Sot festohet Dita e Pavarësisë së Kosovës, ditë feste për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Pavarësia e Kosovës është vulë dhe vërtetim i sakrificës dhe durimit për liri dhe pavarësi. Populli i Kosovës është popull liridashës prandaj luftuan, rezistuan, dhe në fund e fituan lirinë e merituar. Kosova ka filluar nga zero dhe sot po feston 17 vjetorin me një lidership politik tejet të fuqishëm, të përgjegjshëm, dhe me gatishmëri të plotë për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës. Kosova sot ka ushtri, ka qytetarë që punojnë, ekonomi progresive, arsim, shëndetësi, e kulturë në nivelin e duhur, shkruan Zhurnal.
Fakte për Pavarësinë e Kosovës –
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u miratua në mënyrë unanime prej 109 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës. 11 deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. 9 përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit.
Versioni origjinal i papirusit të deklaratës është nënshkruar nga delegatët po atë ditë. Teksti i deklaratës në gjuhën shqipe është i vetmi tekst autentik. Shumica e shteteve anëtare të BE e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vazhdojnë të mos e njohin.
Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës është Muhamer Ibrahimi. Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Afganistani, Kosta Rika, SHBA, Franca, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe, etj.
Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiçi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyra e kaltër simbolizon Evropën.
116 nga 193 shtete anëtare të OKB-së kanë njohur formalisht Republikën e Kosovës dhe 3 shtete që nuk janë anëtare të OKB. 23 nga 28 shtetet e BE-së po ashtu e kanë njohur Kosovën. Njëzetekatër (24) anëtarë të NATO-s nga njëzetetetë (28) gjithsej e kanë njohur Kosovën.
Zvicra e njohur Pavarësinë e Kosovës më 27 Shkurt 2018. Shtetet që e kundërshtojnë Pavarësinë e Kosovës janë: Serbia, Rusia, Kina, Spanja, India, Gjeorgjia, Greqia, Brazili, Spanja, Qipro, Greqia, Rumania dhe Sllovakia. Parlamenti Evropian më 30 maj 2008, shpalli se e njeh Kosovën si shtet të pavarur. Ishte hera e parë që flamuri i Kosovës, u paraqit zyrtarisht në institucionet e Bashkimit Evropian.
Agjencia e Lajmeve Zhurnal uron Pavarësinë e Kosovës–
Prandaj, ne si Agjenci e Lajmeve kredibile në Maqedoninë e Veriut, urojmë 17 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Maqedonia e Veriut ashtu si çdo herë vazhdon ta përkrah dhe të qëndroj afër Kosovës në sfida, në festa e ditë zie, si dy shtete mike e aleate ashtu siç i ka hije. Kujtojmë që, RMV është ndër vendet e para që njohëm Kosovën, e me të njëjtën energji qëndrojmë akoma, edhe si qytetarë, por edhe nga aspekti institucional. Pa kurrfarë hamendje e lëkundje pavarësisht gjitha vështirësive dhe ndërmjetësimeve për të përkeqësuar marrdhëniet mes dyja shteteve.
Sot, Maqedonia e Veriut si vend anëtare e NATO-s, kontribuon me kontigjen ushtarësh në Kosovë në forcimin dhe ruajtjen e sigurisë, sepse gjendja stabile në Kosovë është shenjë e stabilitetit në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Nuk duhet të harrojë që shumë shpejt bashkë me Kosovën ne do të kemi edhe dy pika kufitare ku do të futet në zbatim metoda “One stop shop”, gjë që dukshëm do të ndikojë në eliminimin e kolonave në pikat kufitare, që kohëve të fundit vërtetë janë bërë të mërzitshme dhe të bezdisshme.
Marrëdhëniet e mira dhe miqësore të bazuara në besimin reciprok në mes të dy vendeve tona janë kyçe për të trajtuar së bashku sfidat tjera rajonale. Si dy vende fqinjësore të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, në pikëpamje politike, sociale dhe kulturore, ku edhe më shumë na afrojnë dhe lidhin mes vete kontaktet e qytetarëve të të dy vendeve dhe lidhjet e tyre farefisnore mes vete. Vetëm të bashkuar dhe me partneritet të lartë do t’i arrijmë qëllimet tona të përbashkëta.
E në fund nuk ka se si mos ta falëndërojmë Qeverinë aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti që ka bërë për veriun e vendit ma shumë se krejt qeveritë tjera së bashku. Këtë 17 vjetor Kosova po feston edhe pasi ka kaluar procesin më të rëndësishëm demokratik, zgjedhjet. Në formën më të mirë të mundshme filluan dhe përfunduan. Akoma janë në proces të numërimit të votave dhe përbërjes së qeverisë së re. Kosovën e priftë e mbara, qytetarët qofshin të lirë e të pavarur gjithmonë! /Zhurnal.mk