Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe qindra mijëra kanë mbetur pa energji elektrike, pasi stuhitë e forta dhe përmbytjet kanë shkaktuar dëme të theksuara në të gjithë pjesën lindore të SHBA-së, transmeton Anadolu.
Gjatë stuhive, Kentucky pësoi disa nga dëmet më të rënda në vitet e fundit, transmetuan mediat.
“Kjo është një nga ngjarjet më serioze të motit me të cilat jemi përballur në të paktën një dekadë”, tha guvernatori i Kentucky-t, Andy Beshear, pasi konfirmoi se nëntë nga viktimat, duke përfshirë një fëmijë, ishin në këtë shtet amerikan, si dhe person tjetër në Georgia.
Stuhia shkaktoi reshje të dendura shiu, duke rezultuar në përmbytje të shpejta, rrëshqitje dheu dhe mbyllje të rrugëve.
Ekuipazhet e urgjencës kryen më shumë se 1.000 shpëtime vetëm në Kentucky.
Duke vënë në dukje se nga stuhia janë prekur të gjitha qarqet në këtë shtet, gjithsej 120, Beshear tha se u intervenua për të evakuuar dy shtëpi pleqsh.
Midis viktimave ishte një nënë dhe fëmija i saj 7-vjeçar, të cilët u përfshinë nga përmbytjet, teksa përpiqeshin të kalonin një rrugë të përmbytur.
Vërshimet kanë lënë rreth 40 mijë banorë në Kentucky pa energji elektrike, si dhe 9.800 pa ujë.
Përveç përmbytjeve, disa pjesë të shtetit janë përballur me reshje bore dhe kushte akulli, duke e bërë udhëtimin edhe më të rrezikshëm.
Si reagim ndaj kësaj, Beshear shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe kërkoi ndihmë federale.
– Trump me deklaratë për fatkeqësi emergjente
Presidenti amerikan Donald Trump miratoi deklaratën e fatkeqësisë emergjente të shtunën vonë, duke zhbllokuar fondet federale për përpjekjet e shpëtimit dhe rimëkëmbjes.
Shtete të tjera në juglindje dhe verilindje, duke përfshirë shtetet Tennessee, Mississippi dhe Alabama pësuan gjithashtu dëme të konsiderueshme.
Sinoptikanët paralajmëruan për rreziqe të vazhdueshme nga përmbytjet, me lumenj që mund të mbeten mbi nivelet kritike në ditët në vijim.
Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) alarmoi për përmbytjeje të shpejtë për disa qarqe në Virginia, duke e quajtur situatën “jashtëzakonisht të rrezikshme dhe kërcënuese për jetën”.
Teksa përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhduan, zyrtarët u bënë thirrje banorëve të qëndrojnë vigjilentë.