Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, prej sot deri më 27 shkurt 2025 do të kryesojë Delegacionin e Kuvendit për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, e cila po zbatohet në bazë të ftesës zyrtare të Ser Lindzi Hojël, kryetar i Dhomës së Poshtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar dhe në bashkëpunim me Fondacionin për Demokraci Vestminster.
Në përbërje të delegacionit janë: nënkryetari i Kuvendit, Jovan Mitreski; kryetari i Grupit Parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, Nikolla Micevski; zëvendëskoordinatorja e GP-së së Koalicionit të Frontit Evropian, Arbana Pasholli dhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska.
Në përputhje me Programin, janë paraparë takime me Ser Lindzi Hojël, kryetar i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Britanik, me anëtarët e mundshëm të Grupit Parlamentar Gjithëpartiak për Bashkëpunim me Republikën e Maqedonisë së Veriut, me komisionarin parlamentar për standarde, Daniell Grindberg dhe me kryetarin e Komitetit të Mbrojtjes, Tan Desi dhe anëtarët.
Në kuadër të Programit, sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, do të ketë takim të veçantë me Tom Goldsmitin, sekretar i përgjithshëm / nëpunës i Dhomës së Poshtme të Parlamentit Britanik.
Kryetari i Kuvendit dhe Delegacioni, nga galeria e kryetarit të Dhomës së Poshtme të Parlamentit Britanik, do të ndjekin seancën e pyetjeve të deputetëve – Pyetje për Kryeministrin, e cila mbahet çdo të mërkurë.
Ndër aktivitetet tjera, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Londër, u organizua edhe takimi me përfaqësuesit e diasporës në Mbretërinë e Bashkuar për Kryetarin e Kuvendit dhe Delegacionin.
Kryetari Gashi dhe Delegacioni janë të ftuar të marrin pjesë në ligjëratën me të cilën Parlamenti Britanik e shënon përvjetorin e Këshillit të Evropës – “Këshilli i Evropës: 75 vjet e më tej”, që do të mbahet në Dhomën e Lordëve në organizimin e Kryetarit të Dhomës së Lordëve, Lord Mekfoll të Alkluit dhe në prani të kryetarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Teodoros Rusopulos.