Pas një dekade, çështja e ndryshimit të stemës shtetërore në Maqedoninë e Veriut po rihapet. Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi se me partnerin e tij qeveritar koalicionin VLEN kanë biseduar për këtë temë dhe kanë ngritur çështjen e ndryshimit të stemës shtetërore, transmeton Portalb.mk.
“Ne e hapëm këtë çështje. Jemi një nga dy vendet postsocialiste që ende e kemi stemën e vjetër shtetërore, me disa modifikime të vogla”, tha Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske.
Kryeministri kujtoi se ka pasur marrëveshje për ndryshimin e stemës shtetërore mes VMRO-DMPNE-së dhe BDI-së kur ishin në të njëjtën qeveri.
“Unë e di që ka pasur një marrëveshje mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për ndryshimin e stemës shtetërore, kjo ka qenë para disa vitesh, nëse nuk gaboj në vitin 2014, 2015. Ne e kemi hapur këtë çështje dhe vlerësoj se jemi një nga dy vendet postsocialiste që kemi ende stemën e vjetër shtetërore me disa modifikime. Por, shkurtimisht, ka pasur një marrëveshje mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së kur ne ishim në të njëjtën qeveri, kur atë qeveri e udhëhiqte Nikolla Gruevski”, tha Mickoski.
Në një kumtesë për mediat, Partia Liberal Demokratike (PLD) propozon vendosjen e rrëqebullit në stemë e re, si një specie e njohur, karakteristike për Maqedoninë e Veriut. Kjo parti thotë se nëse vendoset rrëqebulli, tregojmë vizion nga e ardhmja në vend që të “kthehet pas dhe të shikojë të kaluarën”.
2014, u propozua stemë skandaloze pa elemente shqiptare
Kujtojmë se, herën e fundit që u propozua ndryshimi i stemës ishte nga Qeveria e Nikolla Gruevskit dhe BDI-së në vitin 2014, por ajo nuk arriti të sigurojë një shumicë prej dy të tretash për të mbështetur këtë ide. Ishte një luan i kuq në një sfond të verdhë të artë në formën e një mburoje, si dhe një kurorë në pjesën e sipërme në formën e një fortese. Ndër shpjegimet e dhëna nga qeveria e asaj kohe ishte se Maqedonia dhe Bjellorusia ishin të vetmet vende në Evropë që kishin një stemë shtetërore të frymëzuar nga heraldika sovjetike.
Përfaqësues të BDI-së arsyetonin propozimin për stemën e re duke thënë se luani është simbol edhe për shqiptarët. Si argument për këto pretendime u prezantua stema e qytetit të Durrësit, e cila gjithashtu përmban një luan të kuq me prapavijë të verdhë. Por, bashki të ndryshme në Shqipëri përmbajnë simbole të ndryshme kafshësh. Për shembull, në stemën e bashkisë së Pogradecit qëndron gjarpri. Megjithatë, simbolet e tilla nuk janë perceptuar si simbole etnike, por vetëm si lokale.
Historianët shqiptarë kundërshtuan zëshëm këtë propozim duke thënë se luani nuk ka qenë asnjëherë simbol i të gjithë shqiptarëve, dhe edhe në rastet kur është përdorur në stema të ndryshme, nuk ka përfaqësuar elementin etnik shqiptar.
Rikujtojmë dhe deklaratën e Lëvizjes Besa në vitin 2014, e cila tha se e gjykon si manipulim të rëndë me simbolet e shtetit vendosjen e një simboli partiak si simbol shtetëror dhe e konsideron këtë si veprim antishtetëror dhe, aq më shumë, antishqiptar, sepse ky simbol është kundër realitetit shoqëror shumetnik në Maqedoni, e veçmas kundër kombit të dytë shumicë në Republikën e Maqedonisë. Prandaj, që të mos thellohet edhe më shumë ndarja e komuniteteve në Maqedoni, BESA kërkon që Qeveria e Republikës së Maqedonisë ta rimendojë këtë propozim, ndërsa subjekti shqiptar në këtë Qeveri të mos kërkojë shpjegime, gjoja shqiptare, për ta arsyetuar dështimin e tyre në këtë qeverisje dhe të dëshmojnë se nuk janë aty vetëm numra pa asnjë rëndësi përmbajtjesore.” thuhej mes tjerash në reagimin e Lëvizjes Besa.
Ndryshimi i parë i stemës shtetërore që përdoret qysh nga viti 1946 u bë në vitin 2009 kur ylli i kuq u hoq nga stema socialiste e Maqedonisë.