Site icon Tetova Expres

Sot do të vihet në funksion stacioni i ri i kompresorit për klinikat kirurgjikale

Sot do të vihet zyrtarisht në funksion stacioni i ri i kompresorit për klinikat kirurgjikale. Në këtë ngjarje, siç njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë, do të marrë pjesë edhe ministri Arben Taravari.

Në maj të vitit të kaluar sallat e operacionit në Qendrën Klinike u mbyllën për shkak të një erë të pakëndshme. Për intervenime urgjente pacientët janë referuar në Klinikën Universitare për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naum Ohrit” dhe Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”. Stacioni i kompresorit, i ndërtuar rreth 33 vjet më parë, duhet të ishte ndërruar tre vjet më parë. Mosfunksionimi i bllokut operativ u cilësua si goditje e rëndë për Qendrën Klinike si shtyllë e kujdesit shëndetësor.

Më 1 korrik u njoftua se dalëngadalë po zgjidhej problemi me dhomat e kirurgjisë në Qendrën Klinike, pasi ishte shpallur tender për kompresorët që nuk punonin. Në mesin e korrikut u anulua procedura për prokurimin, instalimin dhe vënien në punë të një sistemi ajror të dëmtuar për sallat e operacionit të klinikave kirurgjikale, pasi nuk ishte marrë asnjë ofertë. Më pas pasoi një tender tjetër.

Më 22 janar, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se ka përfunduar plotësisht montimi dhe instalimi i sistemit të ajrit të kompresuar në kompleksin klinik “Nënë Tereza” në Shkup.

“Janë montuar dhe instaluar tre kompresorë me pajisjet e nevojshme shoqëruese, rezervuarë, separator, ndarës automatik i kondensatës me kontroll elektronik, ndarës ciklon për largimin e lagështirës dhe vajit në fazën e daljes së kompresorit dhe pajisje të tjera. Gjithashtu, u krye zëvendësimi dhe instalimi i tubacioneve të bakrit, pikave të lidhjes dhe kabineteve të shpërndarjes së ajrit të komprimuar për furnizimin e bllokut operativ prej 12 dhomash dhe 2 dhomash të Klinikës së Kirurgjisë Plastike, në përputhje me Farmakopenë Evropiane, të zhvilluar në përputhje me Direktivën Evropiane 93/42/EEC. Puna provuese është duke u zhvilluar në sistemin e ajrit të komprimuar në kompleksin klinik “Nënë Tereza” në Shkup. Pas përfundimit të testit, Ministria e Shëndetësisë do të caktojë një datë për mbylljen e plotë të furnizimit me ajër të kompresuar për të gjitha klinikat në kompleksin spitalor, për t’u lidhur me përdoruesit e mbetur. Pas realizimit të këtyre aktiviteteve, sistemi i ajrit të kompresuar do të vihet në funksion të plotë”, thuhet në deklaratë.

Advertisement
Exit mobile version