatës Kushtetuese paska vendosur ashtu edhe ne nesër do të dalim të pimë kafe në qytet, edhe nesër do të bëjmë fushatë për komunat. Prandaj them, krizë e thellë politike në të cilën nuk mund të vazhdon mënyrën e njëjtë pa u ulë me bisedu se çka bëjmë me Marrëveshjen e Ohrit. Pa e kthyer Balancuesin, pa e kthyer Badenterin, pa e kthyer legjitimitetin dhe pa e garantuar Gjuhën nuk mund të ketë politikë si zakonisht”, ka thënë nënkryetari i BDI-së Osmani në TV21.
KASAMI IA KUJTON OSMANIT RASTIN TE TENDA
Ndaj kësaj deklarate të nënkryetarit të BDI-së ka reaguar një ndër krerët e VLEN, Bilall Kasami, I cili paralajmëroi se veprime të tilla bëhen me shkas për të nxitur tensione në shtet, ndërsa tha se si të tilla do të kenë edhe reagimin e faktorit ndërkombëtarë. “Nuk dua Bujar Osmanin ta përkujtojë me momentin e tendës, e dimë ne kur nisën një projekt të tillë, për të krijuar tensione në Maqedoninë e Veriut, për të bërë probleme, kur me një kolegun tuaj, i cili u vendos në tendën e tyre, veç nisën një projekt të tillë, kur e uli kokën dhe doli, nuk e dinte edhe ai si doli nga ajo tendë. Bujar Osmani të mos ballafaqohet sërish me një situatë të ngjashme, kur do të duhet të dalë dhe të nisin ndonjë tentim për të destabilizim të Maqedonisë, të dalë ndonjë padi edhe më e madhe për ndonjë funksionar tjetër”, tha Kasami.
VLEN: PAS SKENARIT TË BOJKOTIT, FSHIHET FRIKA NGA HUMBJA
Nga VLEN vlerësojnë se paralajmërimet e papërgjegjshme të BDI-së për bojkot të zgjedhjeve lokale tregojnë edhe një herë se janë tërësisht të izoluar. Nga koalicioni në qeveri shprehen se fakti që sipas tyre BDI nuk dinë si të sillen në opozitë, nuk mund të kthehet në problem shtetëror. “Nuk ka asnjë dyshim se pas skenarit për bojkot të zgjedhjeve lokale fshihet frika e BDI-së nga humbja. Prandaj, ata sajojnë alibi me akuza të rreme për gjoja deshqiptarizim, i cili, në mënyrë simptomatike sipas tyre, po ndodh vetëm sepse ata nuk janë më pjesë e Qeverisë. BDI e mbivlerëson forcën e saj për të organizuar diçka në terren. Po të kishin mbështetje nga populli shqiptar, do të kishin dalë me protesta prej kohësh, ashtu siç kishin paralajmëruar më herët” thonë nga VLEN. Lidhur me kërkesën për takim të BDI-së me VLEN, këto të fundit vlerësojnë se në këtë mënyrë BDI po kërkon të faktorizohetpër probleme që i ka lënë trashëgimi.
“Së pari, është ekstremisht hipokrite dhe e papërgjegjshme që BDI të na akuzojë për iniciativën para Gjykatës Kushtetuese, kur ajo është mbajtur qëllimisht në sirtar nga kuadrot e tyre në këtë Gjykatë, me planin që sot ta keqpërdorin për sulme politike. VLEN-i nuk mund të jetë përgjegjës për paqartësi në ligj që vetë BDI-ja i ka lejuar me vetëdije. Së dyti, teksti i Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe është dorëzuar në Komisionin e Venecias pikërisht nga Bujar Osmani”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.
Me reagim ndaj deklaratave të Osmanit edhe partia “Koncepti Maqedonas” i Petar Bogojeskit, që është pjesë e koalicionit qeveritar. Paralajmërimet e BDI-së kjo parti i sheh si kërcënim dhe sulm të drejtpërdrejtë ndaj rendit demokratik të Maqedonisë “BDI nuk është institucion shtetëror, por parti politike që duhet ta respektojë vullnetin e qytetarëve dhe jo të sillet si pronar i shtetit. Përpjekja e tyre për të pezulluar zgjedhjet nuk është asgjë tjetër veçse një akt dhune politike dhe një përpjekje për të shuar vullnetin e lirë të qytetarëve”, thuhet në reagimin e partisë së Bogojeskit. Përndryshe ka disa ditë që krye-temë në opinion janë shndërruar zgjedhjet lokale, edhe pse fushata për zgjedhje lokale ka ende shumë kohë, për faktin që zgjedhjet lokale pritet të mbahen gjatë vjeshtës. (koha.mk)