Shkruan: Naser Selmani
Zgjedhjet në Kosovë përfunduan, rezultatet dihet, dilema është kush do të formojë qeverinë e re. Rezultati është i qartë si loti. Lëvizja Vetëvendosje fitoi me mbi 40 për qind të votave. Ajo ka thuajse dyfish më shumë vota se partia e dytë, PDK. Kosovarët folën qartë, qeverinë e re duhet ta drejtojë kryeministri aktual, Albin Kurti.
Ajo që Kurti nuk mori mbi 50 për qind të votave nuk tregon se ai ka humbur mbështetjen e kosovarëve. Përkundrazi dëshmon pjekurinë e kosovarëve, që kërkojnë ta testojnë Kurtin në një rrafsh tjetër, aftësinë për të formuar një qeveri koalicioni me bazë të gjerë sepse kështu e kërkojnë rrethanat politike në Kosovë, në rajon dhe në Evropë.
Prandaj Kurti duhet ta jetë i gatshëm për kompromise me PDK, të krijojë një qeveri të qëndrueshme me mbështetje të fuqishme në Parlament. Vetëm kështu qeveria e re mund të jetë e gatshme të përballojë sfidat e reja.
Priten reforma të brendshme që do të përmirësojnë jetën e kosovarëve dhe të menaxhojë me sukses bisedimet për normalizimi i raporteve me Serbinë.
Përveç kësaj, rajoni pritet të kalojë nëpër turbulenca të reja, sepse politika serbe do të përpiqet të shfrytëzojë raportet e ftohta mes administratës së presidentit Tramp dhe Bashkimit Evropian për luftën në Ukrainë, e cila detyrimisht do të ketë ndikim edhe mbi zhvillimet në vendet e Ballkanit perëndimor.
Realisht mund të pritet që presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ta aktualizojë sërish idenë e Botës serbe, e cila nuk është asgjë tjetër përveç se ambalazhim ndryshe i idesë së Serbisë së Madhe duke dashur që problemet e brendshme me protestat e studentëve ti bartë në vendet fqinje.
Kosova nuk e ka luksin të formojë qeveri pa Kurtin e as Kurti nuk duhet të formojë qeveri pa mbështetje të fortë në Kuvend. Kurti duhet të mësojë të punojë bashkë me opozitën, ndërsa opozita të pranojë atë si faktor i pashmangshëm.
Të izolosh Kurtin, do të thotë të refuzosh realitetin dhe ti shkaktosh telashe vetes dhe Kosovës.
Kosovarët presin sjellje të përgjegjshme nga drejtuesit politik, të udhëhiqen prej interesat e vendit, e jo prej inateve personale.
Urojmë që opozita të tejkalojë tundimin, për pak pushtet, të rrezikojë shtetin.
Të mos përsërisin gabimin e mbretit Zog dhe Enver Hoxhës, të kërkojnë ndihmën e Beogradit për të eliminuar kundërshtarin politik sepse do të ju kushtojë shtrenjtë.
Këtë tradhti kurrë nuk do të ua falin shqiptarët!